Arte Pamore

S’ka si shpia …e artistit Mehmet Behluli

Arti i Mehmet Behlulit është shprehës dhe i përket atij këndit të preokupimit artistik, ekspresivitetit me anë të gjuhës dhe fuqisë së tij, në këtë kohë ku refugjatët në botë janë kryefjala, artisti me anë të ekspozitës “S’ka si shpia” tërheq një paralelizëm me periudhën e luftës në Kosovë.

Fotografia: Mrinë Godanca

Artisti Mehmet Behluli na solli sërish kujtimet e luftës. “S’ka si shpija” është ekspozita me të cilën u prezantua pikërisht në ditën e Pavarësisë së Kosovës, një datë kjo që kurorëzon përpjekjet shekullore për ndërtimin e një perspektive që s’ishte më parë. Behluli thotë se kjo datë e bënë të ndihet krenar dhe të lumtur dhe ishte momenti më i mirë për të sjellë para audiencës një pjesë të krijimtarisë së tij artistike.“Pse tani dhe pse sot? E caktuam datën e hapjes së ekspozitës, së bashku me Galerinë Kombëtare dhe kuratorin e ekspozitës Lulzim Zeqirin, 17 Shkurtin, ditën e Pavarësisë së Republikës sonë të re e cila mbushi 9 vjet. Kjo datë mua më bënë shumë të lumtur dhe krenarë. Një datë që të gjithë ne na mundëson që edhe ëndrra jonë për një shoqëri më të mirë, të vazhdojë me intensitet më të fuqishëm. S’ka si shpija është ideja bazë, koncepti i ekspozitës. Së bashku me Lulin (kuratorin), si dhe me të tjerë kam provuar, që në bazë të përjetimeve të mia personale, të cilat ngjanë jo shumë më parë, në kohën kur shumica prej nesh ishim në pozitë shumë të vështirë, të ndërtojmë një ekspozitë, e cila sado pak kishte me kontribu në ngritjen e vetëdijes sonë në lidhje me ngjarjet të cilat aktualisht po ngjajnë në botë. Jemi dëshmitarë ku si asnjëherë më parë refugjatët në mbarë botën janë disi jo të mirëpritur dhe kanë keqkuptime e telashe të mëdha.”, –tregon artisti, ndërkaq kjo ekspozitë përmban gjithashtu një pjesë të veprave, që ai i ka realizuar në Sarajevë, gjatë kohës së studimeve atje.

DSC_0500

“E përmenda se jo fort më parë, e gjithë shoqëria kosovare ishte në pozitë shumë të vështirë. Gati një milion qytetarë u dëbuan nga shtëpitë dhe vatrat e tyre! Më shumë se 120 000 shtëpive iu vu zjarri nga forcat e Millosheviqit. Shumë bashkëqytetarë humbën jetën vetëm pse ishin të përkatësisë nacionale tjetër nga xhelatët. Pa pretendime, unë dhe familja ime, jemi ndër ata që gjatë luftës i humbëm të gjitha-shtëpinë. Dhe bashkë me shtëpinë i humbëm memoriet-fotot, lodrat, punimet, librat! Pas luftës, na është dashtë të merremi me rindërtim të asaj që mund të rindërtohej. Gjithashtu edhe Sarajeva dhe populli i saj e ndajnë në njëfarë forme të njëjtin fat ose fatkeqësi si ne. Pasi unë pak para luftës studiova në Sarajevë, pas përfundimit nuk arrita t’i marr punimet, të cilat i punova gjatë tri viteve të studimit. Disa nga punët i solla vetëm para dy vitesh kur e pata një ekspozitë retrospektive në Sarajevë të cilën e emërova “To Sarajevo ëith love”. Edhe ato punime u ekspozuan në ekspozitën në Galerinë tonë. Ato punime për mua janë të vlefshme sepse përjetuan në një farë forme fatin e refugjatëve. Për 25 vite ishin në Sarajevë dhe pluhuri mbi to tregon njëfarë historie sa të çuditshme aq edhe të dhimbshme.”

Ajo çfarë binte në sy në këtë ekspozitë ishin si zhanret e ndryshme, ashtu edhe fazat e krijimtarisë së artistit dhe kjo zgjedhje ishte një mënyrë plotësimi e njëra-tjetrës të veprave të ekspozuara. Megjithatë shpesh herë mund të mendohet se larmia e zhanreve të ndryshme artistike në një vend apo ekspozitë, mund të jetë një formë përplasjeje.

“Ato mund ta plotësojnë njëra- tjetrën?! Arti sot nuk njeh kufi në formë dhe shprehje. Është me rëndësi, që ajo e cila duhet të thënë, të thuhet në mënyrë dhe formë sa më të fuqishme. Artisti sot, zakonisht reagon në fenomene të ndryshme të cilat ngjajnë në rrethin e tij ose më gjerë. Dhe që reagimi të jetë sa më kuptimplotë, ai nuk kufizohet vetëm në një formë shprehëse!”

Arti i Mehmet Behlulit, është shprehës dhe i përket atij këndit të preokupimit artistik, ekspresivitetit me anë të gjuhës dhe fuqisë së tij. Ai nuk është i lidhur vetëm me një medium artistik, duke qenë se njëherë zhvillohet koncepti e pastaj përzgjidhet forma, mënyra, mediumi e gjithçka në funksion të asaj që vepra të reflektojë sa më fuqishëm, për ata që janë të interesuar ta shijojnë atë.  Ndërkaq për artin që po zhvillohet në Kosovë, Behluli thotë se vendi ynë ka kaluar nëpër kohë dhe sisteme politike e ekonomike të ndryshme gjatë historisë së tij.

“Arti në Kosovë fillon dhe zhvillohet prej kohësh, në forma të ndryshme. Ndërsa arti vizuel e ka historinë shumë më të re. Si të thuash, ne jemi bashkëkohanik të themeluesve të artit vizuel te ne. Profesorët tanë, jo më shumë se gjysmë shekulli më parë janë themeluesit dhe promovuesit e artit në Kosovë. Ata kanë merita të jashtëzakonshme për këtë. Unë jam në mesin e atyre artistëve dhe promovuesve të artit bashkëkohor, të cilët e vlerësojnë kontributin e tyre, dhe në të njëjtën kohë angazhohen që Kosovën, artistët e Kosovës t’i afrojnë që ata përfundimisht të jenë pjesë e gjeografive më të gjera artistike. Dhe kjo po ngjanë. Artistët kosovarë janë pjesë e ngjarjeve më të rëndësishme, të cilat organizohen në nivel global. Arti për mua nuk ka kuptim nëse nuk funksionon në nivele më të gjëra se sa që është Kosova. Kudo që prezantohen artistët tanë vlerësohen si shumë specifik, të fuqishëm dhe atraktiv. Kisha pasur dëshirë që edhe institucionet e shtetit tonë, nëpërmjet ministrive përkatëse të bëjnë investime edhe më të mëdha në art dhe kulturë. Investimet në artë dhe kulturë janë investime, të cilat shumëfish i kthehen shoqërisë, sikur që edhe po ndodhë aktualisht. Nëse nuk investojmë dhe krijojmë kushte për një mjedis me kulturë, atëherë definitivisht do t’i lirojmë hapësirë jokulturës, e cila dihet se kah shpie! Ku nuk ka kulturë, ka jokulturë!” 

admin

Artikujt e tjetrë