Intervista

Do të ngjallja At Gjergj Fishtën

Bernard Nikaj në Labirinth për personalitetet, që sipas tij përbëjnë një epokë më vete, për arsyet pse do të ngjallte Arthur Conan Doyle dhe Atë Gjergj Fishtën, gjithashtu për trashëgiminë më të bukur shqiptare, Besën, e cila me kalimin e kohës po bëhet gjithnjë e më shumë një relikte e së shkuarës.

 

 

Pasqyra, nuk është simbol vetëm i narcizmit, pse duhet t’i shërbejë ajo shoqërisë shqiptare?

Pasqyra mund të shërbeje për dy qëllime: të shikojmë vetveten dhe të mahnitemi me atë që shohim, ose, të përdorim pasqyrën që të shikojmë vetveten dhe të identifikojmë të metat ose imperfeksionet, dhe të mundohemi t’i përmirësojmë ato. Fatkeqësisht, shoqëria shqiptare e ka përdorur pasqyrën shumë gjatë për qëllimin e parë dhe besoj që është koha e fundit të fillojmë ta përdorim për qëllimin e dytë, para se të jetë vonë.

 Cili personalitet përbënë epokë më vete?

 Ka shumë personalitete që përbëjnë epokë më vete e që unë i vlerësojë shumë. Më duhet të filloj nga udhëheqësit e mëdhenj të shteteve dhe për hir të kësaj interviste do të veçoj John F. Kennedyn dhe Margareth Thacher. Kennedy për mua simbolizon epokën e shpresës pas Luftës së Dytë Botërore. Jo vetëm të shpresës se një botë më e mirë është e mundur, por edhe shpresës që kjo botë mund të ndërtohet nga gjeneratat e reja, jo vetëm në moshë, por edhe në të menduar. Margareth Thacher në anën tjetër për mua simbolizon epokën e vendosjes së krijimit të vlerave ekonomike mbi interesat e ngushtë politik dhe mbi përdorimin e shtetit si zgjidhje për çdo gjë.  Nga sfera akademike do të veçoj një ekonomist, John Maynard Keynes dhe një fizikan, Richard Feynman. Përderisa Keynesi ndikoi që ekonomia të fillojë të ketë vendin qendror në kuadër të politikëbërjes shtetërore dhe që për vite më radhe vendimet ekonomike të udhëhiqen nga teoritë e tij, Richard Feynman e kaloi një jetë duke përafruar konceptet e komplikuara nga fizika, studentëve dhe audiencave tjera. Libri i tij “Ligjëratat e Feynmait mbi Fiziken” mbetet libri më i mirë për të mësuar fiziken edhe në ditët tona.

 Cilin personazh/autor  të letërsisë do të donit ta kishit ngjallur dhe pse?

 Kjo është pyetje e vështirë, meqë kam shumë autor të dashur. Mirëpo për hir të këtij rasti do të përcaktohem për dy: Arthur Conan Doyle dhe At Gjergj Fishtën. Të parin do ta kisha kthyer në këtë botë për të vetmin qëllim, që ai të vazhdojë të shkruajë për Sherlock Holmesin e famshëm, e unë t’ju gëzohesha aventurave të shkëlqyeshme të tij. Ndërsa Fishtën, do ta ngjallja pikërisht për hir të kontekstit aktual politik, në të dyja anët e kufirit shqiptar. Jam i bindur që Fishta, me mjeshtërinë e tij të pashoq, do të prodhonte disa nga veprat më me nam të letërsisë shqiptare, jo vetëm duke ia kaluar Lahutës së Malcisë, por edhe duke pretenduar Çmimin Nobel.

 Trashëgimia më e bukur shqiptare?

 Unë gjithmonë jam mahnitur nga koncepti i “Besës”. Ende jam i bindur që altruizmi i shprehur nga ky koncept i tejkalon disa nga historitë më të famshme të popujve evropian. Bile- bile sa herë e kujtoj “Besën” e kujtoj dhe “Kush e solli Doruntinën” e Ismail Kadaresë. Sa keq që çdo ditë e më tepër ky koncept po mbetet relikt i së kaluarës.

Multikulturalizmi dhe toleranca  deri në çfarë mase mund të realizohen në shoqërinë tonë?

 Multikulturalizmi dhe toleranca janë dimensione kulturore që me kalimin e kohës nëpër shoqëri të ndryshme kthehen në “institucione”. Meqë institucionet kulturore janë të ndërlidhura me zhvillimet historike të një shoqërie, dhe duke u nisur nga historia e popullit shqiptar unë besoj që multikulturalizmi dhe toleranca mund të realizohen në shoqërinë tonë po aq sa në cilën do shoqëri tjetër. Nuk ka shumë shoqëri që historikisht kanë ndërtuar bashkëjetesën shoqërore ndërmjet muslimanëve, katolikëve e ortodoksve, të ndarë në katër shtete, dy dialekteve gjyqësore dhe kanë mbijetuar një zhvillim të tillë duke konsideruar diversitetin vlerë kryesore kombëtare. Bile- bile, besoj që historikisht kemi treguar që jemi shumë më tolerant ndaj kulturave tjera sesa ndaj njëri-tjetrit. Siç ka thëne Gjergj Fishta “Ne festojmë bajram e pashkë, por shqiptarinë e kemi bashkë”.

Nëse të them “Kosovë” çfarë ju vjen në mendje?

 Sot nëse më thua “Kosovë” unë do të përgjigjem “Mundësi e humbur”. Mbase një përgjigje e tillë është e ndikuar edhe nga konteksti aktual politik, ku zënkat tona të brendshme na pengojnë që të realizojmë synimet më madhore që besoj ia kemi vënë vetit tash e sa kohë. Nëse do të më pyesnit në vitin 2008, do të thosha që më vjen në mendje koncepti i “Mundësisë”. Në atë kohë, pas shpalljes së pavarësisë, ka ekzistuar një entuziazëm i përgjithshëm edhe tek unë, por edhe tek pjesa më e madhe e shoqërisë kosovare se e ardhmja na takon ne. Në atë kohë sikur rrallë ndonjëherë ky entuziazëm ishte kthyer edhe në vullnet për punë e kontribut të vërtetë në shtetndërtim. Fatkeqësisht ky entuziazëm nuk zgjati shumë.

admin

Artikujt e tjetrë