Lifestyle

Sa “peshon” perfeksioni?!

Beteja e vazhdueshme me imazhin luan me mendjen e gruas në mënyrë të përsëritur,  ka të tilla që shkëputen nga ky cikël i pafund i të paragjykuarit, përshtatjes, megjithatë shumica e grave do të mbesin të ngujuara në rrënjët e kësaj ideologjie, nutricistja Diola Dosti-Baftiu në Flatra për këtë fenomen gjithnjë e në rritje.

Të jesh grua sot është një betejë e vazhdueshme me imazhin dhe dukja luan me mendjen e gruas në mënyrë të përsëritur. Edhe pse ka të tilla që shkëputen nga ky cikël i pafund i të paragjykuarit, përshtatjes, ekzaminimit, rregullimit, spastrimit e akteve të tjera, që kanë të bëjnë me standardet e bukurisë që na imponon shoqëria. Megjithatë shumica e grave do të mbesin të ngujuara në rrënjët e kësaj ideologjie që ka zanafillën që në adoleshencë. Duket se vajzat që në moshë të vogël, fillojnë e shqetësohen për peshën e që shpesh herë mund të rezultojnë me pasoja të theksuara. Sipas nutricistes Diola Dosti-Baftiu ky është një fenomen gjithnjë e në rritje duke përfshirë këtu edhe vendin tonë.

“Sa më të vogla të jenë vajzat, aq më shumë ndikohen pasi formojnë karakterin e tyre më herët, krahasuar me gjeneratat më të vjetra. Kujdesi për trupin, veshjet, dukjen dhe paraqitjen, janë rritur paralel me ekspozimin e shtuar të modeleve ideale në revista, media etj, duke vendosur kritere standarde mbi perfekten. Por këto modele as nuk ngjajnë me veten e tyre, për shkak të kurimit të tepërt, fotoshopit që përdoret etj. Ato në mënyrë direkte japin shembull mbi atë, që duhet të jetë perfekte. Ndërgjegjësimi për ushqimin në vendin tonë është rritur ndjeshëm, duke ndikuar kështu edhe te fëmijët e vegjël, të cilët dashje padashje, shikojnë reagimet e prindërve për reklamimin e të ushqyerit shëndetshëm në media dhe rriten me kulturën e kujdesit ndaj vetes. Konkurrenca në çerdhe apo shkolla, për veshjen më të mirë, më të pastër, më trendi, prek sidomos vajzat e vogla, të cilat nuk konkurrojnë më vetëm për dije, por edhe për kombinimet më të bukura. Filmat vizatimorë janë gjithashtu një ndikim i fuqishëm, pasi personazhet më të dashura janë elegante, fine, me sharm, me klas, kurse personazhet e shëndosha janë kryesisht personazhe negative si Ursula, që simbolizojnë vetitë e këqija.”

Sipas hulumtimeve të ndryshme që bëhen në vend etë ndryshme të botës dhe matësve të ndryshëm nga ekspertë të fushës, pothuajse 70% e grave pohojnë se janë në dietë, se a është trend kjo mënyrë jetese apo vetëdijesim për shëndetin, Diola thotë se vetëdijesimi është rritur dukeshim, por dieta është keqkuptuar apo keqinterpretuar.

“Gjithmonë shpreh faktin që jam kundër dietave, në kuptimin  e dietave të gjetura në internet, të hartuara nga jo profesionistë, pasi kanë efektin ‘yo-yo’, pra kthejnë përsëri kilogramët e humbur pas ndërprerjes së saj. Por jam pro regjimit të shëndetshëm ushqimor. Dieta ushqimore nga shumica mbahet disa muaj dhe ndërpritet duke fituar përsëri  kilogramët e humbur. Regjimi ushqimor i shëndetshëm është ndryshim në stilin e të ushqyerit dhe të të jetuarit. Të mbash një regjim të rregullt ushqimor kërkohet fillimisht vullnet, gatishmëri, ambicie dhe kurajo. Pastaj duhet insistim i vazhdueshëm nëse femra është ushqyer gjatë tërë kohës në mënyrë të çrregullt. Duhen 21 dite që trupi të adaptohet me një regjim të ri ushqimor dhe kur ndodh kjo atëherë është hedhur një hap shumë i rëndësishëm në mënyrën ideale të të ushqyerit.”

Duke qenë se imazhi është një element shumë i fuqishëm, që përfaqëson luftën personale kundër standardeve të shoqërisë dhe kundër “rregullave”, që na diktojnë sesi duket një trup perfekt apo fytyrë e bukur, vazhdon të ndikojë në perceptimin dhe marrjen e gabuar të informatave duke lënë anash faktin më të rëndësishëm që është shëndeti dhe gjithçka që shkon në favor të tij.  Diola na këshillon që ta pranojmë veten dhe mos ta krahasojmë me askënd tjetër, ngase ky është pragu i lumturisë.

“Qëllimi i femrave duhet të jetë, që të jenë më të lumtura dhe më të mira seç ishin dje. Nëse nuk e pranon veten siç je, mos prit të të pranojnë të tjerët. Sot standardet e bukurisë po ndryshojnë përsëri. Pasarelat në mbarë botën po kërkojnë gra të plota. Një femër mund të ketë edhe përmasat ideale, por shpirtgjerësia apo shpirtngushtësia e saj rrezaton ose rrezon figurën reale të saj. Kujdesi për trupin është nevojë e patjetërsueshme, por mos u fiksoni pas përmasave trupore, por fokusohuni pas përmasave ‘trunore’, sepse kur truri është i ‘zgjuar’, bënë zgjedhjen e zgjuar të ushqimeve, të cilat nuk ju cenojnë shëndetin.”

admin

Artikujt e tjetrë