Gruaja

Të gjithë përfitojmë nga feminizmi

Feminizmi është feminizëm nëse i përfshinë krejt shtresat e shoqërisë dhe, jo vetëm, shtresën borgjeze në një kryeqytet të një shteti.

 

Nga Jonida Balla

Elona Kastrati u bë e famshme brenda pak orësh, pasi ajo kishte vendosur disa peceta sanitare, të cilat përmbanin deklarata feministe në hapësirat publike të një qyteti gjerman, pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Këto peceta përmbanin mbishkrime si: “Imagjinoni sikur burrat të neveriteshin nga përdhunimi ashtu siç neveriten nga menstruacionet.” Atëkohë Elona ishte një 19 vjeçare, që kishte përfunduar shkollimin e mesëm dhe erdhi me një ide origjinale, duke mbuluar qytetin gjerman Karlsruhe me peceta. Ajo gjithashtu kishte realizuar disa fotografi dhe i kishte postuar në rrjetet sociale me mbishkrimin  #padsagainstsexism me 8 Mars në Ditën e Gruas, për të provokuar dhe nxitur publikun me një protestë feministe. Muajt në vijim kishte zënë kryetitujt e mediave botërore si Spiegel, Hugffington Post, BuzzFeed etj., për të vazhduar me fjalimin e esaj në TedxPrishtinaWomen, në lidhje me aktivizimin feminist. Sot pas dy vitesh Elonën e e gjejmë në Kosovë, gjithnjë aktive për të realizuar qëllimin dhe kërkesën për një të mirë të përgjithshme.  Ajo na tregon se përveç kësaj proteste dhe formës me të cilën është shprehur, është gjithashtu e angazhuar në shumë workshope dhe debate të ndryshme për feminizmin. “Peceta, ishte një nga format e mia të protestës, mirëpo nuk është e vetmja. Unë flas shumë në workshope, punë të drejtpërdrejt me njerëz. Aktivizmi nuk ndalet kurrë, gjithnjë vjen momenti që të flas me qytetarët dhe të kem mundësi tu tregoj e të flas sa më shumë për çështjen e feminizmit, pasi ky i fundit është një betejë e përditshme.”

elona

Kur flitet për feminizmin hasim në stereotipa, që e konsiderojnë atë si mendim apo akt radikal, megjithatë feminizmi mbështetë idenë se i vetmi nocion radikal në lëvizjet feministe është se gratë duhet të gëzojnë të drejta sikurse burrat, të konsiderohen si qenie me të drejta dhe përgjegjësi të barabarta. Shoqëria jonë ende e ka të vështirë të bëjë proges në këtë drejtim dhe të jesh aktiviste e kësaj çështjeje është sfidë dhe përballje e përditshme me keqkuptime, paragjykime e padrejtësi të vazhdueshme, pothuajse në të gjithë segmentet e jetës.

Elona thotë se mënyra e protestimit në formën, që ka përzgjedhur ajo ishte diçka që erdhi spontanisht dhe nuk kishte të bënte me asnjë plan konkret për materializimin e idesë. “Nuk kisha bërë shumë plane para se të dilja në qytet, thjesht doja ta provokoja masën. Kam menduar dhe vazhdoj të mendoj se pecetat dhe të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me ciklin menstrual, edukatën për trupin e njeriut-sex education, janë tema që nuk diskutohen e nuk mësohen në shkolla edhe pse janë shumë të rëndësishme. Ndërsa në lidhje me barazinë gjinore është diçka që ka të bëjë me mënyrën e jetesës, se si të jetohet pa u paragjykuar në bazë të gjinisë. Dëshiroj që të trajtohem si qytetare e kësaj shoqërie pa u paragjykuar, nuk ka rëndësi se ku në fshat apo qytet të Kosovës, në cacet e njerëzve intelektual, në ndonjë fshat gjerman apo në Berlin, në tërë botën. Me pas të drejta dhe respekt për atë që bëj ashtu siç ka një burrë në shoqëri. Mendoj që seksizmi është virus që i prek edhe burrat. Një burrë që e ka të ndaluar të qaj apo të shpreh emocionet e veta për shkak të një ideje të krijuar nga patriarkalizmi është diçka që ndikon negativisht në shëndetin mental. Të gjithë përfitojmë nga feminizmi.”

Megjithatë sot duket se më shumë ka nevojë për mundësi të barabarta sesa perceptimin që kemi ne për barazi gjinore. Elona mendon se mundësia e barabartë i përfshinë të gjitha shtresat e diskriminimit, klasat sociale, gjininë, religjionin, përkatësinë etnike etj., dhe nuk mund të thuhet se cili problem është më i rëndësishëm se tjetriNe si shoqëri, si njerëz të kësaj bote, e kemi për detyrë të mbajmë përgjegjësi për të gjitha veprimet tona. Mos me qenë seksizmi, po! Po seksizmi është i internalizuar në shoqëri, kjo do të thotë: edhe nëse secili prej nesh ka mundësi të barabarta, një burrë do ta ketë më të lehtë të fitoj një vend të punës se sa një grua. Pse? Sepse është burrë. Mendoj që vlera më e madhe është ta mbajmë feminizmin intersekcional sic e thash më herët. Feminizmi është feminizëm nëse i përfshinë krejt shtresat e shoqërisë dhe jo vetëm shtresën borgjeze në një kryeqytet të një shteti.”

Ndryshimet sociale pro barazisë gjinore janë fakt, por mendësia vështirë se ndërron. Elona thotë se të ndryshohet një kulturë apo mentalitet, duhet të kalojnë vite e gjenerata. “Kjo do të thotë që ne ndryshojmë gjëra të vogla. Shumë njerëz ndryshojnë diçka më shumë dhe dikur fëmijët tanë rriten në një frymë tjetër nga kjo e jona. Për shkakun tonë, ne e kemi fuqinë, kjo do të thotë se kultura jonë, e ndërtuar nga ne, mund të ndryshohet. Njerëzit e bëjnë kulturën, njerëzit mund ta ndryshojnë atë.  Ne të gjithë kemi diskriminime të internalizuar, nuk mund të rritem në një botë të rrethuar nga patriarkalizmi dhe të them se jam totalisht resilient kundër saj. Është e rëndësishme të flasim me njëri-tjetrin dhe ta dëgjojmë njëri-tjetrin.”

admin

Artikujt e tjetrë