Gruaja

Gruaja refugjate e politikës finlandeze

“Jam kundër çdo forme të dhunës pasi dhuna prodhon vetëm dhunë, andaj e ardhmja duhet të ndjekë rrugën e tolerancës, komunikimit dhe ruajtjes së traditës e identitetit.”

 Nga Elisa Nikolla / Foto: Henna Koponen

Fatbardha Hetemaj, një tjetër grua e suksesshme, e cila po e dëshmon veten në politikë, ekonomi dhe aktivizim në shtetin e Finlandës. Për Flatrën ajo tregon për të arriturat, sfidat, përballjet dhe kontributin e saj në zgjidhjen e problemeve shoqërore, që e veçojnë në vendin ku jeton dhe vepron. Si shumë shqiptarë të Kosovës, edhe familja Hetemaj prej gjashtë anëtarësh u detyrua të merrte rrugën e vështirë të emigrimit për t’i shpëtuar regjimit serb. Prindërit e Fatbardhes, Miftari dhe Eminja ishin, që të dy juristë me profesion, të cilët iu drejtuan Finlandës si vendi ku garantohet dinjiteti, drejtësia, siguria, shkollimi dhe ardhmëria për fëmijët e tyre.

Me shkollimin si vlerën fondamentale për tu ngritur dhe veçuar në një shoqëri ku vlerësohet dija, Fatbardha pas shkollës së mesme iu drejtua  Universitetit Worcester në Angli ku u diplomua për “Burime Njerëzore dhe Studime në Media”. Më pas studimet i përqendroi në shkollën ekonomike të Stokholmit në Suedi, duke magjistruar së fundmi për “Strategji dhe Menaxhim Ndërkombëtar” në shkollën ekonomike Hanken, në kryeqytetin Finlandez.

“Nuk mendoj që ka ndonjë punë që unë nuk arrij ta bëj”, – tregon Fatbardha derisa shton se puna për të ishte një mjet për tu pavarësuar dhe për të lehtësuar edhe familjen e saj. Ndërsa përvojat e para në punë për të  ishin nga më të zakonshmet dhe me anë të edukimit profesional arriti deri në përmasa ndërkombëtare.

jpg038 copy

Fatbardha është shembulli më i mirë i integrimit të emigrantëve të të gjitha komuniteteve në Finlandë duke u cilësuar si “Gruaja refugjate e vitit 2009”, nga Këshilli për Refugjatë i po këtij vendi . Kështu  fenomeni i ri i quajtur “Fatbardha Hetemaj” zgjoi interesimin edhe të partive politike, ku ndër kërkesat e shumta që ajo pati , zgjodhi partinë Konservatore me parime liberale, pro vlerave individuale siç janë liria, mundësitë kualitative, civilizimi, mbështetja, toleranca dhe kujdesi.  Ajo pati ndikim të madh  në vetëdijesimin e rinisë për rëndësinë, që ka vota e tyre në zgjedhjen e politikanëve që më së miri mund t’i përfaqësojnë interesat e tyre. “Me triumfin e partisë sime, u ndjeva më se e përmbushur pasi në të vërtetë triumfuan vlerat shoqërore. Pa dyshim se investimi në dije dhe shkrirja në punë ishte ajo që më ndihmoi të arrij suksesin, duke mos lënë mënjanë aktivitetet në përpjekje për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve në përgjithësi dhe posaçërisht për integrimin e emigrantëve në shoqërinë finlandeze, që me apo pa dashje më shtyn drejt rrugës së përfaqësimit të tyre si politikane.” Me votat e mijëra qytetarëve  arriti që sot fatbardha të jetë anëtare e Këshillit në kryeqytetin e Finlandës.

Fatbardha beson në rininë shqiptare të Kosovës për sa i përket arsimimit, emancipimit dhe integrimit në Bashkësinë Evropiane. “Ngritja intelektuale e tyre dhe hapat e sigurt drejt vlerave evropiane, në bazë të meritokracisë forcon gjithashtu pozitën e gruas në këtë shoqëri duke u shndërruar në matës të drejtpërdrejtë të demokracisë së vendit.”

Padiskutim që Fatbardha tashmë futet në listën e grave të suksesshme shqiptare në botë. Mesazhet që përcjellë ajo janë të shumtë dhe të drejtpërdrejtë ashtu siç është vetë karakteri i saj. Ajo ngre lart vlerat prindërore dhe ato familjare, inspirohet nga arritjet dhe sukseset e tjetrit dhe mohon kategorikisht të kundërtën; patriotizmin dhe besimin fetar ajo i sheh si vlera personale dhe assesi me karakter imponues ndaj tjetrit. “Jam kundër çdo forme të dhunës pasi dhuna prodhon vetëm dhunë, andaj e ardhmja duhet të ndjekë rrugën e tolerancës, komunikimit dhe ruajtjes së traditës e identitetit.”

admin

Artikujt e tjetrë