Lifestyle

Për një lëkurë të shëndetshme

Të gjithë duan t’i kushtojnë një vëmendje më të veçantë pamjes së tyre, por duhet ta dinë ta bëjnë këtë vetëm te profesionistët. Në këtë numër të Flatrës ju sjellim profilin e Burbuqe Kika Maliqi, e cila përveç pasionit për estetikë, do ju motivojë për të ndërmarrë një udhëtim në botën e bukurisë dhe masazheve aromatike.

Na mirëpret në sallonin e saj me emrin “B Beauty” që gjindet në Bregun e Diellit i cili të ofron menjëherë qetësinë dhe intimitetin që të duhet. I kuruar me shumë kujdes, Burbuqja tregon, se ky është edhe qëllimi që të gjithë të ndjehen shumë komod, të jetë një oazë qetësie. Me një përgatitje të plotë, e rafinuar, e kujdesshme dhe shumë profesionale, tashmë ajo  ka disa vite në industrinë e bukurisë, duke iu përgjigjur nevojave të klientëve. “Kam kryer shumë studime dhe trajnime gjatë qëndrimit tim në Londër në fillim të viteve 90-ta, së pari me idenë që të marr edukim personal meqenëse në atë kohë tek ne pak njihej dhe aplikohej  ky profesion, më pas punova në një qendër klinike estetike, ku fitova një praktike profesionale mbi punën, por mbi të gjitha mbi qasjen dhe kujdesin ndaj klientit, e cila zgjoi një pasion për profesionin. Është kënaqësi të besh një grua të duket bukur e të ndihet mrekullueshëm të kthehet prapë për trajtimin e radhës me të gjitha fjalët pozitive po edhe sugjerimet për përmirësim në  punën që ke bërë. Të rritë dëshirën dhe entuziazmin, si dhe të shtyn të studiosh çdo dite për të performuar sa më mirë.”- tregon Burbuqja.

Ajo çfarë e bën të veçantë këtë sallon estetik janë shërbimet që ofron, duke nisur nga masazhi aromaterapi, si formë e balancit dhe harmonisë së mendjes dhe trupit, trajtimi specifik i fytyrës, pa harruar manikyrin dhe pedikur spa, depilim dhe epilim (elektrolize) ngjyrosje të vetullave dhe qerpikëve për një pamje të balancuar, grim diskret e natyral për raste të veçanta, të gjitha ofrohen me profesionalizëm dhe kujdes në këtë qendër.  Burbuqja mundohet çdoherë që shërbimi në dhomën e trajtimeve të jetë i dizajnuar për klientin, gjithnjë duke e shoqëruar me këshilla të drejta për rregullat dhe rëndësinë e kujdesit për lëkurën në shtëpi.

SONY DSC

Ndërsa prej vitesh është pjesë e së bukurës, por mbi të gjitha asaj natyrale, dhe jo ndërhyrjeve shpesh të tepruara kirurgjike. “Gjithsesi është një trend i madh i ndërhyrjeve me qëllime estetike, çdo grua dëshiron të duket më e re, më e bukur, më e buzëqeshur dhe ta mund plakjen. Unë mendoj që si edhe çdo vendim mbi trupin dhe dukjen e personit i takon vetëm atij. Shpresoj që kushdo, që vendos të bëj një trajtim të tillë të jetë i moshës që mund të marrë vendime të drejta e jo të çastit. Paraprakisht të konsultohet me personin profesional në atë lëmi dhe të shoh punën dhe përvojën paraprake të tij. Mos të harrojmë për asnjë çast që dëmet që bëhen nga trajtime joadekuate e  joprofesionale janë të pakthyeshme dhe pak të përmirësueshme. Personalisht anoj nga natyralja dhe mendoj që ka mjaft trajtime joinvazive anti rrudhë që do të ndihmonin në një dukje të freskët të fytyrës.”- shprehet ajo.

Por sa i rëndësishëm është kujdesi ndaj lëkurës dhe fytyrës në veçanti për të pasur mbi të gjitha një lëkurë të pastër dhe të freskët?! “Trajtimi i rregullt i fytyrës ka një rezultat të dukshëm. Fytyra do të duket më e pastër, më e rigjeneruar, më e ndritshme dhe duke mos harruar që i tërë procesi është mjaft relaksues. Mendoj se qëndrimi në një ambient të qetë me tinguj dhe aroma natyrale i përcjellë me masazhe të fytyrës si pjesë e trajtimit për sado pak kohë  të ndihmon në mirëqenien e trupit dhe mendjes. Reflektim i mirë në balancin e jetës së përditshme të një gruaje. E meqenëse jemi në stinën e pranverës na lejohet të kalojmë në përdorimin e kremave hidratuese dhe serumeve më të lehta në përmbajtje, por duke mos e harruar aplikimin e faktorit mbrojtës të spektrit të gjerë me mbrojtje nga rrezet UV, i  cili duhet theksuar se është më i rëndësishëm të përdoret çdo ditë të vitit.”- përfundon Burbuqja.

admin

Artikujt e tjetrë