Kulturë

Aty ku realizohen dëshirat

Artcraftgallery, aty ku të zakonshmes i jepet prekja artistike. Një minigaleri, që na dhuron ndjenjën e pafundësisë së dëshirave ashtu si vet arti. Në këtë hapësirë të këndshme punon me shumë pasion e përkushtim, artistja jonë Vlora Hajdini Hajrullahu bashkë me bashkëshortin e saj fotografin, Afrim Hajrullahu.

Idetë e artistes shkrihen dhe materializohen me mjaft mjeshtëri në objektet të cilave u jep një prekje të personalizuar të frymës së saj artistike. Vlora tregon se krahas aktiviteteve të saj si artiste e pikturës dhe e mediumeve të tjera artistike, kjo minigaleri është një pasion tjetër që e ka menduar gjithnjë ta vë në funksion. Përveç pikturës dhe prezantimeve ne galeri të ndryshme me piktura dhe media të tjera, një specialitet mjaft i dashur për mua dhe që e punoj me mjaft pasion është dekorimi punëdore i objekteve te ndryshme, të cilat kanë funksione të ndryshme në jetën e përditshme. Kjo punë e imja ka vazhduar gjithmonë krahas pikturës dhe prezantimeve të mia në galeri të ndryshme. Përderisa punimet e mia pëlqeheshin dhe kisha një klientelë të caktuar, atëherë vendosa që këto punime t’i ekspozoj dhe njëkohësisht t’i shes në dyqanin galeri ArtCraftGallery. Galerinë e kam hapur bashkë me burrin tim dh e menaxhojmë së bashku.”

image2

Një dyqan ku mund të gjeni gjithçka nëse kërkoni dhuratë të vecantë për njerëzit e zemrës, por pse jo edhe për veten tuaj. Vlora tregon se kjo galeri që ndodhet afër qendrës së kryeqytetit, mbanë krijime nga më të ndryshmet, të cilat janë të veçanta, origjinale, të punuara me mjaft kujdes dhe dashuri. Piktura, fotografi, kutia nga  druri të pikturuara, enë nga druri dhe qeramika, vazo, çanta  dhe gjithçka tjetër po kaq të veçantë. Që të gjitha këto i gjejmë të realizuara dhe pikturuara punëdore, e që mbushin raftet dhe muret e galerisë. Megjithatë si ndërthuret arti me pjesën komerciale?

IMG_3447

“Si çdo profesion tjetër edhe arti duhet të shërbejë si mundësi për të fituar të ardhura financiare. Nëse arti mund të quhet profesion, kjo dilemë ka ekzistuar gjithmonë dhe vazhdon të jetë e pazgjidhur. Si çdo talent për një profesion të caktuar edhe arti është talent dhe për këtë lloj zanati, pastaj  krejt varet se si mund ta shfrytëzosh talentin tënd për shprehje figurative, ngjyra, forma etj., dhe të përshtatesh në kohë për të fituar nga puna që bënë. Këtë mënyrë e kam praktikuar gjithmonë. Jam adhuruese e dekorit shtëpiak dhe dizajnit të enterierit në përgjithësi, andaj artit tim i kam dhënë edhe këtë drejtim. Tani për tani jam duke punuar vetëm, por,  së shpejti do të kem ekipin me të cilin bashkëpunoj për të krijuar një kompani të punëdoreve të artit bashkëkohor ArtCraft Club.”

Vlora thotë se njerëzit i vlerësojnë shumë produktet që ofron dyqani i saj. Kur ata dëshirojnë një dhuratë për më të dashurit e tyre tani më e kanë mësuar vendin e duhur. Ka zgjedhje pothuajse për të gjitha moshat. Klientët e Artcraftgallery  janë  mjaft të kënaqur kur gjejnë gjëra, të cilat nuk mund t’i hasin në asnjë dyqan tjetër e sidomos kur e kuptojnë që këto produkte arti janë  “unique”. Ndihen shumë të lumtur për dhuratën e përzgjedhur ku gjithmonë e kanë ndihmën e Vlorës. Ne ArtCraftGallery gjithmonë ka diçka të re pothuajse çdo ditë dhe kjo të nxit ta frekuentosh sa më shpesh atë. Përveç kësaj minigalerie të bukur, Vlora tregon se ka para vetes plane të tjera sa i përket profesionit të saj.

“Tani për tani fokusi im është në galerinë time, me të cilën duhet të merrem shumicën e kohës, por ndërkohë kam edhe plane për vitin 2018, për një prezantim në një media krejt të re. Tema dhe media e artit me të cilën punoj për tu prezantuar para publikut në ndonjërën nga galeritë institucionale, njëherë është në fazën eksperimentale, por do ta bej publike në momentin e duhur.”-nënvizon Vlora derisa fokusi i saj aktual mbetet ArtCraftGallery si dhe “mini kompania” siç e quan ajo ArtCraftCLUB , që është në fazën fillestare të themelimit dhe ka të bëjë me mbledhjen e artistëve/ dizajnerëve, të cilët punojnë me punëdore me vlera artistike bashkëkohore, të cilëve u ofrohet hapësira dhe materiali për punë, për të krijuar artin e tyre në mënyrë ekipore dhe si kompani të prezantohen në ekspozita dhe panaire të artit në vend, rajon dhe më gjerë.

admin

Artikujt e tjetrë