Kulturë

Zëri i ri i skenës shqiptare

Një artist si Lis Asllanaj nuk e takojmë çdo ditë. I dashuruar në muzikë që në moshë të re, basist i grupit Fullstop, tip që flet shumë, që ngacmon të gjithë pa përjashtim, i pasionuar pas basketbollit dhe së fundi ka gjetur një hobi krejtësisht tjetër, shahun dhe duket se ka filluar ta praktikojë me shumë seriozitet.

Një i ri multitalent, energjik, me humor të mirë dhe tashmë të gjithëve na ka bërë për vete, që kur është ngjitur në skenën e madhe të talenteve “The Voice of Albania”. Me një vokal të mrekullueshëm Lisi bëri për vete edhe anëtarët e jurisë dhe ky është vetëm fillimi i rrugëtimit të tij në muzikë. Ai tregon në Flatra se ka lindur me muzikën, duke qenë se i përket një familjeje artistësh të pasionuar pas muzikës dhe pas eksperimenteve me grupe të ndryshme muzikore, vendosi ta sprovojë veten edhe në një event të tillë garues, për të marr dritën e gjelbër edhe nga juria e përbërë prej artistëve të njohur shqiptarë.

Të jesh i rrethuar nga njerëz, që merren me muzikë do të thotë të merresh me muzikën që nga lindja. Kujtimi im i parë në lidhje me këtë profesion është kur e shihja nënën time të luante në piano, e mbaj mend që dëshiroja shumë që ta imitoja atë dhe prisja deri sa e përfundonte pjesën e ushtrimeve, në mënyrë që t’ia zija vendin dhe tentoja ta imitoja të njëjtën skenë. Megjithatë nuk më kujtohet ndonjë moment tjetër në jetim time ku nuk kam qenë aktiv në muzikë.”,- tregon Lisi, i cili është spikatur që në vegjëli për talentin e trashëguar dhe vokalin e veçantë, që e karakterizon dhe ashtu si çdo fëmijë që ka ëndrra edhe për të kjo  është një ëndërr e kamotshme, që tashmë veçse ka filluar të realizohet dhe atë me një sukses të jashtëzakonshëm.  Por çfarë do të thotë për të rinjtë të cilët ëndrrat e tyre duan t’i realizojnë në The Voice? Për Lisin kjo përvojë ishte shumë e bukur, nga e cila ka mësuar shumë dhe gjithashtu është sfiduar për të dhënë më të mirën nga vetja.

“Pjesëmarrja në  eventin e talenteve, The Voice, është diçka që duhet ta marr me shumë kujdes dhe vëmendje. Është një prej eksperiencave më të bukura, që  kam përjetuar ndonjëherë në jetën time. Megjithatë kjo vjen me shumë stres dhe lodhje, kam pasur raste të takoj njerëz të paharrueshëm, kam mësuar disa gjëra, që kam  për t’i kujtuar deri në fund të jetës.“

 

Sot është shumë e rëndësishme dhe gjithashtu e vështirë të krijosh një stil, një identitet diçka që të veçon nga të tjerët. Edhe për Lisin kjo është një gjë shumë e rëndësishme dhe që patjetër duhet kultivuar nga artistët që duan të sjellin vlera tek publiku.

“Stili edhe identiteti janë  dy prej gjërave  më të rëndësishme për një muzicient. Sipas mendimit tim është diçka që mundohen krejt artistët botëror ta arrijnë, një stil apo një identitet unik, diçka që i bënë ndryshe nga të tjerët dhe që i dallon nga pjesa tjetër e artistëve.  Unë  i kom ngjyrosur flokët me vite para The Voice-it, edhe shpesh kur shkoja në shkollë praktikoja shallvaret që i kisha në Blind Audition.”

Por çfarë e frymëzon artistin tonë dhe cilët janë disa nga personalitetet, që kanë ndikuar në formimin e tij artistik? Lisi thotë se një gjë e tillë nuk është aq e lehtë, sepse ka shumë artistë e personalitete që i kanë trasuar rrugën e artit.

“Mund të veçoj këtu dy bendet më të mira, Red Hot Chili Peppers edhe Vulfpeck, që më kanë frymëzuar më së shumti dhe janë bende që mua ma kanë ndryshuar pikëpamjen për muzikën moderne. Me qenë se kam studiuar muzikë kam edhe shumë kompozitorë, qe më kanë frymëzuar, si për shembull Franz Liszti, George Gershwin, Claude Debussy etj etj.
Influencën më të madhe e kam marr nga Red Hot Chili Peppers, në fakt tattoo’n e parë që e kam bërë ka qenë simboli (logo) i bendit. Përveç këtyre, për songwritting më ka inspiruar më së shumti John Mayer.” 

admin

Artikujt e tjetrë