Gruaja

Musine Kokalari, jeta e një gruaje të guximshme

musine.kokalari

Në këtë 100 vjetor të lindjes, Musine Kokalari është një gur në ndërtimin e një personaliteti të rëndësishëm femëror. Meliza Krasniqi, studiuese e Musinesë, në Flatra rrëfen përmasat e saj si shkrimtare, politikane dhe grua, për terrin komunist nëpër të cilën kaloi Musineja, e cila diti gjithmonë të ndriçojë me forcën e karakterit, por mbi të gjitha me fjalën.

Musine Kokalari do të mbetet një personazh, që intrigon me kombinimin e çuditshëm që përvijohet, midis profilit shumë të rafinuar, siluetës prej Madone, vështrimit të përhumbur, deklaratave të forta, zgjedhjes socialdemokrate, vrazhdësisë së gjyqit politik, teksteve naive me nënon plakë, kërkimit akademik në një italishte perfekte, nga sokakët e të marrëve te kishat bibliotekë të Romës, nga burgu te pavijoni onkologjik; nga qëndismat e mëndafshta te fjala e dëshpëruar prej mungesës së lirisë. Në këtë 100 vjetor të lindjes dhe një marsi, që iu dedikohet grave Musine Kokalari është një gur në ndërtimin e një personaliteti të rëndësishëm femëror. Meliza Krasniqi së shpejti do të vijë me të parën monografi kushtuar Musine Kokalari dhe në Flatra rrëfen për përmasat e saj, si shkrimtare, politikane e grua, për terrin komunist nëpër të cilën kaloi Musineja, e cila diti gjithmonë të ndriçojë me forcën e karakterit, por mbi të gjitha me fjalën. “Musine Kokalari përfaqëson intelektualen shqiptare të tipit perëndimor, e cila që në vitin 1941 u laureua “Doktoreshë në Letërsi” nga Universiteti i Romës, me temën: Literatura Albaneze-Naim Frashëri, Musineja pra ishte nga të paktat që kreu studimet universitare dhe një vajzë e ditur e zgjuar dhe me interesa të gjera. Krijimtarinë letrare e filloi me vjersha dhe skica letrare të botuara në gazeta dhe revista të kohës, duke botuar brenda pak viteve, librat  “Siç më thotë nënua plakë” (1939), “… sa u tunt jeta” (1944) dhe “Rreth vatrës” (1944). Musine Kokolari është njëra nga femrat e rralla që shkroi midis dy luftërave, në periudhën 1912-1945, këtë na e bëri të ditur ne në Kosovë Ibrahim Rugova në vitin 1983 kur solli emrin e saj, i cili do të prezantonte katër tregime të Musinesë në revistën letrare “Jeta e Re” në kohën kur ajo nuk përmendej e lëre më të botohej as në Shqipëri as në Kosovë. Figura e Musine Kokalarit përveç që përfaqëson fatin e intelektuales shqiptare ajo njëkohësisht përfaqëson politikanen dhe shkrimtaren e parë shqiptare. Këtë vit kremtojmë 100-vjetorin e lindjes së Musinësë duke bërë që figura e saj të mbush gazetat, portalet, por ajo që më brengosë është se këtë emër ende nuk e kemi pjesë të antologjive letrare të nxënësve dhe studentëve.”- shprehet albanologia Meliza Krasniqi.

Ndërsa sa i përket raportit të saj personal me jetën dhe veprën e Musine Kokalari, Meliza Krasniqi është pasionuar që kur nisi ta studionte në universitet, për tu bërë një figurë qendrore gjatë gjithë studimeve të saj akademike.

“Në fakt, veprën e Musine Kokalari, së pari herë e kam “zbuluar” në kursin e Letërsisë moderne në studimet themelore, te Letërsia e viteve ’40 – ’50. Jeta e saj letrare e shkurtër, fati tragjik duke u burgosur, internuar dhe ndaluar zgjoi kureshtjen time për ta lexuar të plotë. Duke mësuar se Musine Kokalari ka qenë e para shkrimtare femër në Shqipëri, dhe e vetmja deri në vitet 1960, ajo sot për mua përfaqëson simbolin e intelektuales grua, e cila solli në letrat moderne shqipe një zhvillim të ri të pavërejtur më herët. Kokalari ishte personalitet  dhe historia e dhimbshme e jetës së saj si disidente e burgosur dhe e internuar nga diktatura lidhet me shkrimet e dhe lëvizjen e saj politike. Ajo konsiderohet nismëtare e pluralizmit dhe sistemit demokratik në politikën Shqiptare. Personalisht më vjen shumë mirë që u riaktualizua emri i shkrimtares sonë të parë dhe që ka zgjuar kureshtjen dhe ka filluar të lexohet prapë. Dikush e njihte e dikush e mësoi.” Tregon znj.Krasniqi duke shtuar se është e lumtur dhe e nderuar që do të jetë personi i parë që po shkruan monografi për të sepse Musineja mbetet për të model i gruas që duhet ndjekur.

image1

 

Një gjemb i bukur, i dhimbshëm, në kujtesën letrare dhe politike shqiptare

 Figura e saj është shumë komplekse, por dy aspekte janë kryesore në jetën e saj, letërsia dhe politika. “Në aspektin letrar, Musineja la një trashëgimi letrare mjaft të pasur nëse kemi parasysh periudhën e shkurtër të shkrimit. Ajo është autore e përmbledhjes me poezi, skica Kolla e vdekjes! dhe tri vepra të tjera me prozë. Aspekti letrar dhe politik lidhet pandashëm me jetën e saj, sepse edhe nëse s’do merrej me politikë drejtpërsëdrejti natyra e saj prej Uragani do të luftonte me penë. Pas pushkatimit të dy vëllezërve nga komunistët (1944), ajo arrestohet dhe dënohet me njëzet vjet burg, fjalët e saj në gjyq shënjojnë atë çfarë shpirti kishte ajo, kur ndër tjera thotë: Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju jeni duke më ndëshkuar për idealet e mia!” Musineja u përndoq për ëndrrën, idealin dhe demokracinë e vendit. Jeta e saj letrare e politike pushoi, ndërsa jeta se saj fizike u nda në dysh.”- shprehet znj.Krasniqi.

Një personalitet, të cilin komunizmi u përpoq shumë ta zhbënte dhe duket se për shumë vite ia doli… Kalvari i shkrimtares, disidentes e politikanes shqiptare, nisi me fundin e luftës e ardhjen në pushtet të komunistëve, vijoi me burgje derisa u nda nga jeta e vetme në Rrëshen.Musine Kokalari është një gjemb i bukur, i dhimbshëm, në kujtesën letrare dhe politike shqiptare. Ajo ishte vajza e vetme e juristit Reshat Kokalari, motër e vëllezërve Muntaz, Vesim dhe Hamit Kokalari, veprimtarë të kulturës shqiptare, themelues të librarisë “Venus” dhe të shtëpisë botuese “Mesagjeritë shqiptare”. Musine Kokalari u bë edhe politikane socialdemokrate e njohur dhe rivale politike e PKSH. Themelimi i një partie socialdemokrate ishte nismë e re politike në Shqipëri ishte një mundësi pluralizmi politik demokratik në Shqipëri. Musineja hartoi programin e opozitës, një program demokratik. Ajo kërkonte që: Zgjedhjet të jenë të lira dhe të marrin pjesë të gjithë.  Kjo ishte e mjaftueshme për diktaturën, që ta asgjësonte politikisht dhe fizikisht Musinenë dhe ia doli. Por mbi të gjitha Musineja në radhë të parë ishte dhe mbeti, njeri.” – thekson albanologia Krasniqi.

Figura të rëndësishme  të kombit shqiptar, në këtë mars, kryesisht dedikuar gruas, përcjellin te ne madhështinë e tyre, këmbënguljen dhe forcën për të drejtat, liritë dhe vullnetin për të qenë e lirë dhe barabartë. Madje në Shqipëri jepet një çmim me emrin e një gruaje, në adresë të një gruaje, Musine Kokalari” quhet çmimi i përvitshëm që jepet nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara, në nder të figurës Kokalari për kontributin ajo ka dhënë në fushën e ideve politike dhe për modelin etik që krijoi në një kohë të vështirë për burra dhe njerëz të lirë dhe shumë herë më të vështirë për femrën.

Sipas Meliza Krasniqit, Musineja kishte një shpirt human, ajo ishte një nga gratë më të kulturuara dhe më të ditura të Shqipërisë: botuese, gazetare, shkrimtarja e parë shqiptare. “Mjafton kjo dhe të themi se ajo trajtoi në veprën e saj momente të jetës së vajzave nëpërmjet një rrëfimi gati autobiografik, ajo gjithashtu shkroi për normat zakonore dhe ritet që shoqërojnë momentet e rëndësishëm të jetës së gruas, në këtë aspekt, Musine Kokalari është një nga pionierët e lëvizjes së feminizmit në Shqipëri.  Mesazh i saj do të ishte që në jetë të kemi ideal lirinë ndërsa në letërsi të vërtetën. Ajo shkruante me psuedonimin “Muza” dhe do të mbetet Muza jonë.”- përfundon ajo.

admin

Artikujt e tjetrë