Kulturë

Aktrimi s’njeh kufij, gjithmonë të sfidon

Doresa Rexha është aktorja jonë e talentuar, e cila rrugën drejt artit të mirëfilltë  e“shtron” me përkushtim dhe pasion, vlera dhe dashuri pafund, në mënyrë që jo vetëm të arrijë synimet e saj, por edhe të kontribuojë në botën e teatrit dhe kinemasë.

Foto: Shenoll Zehri

 Na flisni pak për veten tuaj, kush jeni, çfarë keni studiuar?

Jam fëmija i parë, e lindur më 27 Nëntor, ditë kjo që  i parapriu gëzimit të festes së Flamurit në familjen time. Ndërsa kur dua ta përkufizoj veten, më duhet të theksoj se gjithmonë më  ka pëlqyer vallëzimi. Ndoshta edhe pse Gjakova njihet për harmoninë dhe pasionin për muzikën. Lidhjen time të parë me artin e kam pasur pikërisht me vallëzimin. Gjithmonë ka qenë dhe do të jetë një prej pasioneve të mia më të mëdha. Çdo lëvizje në vallëzim dhe përjetimin që më dhuron, më largon nga të gjitha ngarkesat ditore. Si vajzë e vogël dhe shumë energjike e shihja veten si një siluetë që lëvizë me çdo ndryshim të ritmeve të muzikës. Ndoshta kjo edhe është arsyeja që ndikoi në fillimin e rrugëtimit tim profesional, si valltare në trupën e baletit të RTV 21. Duhet ta them se asnjëherë nuk më ka shkuar mendja për aktrimin, madje as nuk e kam ditur që kam prirje për aktrim. Deri në momentin kur fillova të jem aktive në shfaqje të ndryshme, gjatë shkollës së mesme. Pas shkollës së mesme kam pauzuar një vit në mënyrë që të reflektoj se ku e shoh veten në të ardhmen, derisa e gjeta veten duke aplikuar në Fakultetin e Arteve në UP, ku dhe për fat të mirë u pranova. Përgjatë studimeve e kuptova se aktrimi plotëson karakterin tim prej një vajzeje që gjithmonë është në kërkim të diçkaje të re që të mos i lërë vend boshllëqeve. Rol të rëndësishëm ka luajtur edhe profesoresha dhe artistja e madhe, Ilire Vinca, e cila gjatë studimeve nuk ka kursyer asgjë nga vetja për ne studentët. Poashtu gjatë studimeve kam pasur fatin të punoj edhe në filmin e fundit të regjisorit Isa Qosja “Tri dritare dhe një varje” që ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme për mua dhe në të njëjtën kohë shumë sfiduese, pasi që isha ende në vitin e  dyte në fakultet. Pas përfundimit të studimeve, u përmbusha vetëm profesionalisht, me një arritje akademike, pasi aktrimi nuk njeh kufij dhe gjithmonë të sfidon në rruge të reja.

Prej kohesh merreni edhe me fotografi, modelizem, a është një pasion i juaji?

Një ndër pasionet e mia që e bej me ëndje ndër vite, është pasioni për fotografinë dhe të qënit personazh i fotografeve. Sepse seç ka një gjë mitike rreth fotografisë, tregon shumë për njeriun dhe asnjëherë nuk mund të gënjesh në ndjenjat që i bart derisa je para objektivit të aparatit. Fotot që janë pjesë e këtij artikull, janë nga fotosesioni i fundit me fotografin Shenoll Zehri. Më duhet t’a cek që puna me Shenollin, është fantastike pasi që është një profesionist i vërtetë.

Ndërkohë ju me profesion jeni aktore, na flisni pak për angazhimet tuaja?

Pasi që përfundoi viti 2016, nuk mund ta lë pa e përmendur që ka qenë viti im. Pasi u angazhova në serialin “Kafeneja Jone” në rolin e Fionës.  Është një eksperiencë fantastike, ekipi është me një energji të paparë dhe audienca e ka pritur shumë mirë. Poashtu kam qenë  pjesë e dy filmave.  Ndërsa shpresoj që edhe këtë vit të jem e përfshirë në disa projekte filmike për të cilat jam në bisedime.  Megjithatë kur njeriu punon, gjithmonë kërkon edhe më tepër nga vetja dhe është në kërkim të sukseseve të radhës.  Faleminderit që këtë pyetje ma bëni tani, sepse po të ishte menjëherë pas përfundimit të studimeve, atëherë përgjigja me siguri do të ishte me përmbajtje të zhgënjimit, sepse siç dihet është faza e “mini depresionit”.

Cili është aktori/aktorja juaj e preferuar dhe pse?

Uhhh kam shumë. Dihet që Al Pacino, Jack Nicholson, Robert De Niro, , Tom Hanks, Meryl Streep, Tom Hardy e shumë e shumë të tjerë. Po thjesht këta janë vet arti.

Si do ta përkufizonit gjendjen e artit dhe artistit në vendin tonë?

Nëse e shikojmë nga ana pozitive, artistët kanë shumë ambicie, vullnet, dhe gjithmonë të gatshëm për më tepër pa marrë parasysh rrethanat nëpër të cilat po kalojmë. Mirëpo siç e dimë zhvillimi i artit në Kosovë është një rrugë shumë e vështirë, e mundimshme dhe me shumë sfida. Në këtë mënyrë artistët për të mbijetuar duhet të jenë të angazhuar edhe me punë të tjera.  Por është e çuditshme se sa do ngarkesa që kemi nga punët, pasioni për artin na mban gjithmonë me shpresën që e ardhmja do të na gjejë të angazhuar me orar të plotë për të kontribuar për artin.

 Së fundi cilat janë ambiciet tuaja dhe projektet për të ardhmen?

Ambicie e imja mbetet angazhimi i të qënit aktore që mbart vlera. Dhe pikërisht për këtë jam duke punuar çdo ditë dhe me shumë energji dhe iniciativë, që të përpiqem t’i arrij të gjitha qëllimet që ia kam caktuar vetes. Nuk po them që të jem shembull për të tjerët, por duke ndjekur shembullin e punës së artistëve të mëdhenj, të bëhem një prej tyre. Është më e rëndësishme të punosh me vetveten se sa ta vetekënaqesh veten me fjalë.

admin

Artikujt e tjetrë