Lifestyle

Pastel, nuancat e Donjeta Maculës

Thjeshtësi, elegancë, sharm, janë tri fjalët, që përshkruajnë koleksionin e ri të dizajneres Donjeta Macula, e cila këtë pranverë troket me ngjyrat pastel, pjesë e personalitetit të saj.  

 Tashmë gjithnjë e më shumë po lë gjurmët e saj në modën që zhvillohet në Kosovë, Donjeta Macula sapo ka prezantuar para publikut një koleksion me rreth 50 veshje, të cilat karakterizoheshin nga eleganca dhe stili unik. Por kjo jo rastësisht… Që në vegjëli, Donjeta ka pasur një lidhje të fortë me artin dhe të bukurën. “Si e vogël isha shumë e interesuar dhe adhuruese e krijimtarisë artistike. Mirëpo jo në sferën e fashion design, po në përgjithësi të artit. Fillova të ndjek shkollën e mesme të Baletit Klasik ku isha një ndër balerinat më të suksesshme të gjeneratës. Pastaj fillova punën në Rtv21 në një emision “Unë jam Top Model” ku mora pjesë si dizajnere/stiliste. Aty të them të drejtën u evidentuan aftësitë e mia në këtë fushë. Po aty u njoha edhe me drejtoreshën e fakultetit ” Evolucion” Enkelejda Shatri, e cila pa tek unë një talent dhe stil të veçantë, dhe së bashku me familjen time më nxitën që të ndjekë studimet në këtë fakultet në drejtimin dizajnit të modës.  Pas studimeve konkurrova për një grant në Ministrinë e Kulturës dhe Rinisë, ku ministri i atëhershëm Memli Krasniqi, kishte ndarë një buxhet për bizneset e reja. Kështu nisën hapat e mi të parë në fushën e modës, kur fillova të punoj dhe zhvilloj idenë time në realitet dhe në boten e modës.”- shprehet dizjanerja. Me hapa të vegjël, por të sigurt ajo filloi të prezantohej te publiku me koleksione dhe një stil që e veçonte. Sot ajo është bërë një emër i njohur dhe i rëndësishëm i modës në vend ndërsa sapo solli një prej koleksioneve më të mëdhenj të karrierës së saj. “Koleksioni Pranverë/ Verë 2017 përmban gjithsej 50 veshje. Ndër to futen: haute couture, ready to wear & wedding dresses. Sa i përket ngjyrave që kam përdorur janë ngjyrat me tendencë të trendit të fundit në mbarë botën e modës. Janë kryesisht ngjyrat pastel, të cilat janë edhe karakteristikë e punës sime. Duke kaluar në ato më të erreta deri te e zeza. Sigurisht që bashkëpunimi im ishte sërish me fotografin shumë të talentuar Endrit Mërtiri, modele Elena Lika, të cilës iu bashkëngjitë edhe një tjetër modele, po ashtu nga Tirana, Ksela Lara. Fakti që janë prezantuar me shumë veshje vendosëm që në disa fotografi të prezantohen të dyja, me modele të ndryshme, por ngjyrë dhe material të njëjtë. Bashkëpunimi tjetër me Kaci Lleshin për flokët dhe grimin Teuta Bajgora. Në ndërkohë kemi realizuar edhe dy video short movie intro / hyrje në koleksion nga Artemis Hajdini po ashtu nga Tirana, i cili ka bërë një pune jashtëzakonisht profesionale. Nuk kanë munguar as stolitë e shtrenjta dhe të harmonizuara me koleksionin tim nga Oliver Ëeber Prishtinë.”- tregon Donjeta Macula. Një dizajnere si ajo sigurisht që ka muza të ndryshme për të hedhur në letër krijimin e radhës dhe më pas për ta materializuar atë, ajo vet pohon se inspirimin e gjen çdo ditë dhe kudo.

“Realisht inspirimi im vjen çdo ditë, nga çdo gjë që më bën të ndihem mirë, po ashtu edhe vetvetja. Faktorët kryesore deshëm apo nuk deshëm janë gjithmonë klientela ime dhe njerëzit që vlerësojnë sensualitetin tim në ekspozimin e punës time dhe në botën e së bukurës.”- përfundon ajo duke shtuar se  tash pesë vjet në këtë profesion dhe mësimet e leksionet e ndryshme profesionale shtohen dita ditës. Investimet në këtë drejtim kanë qenë të shumta dhe i janë shpërblyer në mënyrën më të mirë që një dizejnatore e kërkon. Në çdo etapë dhe sezon ka gjëra të reja dhe sfida të ndryshme ku me përkushtim dhe mund i realizon për të arritur te rezultati i dëshiruar.

admin

Artikujt e tjetrë