Shëndet

Autizmi, një sfidë për të gjithë ne

1478988_791054250920262_2023896082_n

Nga Erdi Bërxulli

Ajo është një nga ato gra, që dhembjen personale e ktheu në një betejë të përgjithshme, pa u ndalur asnjëherë. Me një përvojë personale, në një rrugëtim 23 vjeçar, Shpresa Xhakli, ka kapërcyer sfida të vështira në jetë, ajo tregon në Flatra sesi u bë pjesë e luftës ndaj autizmit. “Përvoja ime ka qenë  dhe ende është e dhimbshme, gjithashtu e pafundme, mund të them. Kur djali im është diagnostikuar para 23 vitesh edhe këtu në SHBA, nuk ka pasur shumë informacione rreth autizmit dhe pothuajse nuk ka pasur shërbime të nevojshme.”, – tregon Shpresa. Së pari ajo është përpjekur të mësojë gjithçka rreth autizmit, që t’i ofronte djalit të saj, Arbenit, ndihmën e nevojshme, por duke qenë larg, në një shtet të huaj, vetmia dhe sfidat e përditshme të jetës kanë qenë të vështira. Në fakt mjekësia deri në ditët e sotme nuk ka mundur të identifikojë shkaktarin e autizmit, përkundër përpjekjeve të mëdha që po bëhen posaçërisht në SHBA. Por sa është e informuar shoqëria kosovare në lidhje me këtë çrregullim? “Ende nuk dihet shkaktari i vetëm i autizmit. Ekzistojnë disa teori dhe hulumtime, por ende asgjë përfundimtare. Janë ndërmarrë hapa për vetëdijesimin e popullatës, nëpërmjet mediave, por nuk është e mjaftueshme”, shprehet znj. Xhakli.   Nga ana tjetër ka diskutime të gjera sa i përket autizmit, a është i shërueshëm apo jo, por cilat do të duheshin të ishin hapat e parë, që prindërit e fëmijës me autizëm duhet të ndërmarrin, me qëllim të përmirësimit të mirëqenies, emocioneve, komunikimit etj,? “Autizmi është çrregullim neuro-biologjik i trurit, jo sëmundje, e cila mund të shërohet me barna. Është një spektër i gjerë, duke filluar nga më të lehtët për të vazhduar deri te më të vështirat, ku i bashkohen edhe Asperger syndrom, hiperaktiviteti dhe të metat tjera mendore dhe fizike. Është e shprehur më tepër tek djemtë se tek vajzat. Diagnostifikimi i hershëm është hapi i parë më me  rëndësi dhe sa më parë aq më mirë për t’i ndihmuar fëmijës”, thekson Shpresa. Por në këto beteja të përditshme, që kanë prindër si znj. Shpresa kanë nevojë për mbështetjen e të gjithëve ne, shoqërisë, institucioneve dhe medias. Me përpjekjet e saj të vazhdueshme deri sot, ajo ka gjetur mbështetje dhe bashkëpunim në Ministrinë e Arsimit, MASHT, Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Kulturës për disa projekte, ndërsa një mirënjohje e veçantë për komunitetin shqiptar-amerikan, të cilët e kanë përkrahur me mbledhjen e fondeve për fëmijët me autizëm.  Por cilët janë hapat tjerë, që duhet të ndërmarrim ne si shoqëri për tu sensibilizuar dhe për ta përballuar dhe trajtuar në mënyrë më adekuate autizmin? “Mënyra më e duhur për fëmijët tanë me autizëm është, hapja e shkollës/qendrës për ta. Që të mos dërgohen nëpër banesa apo klasa në bodrume. Gjithashtu hapja e Qendrës për të rritur, si dhe punësimi i tyre sipas aftësive, është mënyra më dinjitoze e trajtimit shoqëror dhe njerëzor kudo në botë edhe tek ne”, apelon znj. Xhakli.

admin

Artikujt e tjetrë