Intervista

FSK mes sfidave dhe sukseseve

Duket se viti 2016 ishte viti i uniformës, krenarë dhe motivues mbizotëruan gjithandej nëpër botë, dolën të parët, triumfuan në garat më të rëndësishme ndërkombëtare. Dhe në këtë përvjetor të Pavarësisë së Kosovës, ngjarjes më të rëndësishme të kombit shqiptar, sjellim një intervistë me Haki Demollin, aktualisht ministër në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ministri Demolli në Flatra për politikat e ndërmarra për ta bërë FSK-në një ndër institucionet më të suksesshme në Ballkan, për arsimimin e tyre, si shtyllë kryesore si dhe sfidën më të madhe, transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës.

Ky 9 vjetor i Pavarësisë së Kosovës, si e gjen Forcën e Sigurisë së Kosovës?

Sigurisht që në këtë 9 vjetor të Pavarësisë së Kosovës ne kemi një Forcë të Sigurisë më të konsoliduar dhe shumë më të përgatitur edhe pse ende ekzistojnë sfida të ndryshme, të cilat vazhdimisht e përcjellin ministrinë tonë dhe FSK-në. Më duhet të theksoj se Ministria dhe konkretisht FSK-ja gjatë vitit të shkuar, 2016, ka qenë e angazhuar në një varg aktivitetesh, kryesisht të karakterit profesional, të cilat kanë treguar pikërisht përgatitjen tonë profesionale dhe arritjet që kemi bërë në këtë drejtim. Raste të tilla janë të shumta sa i përket suksesit të ushtarakëve tanë, sidomos në aktivitetet ushtarake ndërkombëtare. Djem dhe vajzat e FSK-së kanë treguar në shumë vende të botës se janë shumë të përgatitur, madje në aktivitetet me karakter garues kanë fituar edhe medalje të arta. Në fakt, vitit 2016, ka qenë pikërisht viti i tyre, njerëzve me uniformë, kadeti ynë Ismalj Hoxha, u shpallë më i miri në Britaninë e Madhe, nga Akademia Ushtarake e Sandhurstit, në mesin e afro 170 kadetëve nga 19 shtete të botës. Gjithashtu suksesi i radhës ishte regjistrimi i dy kadetëve të FSK-së,  në Akademinë Ushtarake “Ëest Point” në SHBA, që është  njëra prej  akademive  më prestigjioze në botë, ku konkurrenca për regjistrim të kadetëve ka qenë e jashtëzakonshme, për vetëm 15 pozita, kanë garuar afro 100 kandidatë nga  29 shtete të ndryshme të botës etj. Nga ana tjetër, sigurisht kemi sfidat, përgjegjësit dhe detyrat, por ajo që mbetet gjithmonë një sfidë e përhershme është transformimi i FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës. Një proces që nuk varet shumë nga ministra jonë, e cila ka realizuar të gjitha planifikimet dhe përgatitjet e duhura për transformimin, me mbështetje të plotë nga ekipin e autorizuar nga SHBA-të,  konkretisht  me DIRI-n, si  dhe  me Gardën Kombëtare të Ajovës  të SHBA-së  përmes  Zyrës së Bashkëpunimit për Mbrojtjen (ODC) dhe faktorët tjerë relevantë ndërkombëtar. Aktualisht ekzistojnë draft ligji dhe të gjitha dokumentet e nevojshme për këtë proces, tashmë duhet vendimmarrje politike, e cila duhet të ndodh në Kuvendin e Kosovës.

Dhe deri ku është ky proces, duke pasur parasysh zhvillimet e fundit në vend?

Nga ana jonë gjithçka është përgatitur për transformimin e FSK-së, tashmë është në vullnetin politikë për ta çuar përpara këtë proces të domosdoshëm dhe shumë të rëndësishëm. Këtu dua të potencoj se një nga shtyllat kryesore të këtij procesi, financimi i transformimit, i cili ka një kosto prej 814 milionë euro, do të përkrahet tërësisht nga Qeveria e Kosovës, të cilën duhet ta falënderoj dhe që na ka dhënë garancionin se tërë këtë proces do ta përkrahë deri në fund.

 Vlen për të theksuar se FSK-ja i kushton vëmendje të madhe shkollimit të kadetëve, konkretisht cila është kjo strategji dhe çfarë do të thotë për FSK-në?

Padyshim që kjo ministri e ka prioritet shkollimin dhe aftësimin profesional të kadetëve, të cilët nëpërmjet tyre fitojnë kompetencat të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Në këtë drejtim, kemi Qendrën për Studime Universitare, ku zakonisht pranojmë 12- 15 kadetë të rinj, gjithashtu kemi pasur kadetë edhe nga Shqipëria në qendrën tonë, të cilët zhvillojnë shkollim të kombinuar, se pjesën teorike e zhvillojnë në Universitetin Amerikan në Kosovës, AUK, ndërsa pjesën tjetër në Qendrën për Studime Universitare. Kriteret e përzgjedhjes së tyre, duhet thënë se janë ndër kriteret më të vështira dhe shumë selektive  duke i shtuar këtu edhe disiplinën ushtarake që zhvillohet në QSU, trajnimet e ndryshme që bëhen nxjerrin kadetë shumë të përgatitur profesionalisht. Pothuajse të gjithë ata pas përfundimit në Kosovë dërgohen për trajnime dhe specializime në akademitë ushtarake të vendeve, me të cilat kemi bashkëpunim si në Amerikë, Turqi, Gjermani, Kroaci, Britani të Madhe, Maqedoni. Ndërsa kemi edhe katër kadetë, të cilët vijnë nga komunitetet në Kosovë, që janë diplomuar në Akademinë Ushtarake në Maqedoni.

 Sa i përket çështjeve gjinore, FSK-ja ende mbetet një fushë e dominuar nga burrat, a ka kuota ose hapa të cilët motivojnë pjesëmarrjen më të madhe të vajzave?

Ne si ministri i kushtojmë një rëndësi të veçantë çështjeve gjinore, barazisë dhe motivimit të gjinisë femërore për të qenë shtyllë e rëndësishme e Forcës Sigurisë së Kosovës. Në fakt ne kemi bërë një analizë të detajuar sa i përket përqindjes së gjinisë femërore si në ministri ashtu edhe në FSK, dhe e them me bindje të plotë se jemi një nga institucionet me një përqindje të konsiderueshme të përfaqësimit gjinor. Sigurisht që nuk ndalemi këtu. Në të gjitha strategjitë apo veprimet që ndërmarrim si ministri dhe FSK për të ngritur kapacitetet tona motivojmë dhe shtyjmë përpara pjesëmarrjen sa më të madhe të vajzave dhe grave. Sot ato janë shembull frymëzues për vajza tjera, pjesë e rëndësishme e FSK-së dhe shtetndërtimit.

 Së fundi, çfarë duhet të bëhet më shumë në FSK ose e thënë ndryshe ju personalisht këtë vit a jeni të përqendruar në ndonjë segment të veçantë? 

Përgjegjësia ime si ministër, ka filluar që në ditën e parë dhe do të jetë deri në ditën e fundit të mandatit tim në krye të këtij institucioni. Çdo segmenti apo fushe i kushtoj rëndësinë e duhur duke përpjekur të përmbushim të gjitha objektivat që vendosim. Por një nga detyrat kryesore, sfidë të cilën e kam që nga dita e parë në këtë ministri, mbetet transformimi i FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës. Më duhet të theksoj, duke pasur parasysh punën që kemi bërë ne si ministri, jemi jashtëzakonisht të kënaqur me proceset që kemi shtyrë përpara, por jo gjithçka varet nga ne. Në anën tjetër ajo që kam pasur si prioritet i punës sime ka qenë edhe transparenca për institucionin që udhëheq si dhe reduktimi i shpenzimeve në kuadër të FSK-së, konkretisht të mallrave dhe shërbime. Sot FSK-ja është një nga ministritë më transparente si dhe kemi reduktuar në masë të madhe shpenzimet.

 

admin

Artikujt e tjetrë