Intervista

Rudina Hajdari, betejat e reja politike

Në një ngjarje të shënuar si është përvjetori i Pavarësisë së Kosovës nuk kishte si të mungonte një nga të paktët personalitete të Shqipërisë, i cili pati guxim të ngrinte zërin për herë të parë në Kuvend për çështjen e Kosovës. Azem Hajdari në këtë 9 vjetor nëpërmjet vajzës së tij, Rudina Hajdarit, një personalitet më vete, një grua me tiparet e të atit, këmbëngulëse, inteligjente dhe parimore në Flatra për karrierën politike, ambiciet dhe familjen.

  CH8A7593

Intervistoi: Besa Gjoni

Fotografia: Edvina Meta

 

Së pari na flisni pak për veten tuaj, çfarë keni studiuar, ku punoni?

Unë kam patur fatin të shkollohem në tre institucione të shkëlqyera arsimore. Studimet e larta për shkenca politike i kam kryer në Universitetin Fordham në SHBA. Më vonë, përvojë e veçantë në fushën e dijes kanë qenë studimet master për strategji gjeopolitike në King’s College në Londër. Në Londër kam marrë njohuri të thella gjeografinë politike, mbi ndarjen e kufijve ndërkombëtare, ligjet dhe institucionet ndërkombëtare. Aktualisht, jam duke ndjekur sërish studime master për të drejtat e njeriut në Universitetin Columbia në Nju Jork. Është një program i njohur në fushën e mbrojtjes së të drejtave e lirive themelore SHBA dhe në botë. Kam jetuar në Uashington ku punova disa vjet në Kongresin Amerikan, në Komisionin për Marrëdhëniet me Jashtë, kryesuar nga kongresmeni demokrat Eliot Engel. Në këtë pozicion jam marrë kryesisht me çështjet e rëndësishme politike në Ballkan. Ka qenë një përvojë e vlefshme për tani dhe për të ardhmen. Kam fituar kontakte të çmuara dhe njohuri të hollësishme mbi pushtetin legjislativ në SHBA.

Jeni vajza e një prej personaliteteve kryesor të demokracisë në Shqipëri, Azem Hajdarit, por jo vetëm, si ka qenë raporti juaj me të?

Është padyshim raporti më i shtrenjtë i jetës sime. Im atë ka patur përkushtimin dhe dashurinë për vajzën e tij të vogël dhe shpresat tij të mëdha për të çmuarën e tij të vogël. Për mua ai është drita udhëheqëse e parimeve dhe moralit të jetës sime.

Shqipëria sot është realizimi i ëndrrës së “dhjetorit” të babait tuaj?

Në çështjet themelore po. Im atë u ngrit për pluralizëm, për fjalën e lirë dhe të drejtat e njeriut. Por sigurisht kjo është një përpjekje e gjatë, është një përpjekje historike për thellime cilësore.  Në qoftë se im atë goditi murin diktatorial të komunizmit dhe pati rolin e tij në ardhjen e lirisë, unë kam qëllim të marr pjesë në thellimin e këtyre të drejtave, se liria është e pafund si gjithësia. Që prej asaj periudhe Shqipëria ka pasur përparime të mëdha. Sot, Shqipëria ka një sistem politik të gjallë, është anëtare e NATO-s dhe është në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian. Shqiptarët udhëtojnë lirisht në Evropë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një partner i fortë për vendin tonë. Kosova është e lirë dhe e pavarur, aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Si Shqipëria dhe Kosova janë drejt ndërtimit të demokracive të forta, ashtu siç ëndërroi babai im. Por s’duhet harruar se kanë qenë të shumtë ata të cilët kanë shtruar rrugën në mënyrë që ne të kemi një jetë më të lirë dhe më të mirë. Shumë prej tyre dhanë jetën për Kosovën dhe Shqipërinë. Është e rëndësishme për ne t’u jemi mirënjohës atyre dhe ta mbajmë gjallë kujtimin për ta duke respektuar dhe kontribuar për të njëjtat vlera dhe ideale.

CH8A7251

 Nëse do të mund të themi ta përkufizoni personalitetin e babait tuaj, si do të ishte?

Ai pati guximin, karakterin dhe inteligjencën të ngrihet kundër diktaturës. Përplasjet e tij si luftëtar i lirisë, pluralizmit dhe demokracisë i dhanë atij një rol historik.

  Nëse ju them Kosovë, çfarë ju vjen në mendje?

 Unë jam e Kosovës, Tropoja ka qenë Malësia e Gjakovës. Për mua nuk ekzistojnë kufij shpirtëror midis Kosovës dhe Shqipërisë. Kosova është në gjenet, është në gjakun e familjes time. Vuajtjet dhe plagët e Kosovës, por edhe gëzimet e saj ne i kemi ndjerë përherë në shpirtrat tanë. I kanë ndjerë të parët e mi, i ndjej unë dhe njësoj do t’i ndjejnë fëmijët e mi. Kosova e lirë dhe sovrane është përmbushja e ëndrrës sonë më të bukur. Natyrisht, Kosova ka sfidat e saj dhe vështirësitë e saj, por e ardhmja e saj evropiane dhe e përparuar është e sigurt.

Keni menduar që të futeni në politikë, të ktheheni në Shqipëri dhe të nisni një karrierë politike?

Historia e dhimbshme e komunizmit në Shqipëri dhe kontributi i babait tim në ndryshimin dhe përparimin e Shqipërisë më ka bërë të mos jem asnjëherë e shkëputur nga politika shqiptare. Në kujtesën time të fëmijërisë janë të ngulitura ditët kur u largova nga Shqipëria dhe familja ime për t’u shkolluar në Amerikë, për një mundësi më të mirë për të ardhmen. Zgjedhja për të studiuar shkenca politike është dëshmi e nevojës dhe pasionit tim për të kuptuar  politikën dhe zhvillimet politike të Shqipërisë dhe botës. Puna në Uashington qe përmbushje e ëndrrës sime për të punuar në politikë. Më tërheq politika dhe jam në kohë vendimmarrje për të.

CH8A7131

 Si ish punonjëse ne Kongresin Amerikan, cili është mendimi juaj për presidentin e ri amerikan, Donald Trump?

Filozofia e djathtë është pjesë e besimit tim politik. Por zgjedhja e Presidentit Trump, është një ngjarje domethënëse që reflekton më shumë se thjesht qasjen dhe personalitetin e Presidentit Trump apo përkatësinë e tij politike. Fitorja e tij ishte rrjedhojë e realitetit politik, shoqëror dhe ekonomik të Amerikës, për të cilin fatkeqësisht një pjesë e mira e elitave amerikane nuk ishin të vetëdijshme. Uroj që Presidenti Donald Trump të ndikojë në mënyrë të shëndoshë dhe të moralshme ndaj aksioneve politike ne Ballkan. Shqipëria është një aleate e palëkundur e Shteteve të Bashkuara dhe ne duhet të jemi mirënjohës për marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë midis vendeve tona.

 Së fundi na flisni pak për familjen tuaj?

Familja është gjëja më e çmuar. Për mua gjithçka fillon me përkushtimin dhe dashurinë kundrejt familjes. Jam mirënjohëse çdo ditë për familjen time.

 

 

 

admin

Artikujt e tjetrë