Intervista

Në lëkurën e një aktoreje

 “Nëna është frymëzimi im… familja ime. Vet dashuria ndaj aktrimit më frymëzon. Frymëzohem nga veprat e mrekullueshme, ngjarjet e ndryshme dhe suksesi i njerëzve të ditur që unë me kaq dashuri e bëj këtë profesion.”- Molikë Maxhuni në Flatra për jetën dhe karrierën artistike.

Si ishte apo  si jeni ndjerë kur keni interpretuar për herë të parë në skenë?

Kjo pyetje më kthen në fëmijërinë time. Kam qenë një fëmijë shumë hiperaktiv, e hareshme e krijuar më duket për këtë profesion. Më duket edhe kësaj i ka parapri nëna ime, e cila çdo mbrëmje (sa ishim të vogla) ajo mbante orë mësimi me ne, duke na mësuar të recitojmë bukur, të vallëzojmë, këndojmë…Sa gëzoheshim kur vinte ora e mësimit, e lutesha mos të kemi mysafirë për t’i zhvilluar këto orë. Dikur pastaj fillonim vetë të mbanim orë e të luanim, recitonim e këndonim çdoherë duke bërë gara në mes veti. Unë recitoja më së miri, motra e madhe këndonte bukur, e vogla vallëzonte me ne, por unë ia shkoja të gjithave (ashtë më dukej mua ndoshta), sepse unë nuk nguroja nga askush a më shikon apo jo. Kështu kisha lindur me këto tipare skenike. Më pëlqenin aktorët, këngëtarët e valltarët dhe njerëzit e televizionit e skenës. Kjo dëshirë mu realizua kur unë për herë të parë shkela skenën në vitin 1999 gjatë periudhës së luftës në Kosovë, u vendosëm në Durrës, ku vijoja mësimet. Shkolla organizoi ditën e përvjetorit të saj. Unë dhe motra ime Gëzona u përzgjodhëm si prezantuese, këngëtare e valltare të këtij programi festiv mbahej në Krujë. Me kënaqësi të madhe e me emocione të papërshkruara nisesha për në Krujë. Ato momente kurrë nuk do t’i harroj. Djersët më shkonin nuk e di nga gëzimi apo çka? Aty mora guximin me vete dhe thashë po bëhem artiste, u kënaqa më së shumti kur më mbështollën me flamur. Duartrokitjet nuk u ndalën por këngën që e këndoja unë ( me disa dhëmbë që i kisha në gojë). Ndërsa, hera e parë si një profesioniste ka qenë një ndjenjë krejtësisht tjetër. Përgjegjësia e aktorit që ka për skenë bën që aktori me qenë i stresuar para premierës së shfaqjes. Dhe, pikërisht këtë stres, këtë përgjegjësi ndaj rolit që e kam pasur për herë të parë si profesioniste, më ka bërë të trimërohem, ndonjëherë të pendohem, shkurt një ndjenjë sa e vështirë , sa e këndshme, sa emocionuese dhe e paharruar. Më kujtohet ajo ditë kur shkela në skenë si profesioniste për herë të parë, gati për pesë minuta nuk kam marrë frymë, pesë minuta të tjera më është shterur zëri dhe më duket që fare nuk kam dëgjuar asgjë, bile më dukej vetja tjetër kush. Emocionet nuk mungojnë edhe tash para çdo premiere, por, normalisht tani di t’i menaxhojë më mirë.

Kur  jeni duke interpretuar një rol të caktuar, e ndjeni të nevojshme që të keni më shumë liri?

Liria gjatë interpretimit luan rolin kryesor, sepse çdoherë aktori, i cili interpreton duhet të duket i natyrshëm, si në teatër apo film. Ai duhet ta shpreh shumë thjeshtë, bukur, qartë e me kohë gjithë atë çka mendon, duhet të provojë të bëjë gjithçka dhe të pamundurën për një interpretim më të bukur. Por, parë edhe nga ana tjetër ndodh që edhe liria e  tepërt e aktorit, shpeshherë  e bllokon procesin e punës në përgjithësi në ato raste kur aktori nuk di të ndalet (apo as vet nuk di se tepër po kërkon) dhe dalëngadalë nis humb durimin dhe besimin në vetvete për të provuar atë se çfarë regjisori i ofron-propozon dhe kështu rezultati do të mungojë. Por, megjithatë, mendoj se liria në kuptimin e plotë duhet të ekzistoi për një aktor dhe ajo duhet medoemos respektuar për arritjen e qëllimeve pozitive. Unë mendoj që çdo aktor e di masën e lirisë së vet. Ka raste kur regjisori, çdoherë duke parë se ideja ime është e mirë për diçka, ai normal që pranon edhe atë pjesë, por ka raste që fare nuk reagon ndoshta edhe pse unë është ide e mirë, e gjithë kjo varet nga regjisori dhe disa rrethanave që lejohen apo dëshirohen gjatë interpretimit të aktorit. Varësisht nga të gjitha këto që i thashë, unë kam lirinë e plotë gjatë paraqitjes së rolit, por edhe nëse nuk ndihem rehat (kur diçka nuk më flenë në shpirt) marr guximin dhe i them shumë lirshëm regjisorit se, unë mendoj kështu, apo duhet ashtu më mirë, apo sikur të ishte kështu etj. Besoj se kur qëllimi është i njëjtë nga të dy palët, atëherë angazhimi nuk duhet munguar për të qenë puna më cilësore, natyrale dhe e mirë.

Si është raporti që keni me regjisorët dhe a varet gjithçka nga ajo çfarë ata le të themi ju tregojnë të bëni në skenë apo ka vend edhe për improvizime?

Mendoj që raportet në mes të regjisorit dhe aktorit së pari duhet të jenë raporte të shëndosha kolegiale, miqësore, të sinqerta dhe profesionale për arritjen e një pune të suksesshme. E gjithë puna krijohet dhe bëhet me energji, pasion dhe vullnet të madh nga unë. Por, këto elemente arrihen më shpejt kur bashkëpunimi është i mirë ndërmjet regjisorit dhe aktorit, pra, regjisori ka armën kryesore që të motivon me shkathtësitë e veta për t’i dhënë “jetë a shpirt” punës që e bëjmë ne. Ka raste kur improvizoj diçka nga vetja ime, regjisori e vlerëson dhe pranon atë pjesë, sepse i përshtatet rolit më shumë. Metodat dhe kërkesat e regjisorëve ndryshojnë varësisht nga shija e tyre, serioziteti i punës, përpikëria, angazhimi, profesionalizmi e shumë faktorë tjerë. Por, flas për veten time, kur unë e shoh të arsyeshëm ndonjë improvizim gjatë rolit që bëj, nuk mund të jem indiferente apo mos të reagoj në mënyrën që mendoj, e bëj, apo i them regjisorit (kështu,ashtu) ku çdoherë kam hasur në mirëkuptim. Gjithë puna qëndron në seriozitetin e punës, besimin i cili krijohet në mes të regjisorit dhe aktorit, bashkëpunimit për të mos munguar produkti final i suksesshëm i cili kërkohet nga ne aktorët. Sa i përket kësaj pyetjeje, të them të drejtën ka edhe regjisorë ndoshta të cilët i kanë parimet e veta të themi (janë më egoist) nuk lejojnë aktorin të shprehë atë se çfarë mendon., duke u arsyetuar çdoherë se “ka kush mendon këtu për ju” Në këto raste kjo mund të shkaktojë shpeshherë edhe bllokim dhe mosmarrëveshje në mes të aktorit e regjisorit. Sepse, në fushën e këtij profesioni nuk ka limit ndonjëherë, d.m.th. gjatë provave bëhen lëshime të ndryshme, dhe, është normale duhet të ushtrohet sa më shumë për të arritur atë se çka kërkohet. Ka regjisorë të cilët japin të drejtën që ti si aktor të shprehesh lirshëm në idetë, mendimet, lëvizjet etj, krijojnë atë imazhin-besimin ndaj jush dhe ju lirojnë. Kështu së bashku vetëm vihet në një përfundim të mirëfilltë dhe të suksesshëm. Nuk dua ta anashkalojë as aktorin në këtë rast, sepse ka aktorë të cilët mendojnë që “hajt se unë di qysh me bë apo interpretuar rolin tim” edhe pse ndoshta kanë një liri më të madhe nga regjisori, ata nuk i binden rregullave të tyre. Në këtë rast as aktori nuk duhet dalë jashtë rrethit vicioz të konceptit regjisorial me idetë dhe mendimet e tij. Nga përvoja ime kam pasur raporte të mira për të mos thënë ndoshta me të gjithë e kjo pikërisht ka ndikuar që unë të jem e lirë të provoj atë se çfarë mendoj se më shkon si aktore, të jap mendime e sugjerime dhe normalisht edhe t’i bindem kërkesave dhe koncepteve të tij regjisoriale. Sigurisht që ka pasur edhe raste kur regjisori ka insistuar që të veproj në bazë të ideve të tija deri në fund, dhe, normalisht që kam pranuar e jam bindur, sepse regjisori është syri i tretë i cili sheh dhe ndikon për të mirën e aktorëve .

Cilin nga rolet që keni luajtur e kujtoni si më të preferuarin?

Çdo rol i cili më ofrohet ta luaj, mendoj që ka vlerën e vet dhe pastaj më duket që, pikërisht ky rol është pikërisht roli i përshtatshëm për mua hahahaha. Është interesant se gjithmonë kur më ofrohet ndonjë rol si në film ashtu dhe në teatër i them vetes “Molikë të erdhi rasti me e luajt rolin tënd të preferuar, hajde tash punoooo” , dua të them se shumë vështirë e kam t’i ndajë rolet të cilat më pëlqejnë apo më kanë pëlqyer më shumë. Rolet e interpretuara, normalisht më kanë “fjetur në shpirt” si thotë populli dhe i kam interpretuar me shumë pasion e dëshirë duke mos e veçuar asnjë. Shpeshherë ndoshta unë nuk ndahem e kënaqur me punën time, gjithnjë pas përfundimit të punës që e bëj, i them veti “kam mundur të punoj akoma më shumë, më mirë, ta bëj këtë apo atë, si s’më është kujtuar kjo, ajo…”, kjo gjithmonë më shtynë që nga vetja ime të kërkoj më shumë sepse e dua këtë punë, i dua rolet që i përzgjedh dhe ato të cilat   i pranoj për të interpretuar me shumë dashuri, sepse me këto role unë zotëroj dhe paraqes  ë të ndryshme njerëzish. Kjo është bota ime, rolet i shijoj dhe kam fuqinë bindëse të flas me publikun përmes interpretimeve të mia (ashtu së paku mundohem).

Aktorët gjatë karrierës së tyre interpretojnë role nga më të ndryshmet. A ndiheni ndonjëherë sikur jeni duke luftuar kundër normave shpesh herë konservatore të shoqërisë sonë?

Aktori është pasazh i mesazheve, kështu e shoh veten kur dal në skenë dhe e gjithë dashuria që kam për aktrimin dhe porositë të cilat i përcjelli , më mbajnë këtu ku jam. Sa herë që më bëhet kjo pyetje, më bënë të kuptoj që ne akoma si shoqëri nuk e dimë mjaftueshëm vlerën e aktorëve dhe nuk jemi të gërshetuar sa duhet me kulturën, as të vetëdijesuar mjaftueshëm për rolin e aktorëve në skenë e film. Në shumë vende te na roli “jo i mirë” prezantohet si diçka jo morale, që kjo është shumë gabim. Aktrimi është profesion si shumë profesione tjera, mirëpo, këtu aktori sakrifikohet shpirtërisht e fizikisht. Por ne si shoqëri nuk jemi pjekur akoma për disa gjëra, prandaj në sy të tyre këto gjëra akoma janë negative dhe pa vlera. Më ndodh shumë shpesh kur rri me ndonjë shoqëri të re dhe pyetja e parë që ata më bëjnë , kur ju them se jam aktore është “A puthesh, a zhvishesh ti a? Ato pyetje më bëjnë mjaft për të kuptuar se sa jemi ne si shoqëri të edukuar e vetëdijesuar në këtë drejtim. Ju shkon mendja vetëm keq. Por, aktrimi nuk është lakuriq, aktrimi nuk është vetëm argëtim, aktrimi është prezantim i realitetit ndërmjet disa sakrifikuesve të quajtur aktorë e të cilët në përgjithësi edhe paraqesin Kulturën e një vendi. Aktrimi është i vetmi profesion i cili mundëson rolin e të gjitha profesioneve. Prandaj,  aktori duhet të dijë gjithçka, çdo lëmi, çdo punë, çdo gjë që e rrethon sepse unë si aktore kurrë nuk e di çfarë roli do të më vijë prandaj duhet hulumtuar për të qenë me një hap me kohën për të gjitha gjërat që ndodhin. Prandaj çdo rol që më ofrohet e kam parasysh.

admin

Artikujt e tjetrë