Lifestyle

THETHI, Bukë, Kripë dhe Zemër

Nga  Shpend Maliqi

 

Thethi, një vend magjik  i cili të bën ta duam për pasurinë e historive, njerëzve dhe bukurive natyrore të pashtershme. Së fundmi shumë i frekuentuar edhe nga vizitorë të Kosovës për turizëm malor, por që prania e shtetasve evropianë dhe nga mbarë bota mbizotëron dukshëm dhe sipas vendasve, të huajt janë ata që e shijojnë më shumë se gjithë të tjerët këtë vend.

Në thuajse pikën më të lartë të rrugës për në Theth dhe njëherësh në vendin ku lidhen të gjitha fshatrat e Shalës, banorët përmes një monumenti të veçantë të gdhendur në gur e kanë shprehur mirënjohjen më të lartë për një vizitore të huaj, Edith Durham, shkrimtaren britanike qe u bë e famshme pikërisht për shkrimet e saj antropologjike rreth jetës në trojet shqiptare, të cilat i realizoi në udhëtimet në këtë vend në fundshekullin e XIX dhe fillim të atij XX.

Thethi në shkrimet e Durhamit vlerësohet si fshati më i izoluar në botë dhe një shekull më vonë pozita e saj gjeografike dhe investimet e ngadalshme në infrastrukturën rrugore në këto bjeshkë të egra të jepnin thuajse të njëjtën ndjesi. Por, izolimi dhe qasja më e vështirë e banorëve të Thethit me qytetin i ruajti disa prej traditave dhe zakoneve më të çmuara të kombit shqiptar si ajo e mikpritjes,  e cila shihet dhe ndjehet në sytë dhe zemrën e gjithë  banorëve që rastisë t’i takosh apo shkon mysafir  në shtëpitë e tyre.

5

Përjetimi është shumë herë me i madh nëse gjatë kohës së pushimeve në Theth ke marr me vete librin “Prilli i Thyer”  i shkrimtarit Ismail Kadare, apo veçse e keni lexuar historinë e personazhit Gjorgu, i cili ju futë thellë në psikologjinë e malësorit të vjetër dhe rregullave të rrepta të Kanunit. Vetëm atëherë e kuptoni më mirë të kaluarën dhe të tanishmen e atij realiteti, se si ka mundësi që ato bjeshkë aq të bukura të emërohen “Të Nemuna” e shumë çka tjetër.

Komunizmi, At Gjeçovi dhe digjitalizimi

Në vitin 1976 Thethi u shpall Park Kombëtar i Shqipërisë dhe u shfrytëzua si kamp pushimi Shtetëror deri në rënien e Regjimit Komunist në të 90-tat kur pothuajse u braktis komplet edhe nga banorët e saj dhe tek kur filloi të zbulohej si pikë e rëndësishme turistike nga viti 2006, banorët ju rikthyen vendit të tyre për të mirëpritur turistët të cilët nuk ndalen së vizituari për gjysmë viti me çka dhe sigurojnë pjesën më të madhe të fitimeve që i gëzojnë. Kështu për çdo vit bëjnë rinovime dhe investime të mira në shtëpi dhe ambiente me stil ndërmjet tradicionales dhe modernes për të ofruar komoditet dhe standard të lartë.

4

Ecja në këmbë është mënyra më e mirë për të shijuar gjithçka që ofron ky vend si Kisha e Thethit ku At’ Shtjefen Gjeçovi në vitin 1917 hapi shkollën në të cilën ju mësoi fëmijëve shkrimin dhe leximin e “Gjuhës Shqipe”; Muzeu Etnografik; Kulla e famshme e “Ngujimit” të cilën e përmenden Durhami në përshkrimet e saja dhe gjithashtu At Gjeçovi mbledhësi i Kanunit të Lekë Dukagjinit… Ndërsa disa nga eksplorimet atraktive natyrore mund t’i bëni tek Ujëvara e Thethit me rrjedhje 30m të lartë e cila është shumë karakteristike sepse uji i saj buron nga një shkëmb dhe është ujë i borës së shkrirë; Kanioni i Grunasit i cili është 2km i gjatë, 60m i thellë dhe varion nga 2-3m i gjerë; Ujëvara e Gjecajve e cila është rreth 25m e lartë; Liqenet e akullta në Qafë të Pejës në lartësinë 2217m mbi nivelin e detit ku shihen të gjitha majat më të bukura të Ballkanit; Syri i Kaltër i cili është diku 100 m² dhe rreth 5m i thellë, ku rrugës për atje,  has në shkëmbinj të mëdhenj të gërryer nga lumi, në të cilat janë krijuar vaska natyrale dhe ujëvara, që janë pamjet më të mrekullueshme ndër bukuritë e Shqipërisë.

Ani pse natyra të jep përshtypjen e të qenët në një botë të fshehur dhe të izoluar, globalizimi dhe teknologjia kanë prekur Thethin njësoj si Tiranën apo metropole tjera. Brenda Kullave tradicionale fshihen të gjitha pajisjet si në një shtëpi moderne në qytet me Tv-FlatScreen të lidhur me kanalet satelitore, internetin wifi, krevatet, banjat moderne etj. Në anën tjetër vendasit në pjesë të madhe janë të shkolluar dhe njëkohësisht besnik të traditave shqiptare. Ushqimi tradicional, cilësia e lartë si e atyre bio/natyral, po ashtu e mishit në krahasim me çmimet që kushtojnë në qytet janë një arsye tjetër e madhe pse është e domosdoshme të vizitohet ky vend i cili ofron jo vetëm bukuritë natyrore, por edhe akomodim dhe specialitete ushqimi prej më të mirave.

Thethi ka hyrë në listat e vendeve më të bukura dhe veçanta në botë që duhet të vizitohen. Udhëtimi zgjat 5 deri në 6 orë, dhe për të shkuar atje ju duhet të keni makinë të lartë sepse deri në Bogë ajo është e asfaltuar, por më pas paraqitet problematike, sidomos ne pjesën e Qafës së Thorës e cila nga të reshurat dhe shkrirjet e borës është në gjendje jo të mirë dhe të pa rekomandueshme për  automjete të ulëta. Opsion i mirë është të shkoni në grupe të organizuara nga Tirana, që nisen çdo mëngjes nga Shkodra. Kjo rrugë bllokohet çdo vit nga bora dhe hapja e saj behët e mundur vetëm në muajt prill ose maj.

admin

Artikujt e tjetrë