Kulturë

Trashëgimia kulturore, kujtesa e identitetit

Trashëgimia kulturore materiale dhe jomateriale, njohuritë dhe të kuptuarit të cilat janë transmetuar nga brezi në brez  na kanë ofruar një ndjenjë të identitetit dhe vazhdimësisë, për të inkurajuar te ne respektimin e diversitetit kulturor, krijimtarisë njerëzore, zhvillimin e qëndrueshëm. Kosova ka një trashëgimi të çmuar dhe të pakrahasueshme në aspektin historik dhe kulturor, e cila, në qoftë se do të shfrytëzohej siç duhet, mund të jetë një motor i zhvillimit ekonomik në vend.  Për fat të keq jo gjithmonë dhe kudo mbizotëron logjika. Shpesh, këto pasuri dhe vlera janë braktisur në fatkeqësitë e kohës, ose, në të mirë, ata përbëjnë një kosto që, në kohë krizash, është e gjithnjë e vështirë për tu justifikuar. Sali Shoshi, drejtori i  zyrës së CHwB-së në Flatra, për gjendjen aktuale të trashëgimisë kulturore në Kosovë, sfidat dhe iniciativat që po ndërmerren në këtë fushë.

Cila është gjendja e trashëgimisë kulturore në Kosovë?

Gjendja nuk është e mirë, nuk ka përmirësime të mëdha gjatë këtyre viteve, jemi 18 vjet pas lufte dhe ende nuk kemi një sistem funksional të menaxhimit të trashëgimisë kulturë, dhe këtu nënkuptoj një sistem ku institucionet ndërveprojnë. Sepse trashëgimia kulturore është shumë më e gjerë sesa një ndërtesë apo objekt diku, kjo është vetëm pjesa që shihet, preket, por ka edhe pjesën shpirtërore të saj, për të cilën duhet të punohet shumë. Sot ne i rrisim fëmijët larg kësaj trashëgimie kulturore, duke bërë qendra tregtare destinacion për ta, kjo për vet faktin sepse nuk kemi shumë vende ku t’i çojmë. Muzetë tona kanë një ekspozitë të përhershme, e cila nuk ndërron kurrë, vendet arkeologjike, përjashto Ulpianën, nuk janë të hapura, pra me fjalë tjera jo vetëm aspekti fizik, por edhe përmbajtjesor i trashëgimisë kulturore në Kosovë është në gjendje të keqe.  Ndërsa shembujt e ndryshëm nëpër botë na tregojnë sesa interaktive, e qasshme duhet të jetë trashëgimia kulturore me qytetarin.

Ju si institucion  ku jeni më shumë të orientuar?

Ne si “Trashëgimi kulturore pa kufij” kemi tri shtylla strategji, mbi bazat e të cilave funksionojmë. Shtylla e parë, është trashëgimia kulturore si e drejtë e individit, në atë frymë po mundohemi tu krijojmë mundësi grupeve të ndryshme shoqërore, të marrin pjesë në vendimmarrje. Shembull korrekt kemi punimet në Kalanë e Prizrenit, aty po mundohemi t’i japim mundësi shoqërisë civile të thotë fjalën e saj. Kemi krijuar një mekanizëm nëpërmjet të cilit çkado që punohet në Kalanë e Prizrenit ,të kalojë nëpër një proces të konsultimeve, ku shoqëria civile e ka fjalën e vet, dhe i gjithë ky proces mbyllet me planin e menaxhimit, i cili përfshin krejt elementet së bashku me kontributin e shoqërisë civile. Një tjetër shembull në këtë aspekt është edhe mundësia që i kemi dhënë publikut për të raportuar për gjendjen e trashëgimisë  në terren, sepse gjithmonë i kemi marrë të dhënat nga institucionet., por kurrë nga publiku. Kemi krijuar një platformë “Trashëgimia në rrezik”  ku njerëzit kanë mundësi të raportojnë gjendjen, objektet që janë në rrezik. Pra shtylla e parë përfshinë këtë urë komunikimi mes trashëgimisë dhe qytetarit, shoqërisë civile për të qenë më afër në këtë fushë. Shtylla e dytë, është trashëgimia kulturore si shtysë për zhvillim ekonomik lokal. Pra trashëgimia kulturore të shërbej si burim të të ardhurave në komuna të ndryshme në Kosovë, shndërrimi në një instrument për të hapur edhe vende pune, për të implementuar ide kreative.  Shtylla e tretë e organizatës CHwB, e saposhndërruar në organizatë lokale, kemi nevojë të forcojmë kapacitetet tona, kështu trajnimet dhe specializimet për stafin tonë në lëmi të ndryshme të trashëgimisë kulturore po intensifikohen. Pra, trashëgimia kulturore nuk është qëllim në vetvete, por shërben për të rritur komunikimin me qytetarin apo edhe për të zhvilluar ekonominë në vend.

Kullat dikur shërbenin si “relikte” nga e shkuara, sot falë disa iniciativave kryesisht personale po kthehen në funksionale, a e dëmton kjo në vetvete trashëgiminë?

Në fakt ky është një problem global, sepse ekziston një përplasje në këto iniciativa, kur një ndërtesë humbet përmbajtjen origjinale të tij. Ndërkohë është sfidë për ta ruajtur dhe mbrojtur autenticitetin dhe vlerat e saj. Përvoja e vendeve të tjera na tregon se rifunksionalizimi i tyre duhet të jetë në përputhje me veprimtarinë e dikurshme të asaj ndërtese apo objekti. Për shembull, kthimi i kullave në restorante apo bujtina, duhet të ruajnë pikërisht ato elemente që e kanë karakterizuar dikur, si mikpritja.

 Duket se dy sfida kryesore kemi sot për trashëgiminë, e para është UNESCO dhe e dyta, dëmtimi i tyre në mënyrë të pariparueshme?

Së pari, më lejoni, të flas për rrezikun e trashëgimisë kulturore, e cila kërcënohet më shumë nga industria e ndërtimit. Është evidentuar që në vend të objekteve të caktuara janë ndërtuar rrokaqiej, duke humbur përgjithmonë vlerën dhe rëndësinë e atij objekti. Qëllimi i palës ndërtuese është gjithmonë fitimi, por shteti është ai që rregullon këtë marrëdhënie, mes investitorëve dhe palëve tjera. Këtu mungon roli i shtetit, i cili e balancon, që në momentin kur krijohet një precedent e ndëshkon, e parandalon. Nuk ka asnjë vendim gjykate që i ka dënuar njerëzit që shkaktojnë këto dëme, përveç një dënimi qesharak disa vite më parë, kur dikush u dënua me një gjobë prej 50 euro, dhe ky është një precedent, i cili i inkurajon investitorët. Ruajtja e të shkuarës, rrugës ku kemi mbërritur sot është identitet ndaj kërkon edhe një dorë të hekurt nga shteti. Sa i përket UNESCO, por së pari është një problem ndërkombëtar, kemi një polarizim të dy poleve, Serbia nëpërmjet Rusisë, Kosova me mbështetjen e miqve të saj. Pastaj kemi shtete si Japonia, Polonia dhe Koreja e Jugut që kanë votuar kundër sepse kanë vlerësuar se situata e trashëgimisë në Kosovë nuk është e mirë dhe duhet të punohet ende më shumë. Që deri diku jam dakord që situata në Kosovë duhet të ndryshojë jo për hir të Kosovës, por vet këtij segmenti dhe në momentin kur krijomë standard, mekanizma atëherë do të jemi në UNESCO. E rëndësishme është ta ruajmë, mbrojmë dhe përmirësojmë gjendjen e trashëgimisë kulturore në vend, mandej kur të jetë momenti qoftë gjeopolitik do të ndodhë.

 Sipas jush cila do të ishte lista për në UNESCO?

Sigurisht që ka shumë, por këtu vlen të përmend lokalitetin arkeologjik të Ulpianës, një trashëgimi dardane e kohës romake, qendra e Prizrenit, me të gjithë atë diversitet kulturash që e karakterizon. Monumentet ortodokse, të cilat janë në listën e UNESCO-s janë trashëgimi e Kosovës, pjesë e kujtesës sonë edhe pse sot shihet vetëm në kontekstin fetar.  Kullat gjithashtu janë një atraksion dhe shumë unik i vendit, Eposi i Kreshnikëve, për të cilin është punuar shumë kohët e fundit. Në fakt institucionet e trashëgimisë kulturore në Kosovë nuk po merren me pjesën shpirtërore, por vetëm me objekte, atë që duket.

Cilat janë planet e CHwB për 2017?

Një nga planet më afatgjate dhe ambicioze të Trashëgimi pa kufij, është ta skanojmë gjithë Kosovën, të gjitha monumentet, t’i listojmë dhe më pas ti identifikojmë nga afër të gjitha, ku ndodhen dhe në çfarë gjendje janë. Çfarë potenciali kanë pronarët e tyre, kërkesat, shfrytëzimi i atyre objekteve etj. Falë këtij hulumtimi kemi dalë me një pasqyrë dhe produkte  që i ndihmojnë shumë situatës në vend, vetëm në platformën Trashëgimia në rrezik janë listuar rreth 150 ndërtesa, të cilat janë në rrezik. Pra me një fjalë, të jemi monitoruesi i trashëgimisë në Kosovë dhe sa herë që është në rrezik ta ngremë zërin për mbrojtjen e tyre.

admin

Artikujt e tjetrë