Kulturë

Një familje artistësh

Në shtëpinë e tyre arti është ulur këmbëkryq. Na ndodh shpesh që në një familje të ketë më shumë se një artist, por të cilët ndryshojnë  për nga talenti dhe personaliteti. Në familjen e artistëve Raça, revista Flatra i sjellë së bashku në këtë shkrim.

 

Nga Brunilda Merko

Fotografia: Beni Cufi

 

Ai është padyshim një nga aktorët më të mirë të kinemasë shqiptare, Sunaj Raça ka qenë udhërrëfyes jo vetëm për breza të tërë, por edhe për dy fëmijët e tij, Morean dhe Donin. Sunaj Raça ka filluar të merret me aktrim që fëmijë, ashtu si shumë artistë, kur talenti flet më shpejt se hapat e tyre.

Në atë kohë, kur isha nëntë vjeçar debutova në skenën e teatrit popullor me shfaqjen “Anna Karenina” ku interpretova rolin e Seriozësh, djalit të Annës. Më pas pasuan rolet në shfaqjen Genci, Trungu Ilir, Makbethi, Prefekti etj. Ky ishte fillimi im në skenën e teatrit por gjithashtu kam interpretuar role edhe në radio dramat e asaj kohe në Radio Prishtinë dhe në Televizionin e Prishtinës në emisionet dhe dramat televizive për fëmijë. Me përfundimin e shkollës së mesme u regjistrova në Fakultetin e Arteve, degën e aktrimit dhe pata fatin të pranohem në gjeneratën e parë të drejtimit të aktrimit.”- tregon Sunaj ndërsa gjatë studimeve dhe menjëherë pas tyre do të vinin shumë role në teatër dhe në film.

Aktori Raça i përket asaj gjenerate artistësh, të cilët kanë kaluar nëpër sfida dhe pengesa të mëdha, megjithatë ata arritën të ndërtonin historinë e kinemasë në Kosovë. Rrugëtimi i tyre është shoqëruar gjithmonë nga pasioni.

“Gjenerata ime ka kaluar në sfida të ndryshme, dihet mirë që pozita e të rinjve në Kosovë gjatë viteve të ’90-ta ka qenë shumë e vështirë. Profesionalisht ka qenë e pamundur të krijohen hapësira dhe mundësi bashkëpunimi me vendet tjera dhe kjo sigurisht që ka qenë një e metë e madhe, por me punë dhe me vullnet kemi arritur ta mbajmë gjallë dëshirën dhe pasionin. Sot ndoshta sukseset janë rezultat i punës së madhe të cilën e kemi ndërtuar dhe kultivuar qysh nga koha studentore pasi që vetëm kultura e punës garanton sukses në çdo fushë.”- nënvizon aktori.

048-23low

Për të ka qenë gjithmonë e rëndësishme që për të ecur përpara së pari çdo aktor duhet të ketë dëshirën për të ushtruar këtë profesion, por më e rëndësishme është  puna, disiplina dhe kultura. Sipas tij, aktori që të ketë sukses në profesion duhet të ketë kulturë të përgjithshme në fushën e artit, duhet të njohë letërsinë, muzikën, teatrin, filmin. Pra duhet të këtë një shije të hollë dhe të jetoj jetë i rrethuar me veprat e artit që i’a ofron bota artistike. Një botë që ai ka krijuar për vetveten, për të qenë sot një ndër aktorët më të përmbushur, nga ana tjetër një botë e cila ka ndikuar te fëmijët e tij.

“Unë nuk kam ndikuar drejtpërdrejtë, por pa dyshim ka ndikuar mënyra se si ata e kanë parë babin e tyre gjatë kohës derisa ata janë rritur. Sado që profesioni i aktorit kërkon sakrificë kjo nuk ka ndikuar negativisht te ta por si duket ka qenë inspirim për t’i drejtuar ata drejt rrugës së artit.”

 

More Raça

Ajo është shpërblyer me disa çmime ndërkombëtare për disa nga filmat që ka realizuar, More Raça, mes sfidave dhe sukseseve, tashmë është një nga regjisoret, ka nisur të lërë gjurmët e veta.

“Me filmin “Amel” kam marrë pjesë në mbi 50 festivale ndërkombëtare dhe jam shpërblyer me 14 çmime, përfshire çmimin special të jurisë në “Kin” International Film Festival në Yerevan të Armenisë, çmimin e publikut ne CortoImola Film Festival në Imola të Italisë, çmimin Alinda Dimitriou në Altcine Action! Në Athinë, Greqi, çmimin për skenarin më të mirë në Asterfest në Strumicë te Maqedonisë. Sigurisht krijuesit sfidohen gjatë realizimit të projekteve të tyre edhe unë padyshim kam pasur shumë sfida duke marrë parasysh se sa me vështirësi sigurohen fondet për realizimin e projekteve filmike dhe sa është vështire ato t’i menaxhosh. Përveç kësaj distribuimi i filmit është një problematikë në vete dhe kjo është një sfidë shumë e madhe kur filmi përfundon dhe duhet të distribuohet. Unë kam gjetur distributorin për projektin tim dhe kjo ishte një lehtësim për plasimin e filmit në arenën ndërkombëtare, sigurisht se për të arritur deri aty duhet të ketë film të arrirë dhe të suksesshëm. Tani jam në përgatitjet e filmit të ri të subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovë,s film ky që do të realizohet në bashkëpunim me kompaninë filmike  Greke Tëo Thirty Five, kompani shumë e njohur në Evropë.”- shprehet regjisorja.

Flatra1low

Gjithçka e ka një pikënisje në personalitetin e çdo artisti dhe More është pjesë e këtij rregulli, ajo ka qenë në rreshtin e parë sa herë babai i saj ka interpretuar në teatër apo ka interpretuar në film.

“Çdo rol të tij e kam bashkëndjerë edhe unë me të pasi në të shumtën e kohës ai ushtronte rolet në shtëpi, shumëherë bëhesha partner kur kishte dialogje në tekst gjatë ushtrimeve. Ndoshta kjo do të më drejtonte në rrugën e aktrimit, por unë e zgjodha regjinë e filmit. Mendoj se një regjisor i mirë duhet t’a njohë botën e aktorëve së pari, e më pas, të njihet me teknikat regjisoriale.  Babai kurrë nuk ka ndikuar te unë se cilin profesion ta zgjedhë, por gjithmonë ka qenë shembull për mua.”

Megjithëse zgjodhi fushën e artit, More, vendosi të bëhet regjisore, një fushë, e cila deri pak kohë më parë dominohej nga meshkujt, e sot kemi plotë shembuj të suksesshëm të regjisoreve femra.

“Femra në shoqërinë tonë, e cila është ende në tranzicion, kuptohet se është me një pozitë jo të barabartë. Sot femra fuqishëm po ndikon në rritjen e vlerave të shoqërisë kosovare, në shumë sfera femrat janë treguar shumë të suksesshme duke na përfaqësuar në arenën ndërkombëtare. Në botën e artit femrat gjithsesi punojnë për të zënë vendin e merituar, gjatë viteve të fundit nuk kanë munguar sukseset e femrave regjisore dhe kjo patjetër se është një shenjë shpresëdhënëse se në këtë shoqëri përkundër sfidave femra po e tregon vlerën e vet të pamohueshme. Mungon akoma përkrahja e duhur dhe e barabartë e femrës në të gjitha sferat e jetës. Edhe në kinematografi duhet t’i jepet më shumë hapësirë femrës.”

Don Raça

Ashtu si pjesëtarët e tjerë të familjes nuk kishte sesi edhe Doni të mos jetë artist, mbi të gjitha i suksesshëm. Ka ndjekur gjurmët e të atit, por është krejtësisht ndryshe në mënyrën sesi e sheh filmin.

“Të kesh baba një aktor sigurisht se të krijohet një hapësirë tjetër … më ndryshe… në shtëpinë tonë filmi ka një rëndësi shumë të madhe. Shumë herë ne shikojmë filma bashkë dhe diskutojmë rreth tyre. Shija dhe stili im i filmit është krejtësisht ndryshe, unë kam një vizion tjetër për filmin dhe kjo është ndoshta një stimulim pozitiv i debateve tona të gjata rreth filmit. Kuptohet që përvoja e babait tim së pari si artist është një trampolinë për mua. Hera e parë kur unë me babin tim ishim bashkë në një projekt ishte filmi “Etjetet e Kosovës” atëherë isha 9 vjeç, pra debutova sikurse edhe babi im në po të njëjtën moshë, ndoshta është koincidencë. Projekti tjetër në të cilin mora pjesë bashkë me babin ishte filmi “Kolona” ku interpretova rolin e të birit.”

Ai nuk e ka diskutuar asnjëherë me babin se cili profesion do ta zgjedhte, pasi është ende në studime, i ndarë mes të aktrimit dhe regjisë, shumë i ri, megjithatë i sprovuar në të dy fushat dhe padyshim se këto janë profesionet që ai i do. Tashmë me disa çmime edhe për realizimin e filmit të tij të parë, ai ka ende sfida përpara.

 “Kam realizuar në maj të 2015,  filmin tim të parë debutues të metrazhit të shkurtër me titull “5 euro”. Filmi ka pas sukses pasi është përzgjedhur në dhjetëra festivale dhe ka fituar çmimin për filmin më te mirë në Watch Out!Film Festival 2015, çmim ky që ndahet nga fondacioni gjerman Goethe- Institut. Në art është vështirë të thuhet për dikë që është më i miri, në art vazhdimisht je në kërkim. Artisti nuk ndalet para një suksesi pasi që menjëherë pas një suksesi ose mossuksesi të pret një sfidë e re.”

admin

Artikujt e tjetrë