Arte Pamore

Arti im është i ëmbël dhe unë jam gjithmonë i pafajshëm

18404169_1863911237266317_160452542382665560_o

“Arti pa dyshim është një pyetje. Arti nuk mund të ndryshojë asgjë në realitet, por papunësia, emigrimi i imponuar, korrupsioni. Këto janë provokime.” Sislej Xhafa në Flatra për Bienalen e Venecias, për veprat e tij si një udhëtim dhe përvojë në kohë, për frymëzimin që ka pasur i ati, artisti Xhevdet Xhafa në artin dhe jetën e tij.

Njihet si një prej artistëve fjalëpakë, që e lë punën e tij të komunikojë me publikun. I vlerësuar për veprat e tij, të cilat trajtojnë realitetin tonë social dhe politik.  Është e pamundur, që të gjejmë një tjetër artist shqiptar kontemporan si Sislej Xhafa, krijimet e të cilit janë ekspozuar dhe vlerësuar nga qarqe të larta kulturo-artistike të botës. Ish studenti i Akademisë së Arteve të Firences, që u rikthye së fundi atje ku nisi rrugëtimin akademik, por tashmë si Anëtar Nderi i kësaj Akademie të Arteve, sivjet do të përfaqësojë Kosovën në edicionin e 57-të Bienales së Venecias, që mbahet gjatë muajit Maj, njëherit pjesëmarrja e tretë e pavijonit kosovar në këtë eveniment të rëndësishëm kulturor. Sislej Xhafa nuk na zbulon shumë për veprën me të cilën do të prezantohet në Itali, por thotë se është krijim, i cili do të  reflektojë ankthin, dhembjen dhe ëndrrën. Megjithatë në bazë të krijimeve të tij, që i kemi parë nëpër ekspozita të ndryshme, mund të themi se edhe këtë herë , artisti do të dërgojë një copëz Kosove në Venecia me tërë veçantinë dhe origjinalitetin që e karakterizon artin e tij. I njohur për hetimet artistike në realitetet sociale, ekonomike e politike të lidhura me kompleksitetin e shoqërisë bashkëkohore, duke  ndërvepruar me shumëllojshmëritë e paqëndrueshme të po kësaj shoqërie, ai ka lëvruar pothuajse në të gjitha mediumet e artit, video, instalacion, performancë e fotografisë, skulpturë vizatim etj. Një mënyrë e tregimit të rrëfimit, që artistët e përdorin për të trajtuar artistikisht dukuritë e ndryshme sociale.

sislej xhafa _Padiglione Clandestino_ _ performance - bienale of venice 1997

Megjithatë veprat e Xhafës duket sikur janë ftesë për debat, që të tërheqin në “konflikt”, qoftë si rezultat i kohës, realitetit apo rrethanave në të cilat ai krijon. “Arti pa dyshim është një pyetje. Arti nuk mund të ndryshojë asgjë në realitet, por papunësia, emigrimi i imponuar, korrupsioni etj. Këto janë provokime. Arti im është i ëmbël dhe  unë jam gjithmonë i pafajshëm.” – nënvizon Xhafa.

Ndërkaq në prezantimet e tij të shumta ajo që është evidentuar ka qenë vepra “Barka”, ku shumë menduan dhe e lidhën atë me jetën e tij private, si një nga emigrantët e shumtë shqiptarë, ndërsa sot kjo është kthyer në temë aktuale si sfidë, ndër më të mëdhatë botërore. E për artistin çdo vepër është një histori më vete, që sjellë para të tjerëve atë rrëfim apo histori me prekjen artistike. “Çdo  vepër  është   një përvojë, një udhëtim dhe  secila  e ka biografinë e vet. Barka është  pjesë  e realitetit te dhembshëm.  Hulumtimet sociale, politike dhe ekonomike  në përgjithësi pasojat reale dhe konceptuale, që rrjedhin nga marrëdhëniet e tyre komplekse, kanë qenë prej vitesh në qendër të hulumtimit  tim artistik.”

Rocket Ship 2011 Wheelbarrow, red light strings Courtesy GALLERIA CONTINUA, San Gimignano / Beijing / Les Moulins ph. Rémi Lavalle
Rocket Ship 2011, Wheelbarrow, red light strings Courtesy GALLERIA CONTINUA, San Gimignano / Beijing / Les Moulins ph. Rémi Lavalle.

Megjithatë shumë prej nesh duke e ditur se Sislej është i biri i artistit tonë të shquar, Xhevdet Xhafa, nuk mund të mos paragjykojmë dhe të krijojmë një lloj lidhjeje në mes veprave të tij dhe të të atit. Dhe nuk gabohemi pasi shumë fëmijë artistësh aty e kanë zanafillën e tërë krijimtarisë së tyre. “Prezenca e Xhevdet Xhafës  është  inspirim i krijimtarisë dhe jetës  sime  në përgjithësi. Ai nuk është vetëm prind,  por një artist që nuk bënë kompromise dhe një artist me një qëndrim të  jashtëzakonshëm.”,-nënvizon Xhafa. Ndërsa në lidhje me mediumin më me ndikim aktualisht, ai thotë se më e rëndësishme është mënyra apo fakti që artisti duhet të jetë i lidhur, i angazhuar dhe se arti është gjithmonë një përvojë personale e irracionale. “Ajo përvojë që shkon deri në një ndjeshmëri, që unë nuk jam i vetëdijshëm, atëherë mund të thuhet se ia ke arritur qëllimit. Roli i artistit ne shoqëri është të bëjë art të mirë dhe të freskët. Artisti jep vizionin e shoqërisë për të ardhmen dhe krijojnë tendenca të reja me ane të irracionalitetit.”,shprehet artisti, i cili vë në pah faktin se edhe në Kosovë ka artistë të cilët krijojnë dhe janë të shkëlqyeshëm, e veçanërisht artistët e rinj, të cilët duhet të kenë uri intelektuale të vazhdueshme si nevojë për konfrontim kritik të shëndoshë.

 

admin

Artikujt e tjetrë