Gruaja

Mes diplomacisë dhe artit

 

Ajo është e angazhuar gjatë një 24 orëshi në sferën e diplomacisë. Për një femër, sigurisht që duket të jetë një sfidë më vete. Megjithatë përtej stereotipeve, që krijohen për femrën dhe “punën e meshkujve”, znj. Shkëndije Geci- Sherifi, na dëshmon çdo ditë se vullneti dhe përkushtimi janë elementet e suksesit pavarësisht gjinisë. Tashmë ka kaluar një vit që kur ajo ndodhet në pozitën e Ambasadores së Republikës së Kosovës në shtetin kroat. Në këtë intervistë për Flatrën vjen përtej “petkut” të diplomacisë.

 

Intervistoi: Besa Gjoni

 

Jeni në krye të Ambasadës së Kosovës në Kroaci, si do ta përkufizonit këtë periudhë për ju?

Ka qenë një periudhë shumë intensive dhe dinamike, por edhe e suksesshme në rrafshin diplomatik. Gjatë këtij afati kohor janë realizuar vizita bilaterale të nivelit të lartë, janë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi si dhe është bërë progres i ndjeshëm i Republikës së Kosovës në aderimin në organizata rajonale me seli në Kroaci. Është intensifikuar edhe bashkëpunimi në fushën e integrimit evropian me ç’rast Kroacia përmes projekteve të ndryshme, na ka ofruar ekspertizën e saj shumë të vlefshme në këtë proces. Nuk ka munguar as bashkëpunimi kulturor dhe kjo gjë më gëzon pa masë meqë rëndësia e diplomacisë kulturore në një botë të globalizuar dhe të ndërvarur është tejet e madhe, si e tillë nuk ndikon vetëm në tejkalimin e stereotipeve dhe paragjykimeve, por edhe në promovimin e paqes dhe stabilitetit. Respekti dhe njohja e diversitetit kulturor, dialogu ndërkulturor është një vlerë që duhet promovuar në vazhdimësi. Në këtë kuadër ambasada ka organizuar ekspozita e tribuna të ndryshme, muzicientë nga Kosova kanë performuar në Kroaci dhe anasjelltas, personalisht kam mbajtur ligjërata publike në konferenca dhe forume të ndryshme me qëllim të promovimit të Kosovës ndërkohë që marrëveshja bilaterale për bashkëpunim kulturor në mes të ministrive përkatëse të Kulturës është në proces të finalizimit dhe do të nënshkruhet së shpejti. Gjithashtu edhe bashkëpunimi me shoqatat, asociacionet dhe subjektet tjera te shqiptarëve në Kroaci nuk ka munguar dhe ka qenë shumë i frytshëm

Çfarë mund të na thoni për ndikimin që ka komuniteti kosovar në Kroaci?

Komuniteti kosovar në Kroaci është  i integruar mirë dhe gëzon reputacion dhe respekt të lartë nga pala kroate. Duhet nënvizuar se shumë shqiptarë të Republikës së Kosovës kanë luftuar edhe në luftën e Kroacisë për çlirim madje edhe kanë dhënë edhe jetën për çka Kroacia u përkulet dhe është mirënjohëse përjetësisht. Nëse i referohemi të dhënave nga Zyra për të drejtat e Njeriut në Qeverinë Kroate, në vitin 2011 janë regjistruar 17.513 qytetarë të pakicës kombëtare shqiptare ndërkohë që në zgjedhjet për këshilla dhe përfaqësues të pakicave kombëtare të mbajtura po në të njëjtin vit, shqiptarët kanë zgjedhur 14 këshilla të pakicës kombëtare shqiptare dhe 24 përfaqësues. Në parlamentin kroat megjithatë, shqiptarët nuk ia kanë dalë të kenë një përfaqësues shqiptar duke qenë se janë në një grup me pakicën boshnjake, sllovene, maqedonase dhe malazeze. Të gjitha këto pakica përfaqësohen vetëm nga një deputet dhe në një konstelacion të këtillë gjithsesi në situatë më të favorshme janë pakicat numerikisht më të mëdha. Kjo nuk do të thotë se pakica jonë duhet t’i humbë shpresat që një ditë të ketë një përfaqësues shqiptar në parlamentin kroat, kjo gjithsesi kërkon punë dhe mbi të gjitha konsensus brenda përbrenda komunitetit tonë. Kosovarët, sidomos ata të valës së migrimeve të viteve të 50-ta, 60-t e 70-ta, po ashtu kanë lënë gjurmë edhe në trashëgiminë kulturore kroate sidomos në zonën e Istrës përmes artizanateve posaçërisht përmes punimeve tejet artistike me argjend dhe filigran, të cilat kanë krijuar një brend identifikues të turizmit ato zona. Është me rëndësi të përmendet se këtu kemi, siç kam unë dëshirë shpesh ta quaj, një komunitet kualitativ duke qenë se në mesin e tyre kemi profile të ndryshme profesionale e akademike, kemi mjekë të suksesshëm, historianë, arkitektë, artizanë, furrtarë, afaristë, e muzicientë. Dhe është e pashmangshme përmendja e Petrit Çekut, krenari sa kroate po aq edhe kosovare.

1404895_10152035421203288_1555575240_o

Të kalojmë pak në aspektin personal, znj. Ambasadore, ndoshta klishe, por cilat janë sfidat për ju duke qenë se gratë në diplomaci janë shumë pak?

Fakti që puna diplomatike ka shumë sfida nuk është klishe por realitet. Nëse e bëjmë një retrospektivë të shkurtër  historike, vërejmë se përfshirja e grave në diplomaci ka filluar relativisht vonë. Ka qenë Bashkimi Sovjetik vendi i parë që në vitin 1923 ka emëruar një femër si shefe të misionit diplomatik. SHBA-të vetëm më 1925 filluan të pranojnë femra në shërbim. Franca ka pranuar femrën e parë në shërbim diplomatik përmes provimit pranues më 1930. Pas luftës së dytë Botërore, megjithatë, numri i grave që kanë bërë karriere në diplomaci është ngritur dukshëm.  Ndonëse është bërë mjaft progres në këtë drejtim, numri i grave në diplomaci vazhdon të jetë shumë vogël dhe disproporcional me atë të burrave e drejta e grave për të përfaqësuar qeveritë e tyre përveç legjislacionit vendor, është e garantuar edhe përmes Konventës së Kombeve të Bashkuara për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Gruas. Megjithatë, në realitet pjesëmarrja e grave në në politikën e jashtme, profesion i konsideruar prestigjioz dhe tradicionalisht i dominuar nga burrat, vazhdon të jetë e pabarabartë. Nëse e mohojmë faktorin gjinor dhe stereotipet, disa nga sfidat me të cilat përballemi në këtë profesion janë thjesht të mënyrës së jetesës të cila shpesh përkufizohet si “nomadic lifestyle”. Ndërrimi i vendbanimeve ka implikime emocionale dhe mbi të gjitha familjare dhe për këtë arsye, mirëkuptimi, harmonia familjare dhe marrja koncensuale e vendimeve përfshirë edhe fëmijët, janë jetike në këtë profesion dhe kjo është një sfidë jo e lehtë. Gjithashtu edhe orari “pa orar” i punës kërkon një balancim dhe koordinim preciz të kohës dhe jetës familjare. Kjo është njëra anë e medaljes, ana a ndritur është se nëse e do këtë profesion dhe e punon me përkushtim, pareshtur, i shijon rezultatet e punës duke ndërtuar ura komunikimi dhe duke shërbyer si katalizator për të çuar përpara procese të rëndësishme për shtetin. Nuk ka krenari më të madhe sesa t’i shërbesh vendit tënd!

Keni një raport shumë të veçantë për muzikën, na tregoni rreth këtij pasioni?

 Muzikën e kam pasion dhe pjesë të pandashme të përditshmërisë sime. Kam të kryer vetëm shkollën e ultë të muzikës, seksioni i pianos dhe luaj me një harmoni tejet të thjeshtë akordesh edhe në kitarë vetëm sa për të argëtuar miqtë atëherë kur nuk është ndonjë profesionist në afërsi. Përndryshe, muzika në familjen time zë një vend të rëndësishëm, vajza ime Nisa, e cila së shpejti do t’i mbushë 17 vjet, luan në piano dhe kitare dhe ka një shije fine të përzgjedhjes së muzikës. Duke qenë se flet rrjedhshëm edhe gjuhen frënge, shpeshherë nga argëton me shansona të bukura të Edith Piaf. Edhe bashkëshorti edhe djali janë adhurues të muzikës dhe këndojnë shumë bukur, ndërkohë që nëna ime luan në mandolinë, vëllai në kitarë dhe motra gjithashtu në piano. Muzika na rrethon gjithkund dhe na jep hare familjare.

DSC_0364

Cilët janë të preferuarit tuaj në muzikë dhe letërsi?

Nuk jam e fiksuar pas ndonjë zhanri të caktuar, në parim më pëlqen gjithçka e bukur dhe artistike, në faza të ndryshme dëgjoj pjesë të ndryshme. Aktualisht jam e magjepsur pas muzikës së Tord Gustavsen, një pianist xhaz dhe kompozitor norvegjez brilant. E njëjta vlen edhe për letërsi, më pëlqejnë autorët klasik, por edhe ata modern. Jam lexuese relativisht e përkushtuar dhe mundohem të jem në hap me kohën për aq sa e lejon agjenda ime mjaft e ngarkuar. Poezia më pëlqen shumë, për mua poezia është forma artistikisht më e sofistikuar  dhe më e bukur e shprehjes së ndjenjave dhe intensitetit të emocioneve.  Ephemera e W.B. Yeats, është njëra nga poezitë e mia të preferuara që sa herë, që e lexoj më sjellë emocionin e njëjtë dhe mendoj se këtu edhe qëndron edhe mrekullia jo vetëm e poezisë por e artit në përgjithësi.

 

admin

Artikujt e tjetrë