Intervista

Do të ngjallja Migjenin të shihte mjerimin me ngjyrat e sotme

Në “Labirinthin” e Flatrës sjellim muzikologen dhe një ndër aktivistet e njohura në vend, Besa Luzhën për personalitetet më të mëdha të të gjitha kohërave, për shoqërinë shqiptare dhe identifikimin e vlerave, për qasjen që ka ajo për barazinë gjinore, për letërsinë dhe Migjenin e mjerimit.

 

Pasqyra, nuk është simbol vetëm i narcizmit, pse duhet t’i shërbejë ajo shoqërisë shqiptare?

Pasqyra është mjet reflektimi, të shikosh veten si po dukesh, (në fytyrë, flokët, veshja etj) dhe nëse e sheh që diçka nuk është mirë, të bësh përmirësimet e duhura. Ndoshta flokët duhet prerë, ndoshta ka nevojë për rregullimet në veshje, etj.

Në kuptim të metaforës, shoqëria shqiptare ka nevojë të shikohet për çdo ditë në pasqyrë, të reflektojë se a është gjithçka në rregull, ndoshta koha është të ndryshohen disa sjellje, disa  bindje që më nuk përkojnë me aktualitetin. Në këtë kuptim them se është  mjet i nevojshëm për reflektim dhe përmirësim.

Cili personalitet përbënë epokë më vete?

Për mua Bach, Johan Sebastian Bach, shënon epokën e Barokut në Muzikë, e cila mbetet fundament për çdo epokë tjetër, ani pse në mënyra të ndryshme origjinale dhe kreative shfrytëzohet trashëgimia e Bach-ut.

Mendoni se ndershmëria është politika më e mirë?

Unë mendoj se ndershmëria është virtyt i çmuar për çdo njeri. Politika nuk ka nevojë të zhvishet komplet nga ndershmëria. Pragmatizmi, kompromiset në politikë nuk kanë pse të jenë në kundërshtim me ndershmërinë. Pikërisht e kundërta, duke u nisur nga ndershmëria, mund të argumentosh veprime të ndryshme që duhet të ndërmerren me kompromise ose me qasje pragmatike.

Cilin personazh/autor të letërsisë do të donit ta kishit ngjallur?

 Do të doja të shihja Migjenin të ngjallur për një arsye, që të shoh se ajo për çfarë ka shkruar ai  në kohën e tij, është ende prezentë në shoqërinë tonë. Një pjesë e madhe e popullatës jeton në mjerim. Do të doja që ai të shihte mjerimin me ngjyrat e sotme.

Është aq e vështirë për të zbatuar atë që ne e thërrasim barazi, një evolucion natyral i feminizmit?

Mendoj që i jemi qasur gabimisht konceptit barazi. Gruaja dhe burri nuk janë të barabartë ose të njëjtë në aspektin biologjik, sepse janë të ndryshëm. Por fakti që janë të ndryshëm në përbërje, karakteristika fizike e biologjike nuk do të thotë që ata nuk mund të kenë shanse të barabarta në jetë, duke filluar që nga trajtimi në familje e deri te punësimi dhe pozitat vendimmarrëse. Në këtë kuptim mendoj se është i mundur përparimi dhe evolucioni sepse kemi shoqëri të zhvilluara ku kjo është arritur. Në të tjerat ku ende luftohet për këtë lloj barazie, pra barazia në shanse dhe në resurse, varet edhe nga zhvillimi ekonomik, por edhe nga niveli i vetëdijes shoqërore që arrihet gradualisht përmes një edukimi të mirëfilltë për barazinë si koncept, dhe jo duke nënvlerësuar anën tjetër, (gjininë tjetër) por duke vënë në pah se vetë natyra ka krijuar dy gjinitë që të zhvillojnë shoqërinë përmes reprodukimit natyror, dhe pjesëmarrja e barabartë e dy gjinive në zhvillim, në rregullim dhe ne administrim të shoqërisë është e mundshme.

Cili është limiti juaj?

Varet se për çka. Nuk kam limit në angazhim, në dëshirë për të punuar, për të kontribuar. Po më humb ndonjëherë durimi ndaj injorancës. Po ashtu nuk ngas veturën. Ky është një limit ne dukje, por kjo nuk më ndalon lëvizjen time goxha aktive gjatë ditës.

Trashëgimia më e bukur shqiptare?

Mendoj që muzika shqiptare e vërtetë ( polifonia) dhe këndimi unik në malësi, janë vlera unike që i karakterizojnë muzikën shqipe. Natyra e bukur dhe e ashpër njëkohësisht është po ashtu një trashëgimi me vlerë. Mikpritja, respekti për miqtë, për të moshuarit, besoj është po ashtu një vlerë e çmuar e trashëgimisë shqiptare. Familja, dëshira për të qenë pjesë e familjes, respekti, dashuria për familjen si njësi themelore e shoqërisë për mua është vlerë po ashtu e rëndësishme e trashëgimisë shqiptare. Nëse flasim për gjëra materiale, Qyteti i Beratit, Gjirokastra, janë po ashtu për mua shumë me vlerë.

admin

Artikujt e tjetrë