Gruaja

Njëra prej nesh….

Një rrëfim i sinqertë divorci, një histori, ku secila prej nesh mund të jetë protagonistja në këtë shoqëri që jetojmë.

 

Nga Jonida Balla

 

Pyetja më e shpeshtë që i kam bërë vetes sime ishte “a e kam dashur ndonjëherë?” Kështu e nisë rrëfimin Teuta, një 35 vjeçare, e cila ka rinisur jetën e saj nga e para. Për herë të parë në një rrëfim shumë personal kjo grua, nënë…bashkëshorte hap zemrën, rikthen kujtimet e hidhura për lexuesin e Flatrës, në veçanti për ato qindra femra që mund të kenë apo kanë pasur një fat si i saj. Ne do t’i ruajmë anonimitetin, jo sepse ishte dëshira e saj, por kjo ishte zgjedhja jonë, se në këtë mënyrë secila prej nesh do të gjejë historinë e saj….

 ….dashuria e bankave të shkollës

Aty ku secili prej nesh ka  gjetur  simpatitë e para, puthjen apo dashurinë e parë. Kështu ka ndodhur dhe me personazhin tonë. Ishte një 17 vjeçare kur  u dashurua për herë të parë me “atë” si e quan ajo. Një gjimnaziste, që një dashuri i ndali frymën, por i dha flatra…Teuta kishte filluar të ndjehej femër kur ai i kishte propozuar, puthur e dashuruar. Atëbotë, ajo kishte ndjerë se i përkiste dikujt. Kishte tashmë një lidhje, një obligim t’i përgjigjej telefonatave, dikujt që e xhelozonte se e dashuronte! “Filloi gjithçka kur isha në shkollë të mesme, atëherë kur unë shkova diku me shoqërinë time pa i thënë atij, dhe kur e takova më qëlloi me shpullë…ishte me të vërtetë shumë shokuese për mua…por e vetmja mu duk. Ai  mu betua, më kërkoi me dhjetëra herë falje se nuk do ta bënte më, dhe se e kishte nga xhelozia. Nisi kështu për të vazhduar deri në divorcin tonë. Por këtu dua të theksoj së pari, tashmë që shoh në retrospektivë, disa prej faktorëve, e para ne ishim të ndryshëm në mentalitet, por atëherë sigurisht që nuk e vëreja. Unë isha lindur dhe rritur në Pejë, ndërsa ai vinte nga një fshat shumë i thellë i Kosovës. Së dyti, në atë periudhë familja e tij ka qenë në gjendje ekonomike shumë të mirë, ndërsa pas lufte kur u martuam bashkë, si shumë të tjerë, kushtet financiare ndryshuan.  Ndoshta nga renditja nuk është e fundit, por së treti, kur nuk ka dashuri, gjithçka është e destinuar të përfundojë”, tregon ajo. Megjithë përpjekjet e saj për ta justifikuar sjelljen e tij si dashuri….gjithçka po merrte tatëpjetën, ashtu si Kosova, e cila ishte në prag lufte, e për t’i shpëtuar kësaj situate vendosën që të shkonin në një nga vendet e Evropës, dhe  për këtë ju duhej të fejoheshin. “Por për shkaqe të ndryshme, u kthyem sërish në Pejë, ku për fatin tim të keq, sa më e rëndë bëhej lidhja jonë, aq më shumë shkonim ne drejt hapave të rëndësishëm dhe vendosëm që të martoheshim. Unë e di, që dikush nga ata që do të lexojnë rrëfimin tim do të thonë pse, sa absurde, por gjithçka e ka një arsye që ndodh, a nuk mendoni kështu?! Arsyeja ime ishte fëmija që mbaja në bark. Jetonim në një shtëpi me prindërit dhe motrat e tij. Përplasja e mentaliteteve tashmë ishte më e pranishme, unë e rritur në një familje ku respektohej dhe vlerësohej secili, qoftë femër apo mashkull, e bija apo nusja e shtëpisë. Ndërsa gjërat këtu ndryshonin plotësisht.  Ai tani gjente edhe më shumë arsye për të më qëlluar.  Nuk arrita asnjëherë ta kuptoja, edhe pse e kam provuar vet, sesi një mashkull që lind nga barku i një femre është në gjendje të rrah një grua shtatzënë?! Ai e bënte vazhdimisht me mua…ndërsa familja e tij dëgjonte e shihte gjithçka”- Teuta ka me dhjetëra ngjarje të vogla gjatë periudhës kur priste fëmijën e saj të parë.

 Mund të ndryshojë gjithçka një bebe?!

Sa prej nesh kanë menduar në momente të vështira apo kriza në lidhje apo martesë  t’i zgjidh me një bebe, një fëmijë, se ndoshta gjërat ndryshojnë? “Asgjë nuk ndryshoi edhe pas lindjes së fëmijës sonë…ai vazhdonte të ishte i njëjti ndaj meje…më kujtohet një moment, dhe më ndodh gjithmonë kur shoh ndonjë nënë që ushqen fëmijën e  saj me gji….ka qenë rreth 3-muajsh ishte shumë ftohtë dhe fëmija filloi të qante shumë, unë po përpiqesha ta ndërroja  ndërsa ai bërtiste jepi të pijë, pushoje…i thashë sa ta ndërrojë se është ftohtë, më qëllon fort në fytyrë, e merr fëmijën ashtu gjysmë të zhveshur, ma vendos në gji, më jep në dorën tjetër një peshqir të fshija gjakun që më rridhte nga hundët…”, rrëfen ajo dhe këtu nuk ka më vend për të kuptuar.  Ndërkohë që brenda shtëpisë së saj, familjes që kishte krijuar, brenda vetvetes zhvilloheshin kaq shumë gjëra, jashtë saj, si një mur i lart rrethues asgjë nuk dukej. “Askush nga familja dhe shoqëria ime nuk dinte gjë, më shihnin dhe mendonin se isha e lumtur, në fakt unë isha bërë tashmë një aktore për “Oscar”. Disa herë më kanë parë fytyrën mavi, e rrenat e mia ishin nga më të ndryshmet, as mendja nuk ua merr. Nuk e di pse….ndodh që njëherë vëllai im shumë më i vogël, e sheh kur më qëlloi iu luta aq shumë sa të mos tregonte dhe nuk e bëri….sa do të doja tu kishte treguar prindërve të mi apo një shoqeje, dikujt që të mund të flisja të paktën, edhe pse atëherë isha fill e vetme, pa shoqe apo shokë”. Ai dalëngadalë kishte fshirë gjithçka nga e kaluara e saj, ai ishte bërë e shkuara, e tashmja dhe nëse do ta lejonte edhe e ardhmja.

 Ndarja

“Për shkaqet ekonomike duhej të punoja dhe unë, por itinerari im ka qenë shumë i përcaktuar, shtëpi-punë ndërsa te prindërit duhej të shkoja kur të thoshte ai. Rreth 2 vjet e gjysmë kam qenë në këto rrethana. E në gjithë këtë unë nuk po njihja më vetveten. Isha shndërruar aq shumë…në një njeri të dhunshëm, të ashpër e të pakulturuar. Përveç dhunës fizike e psikike, sepse dikur kisha frikë në çdo veprim apo fjalë që thosha se mos reagonte ai, mund të them se dëmi më i madh, që po bëhej ishte në personalitetin tim. Kisha ndryshuar plotësisht”, – tregon ajo.  Dhe derisa ai i kishte mavijosur sa e sa herë trupin, tashmë kishte arritur të mavijoste edhe shpirtin e saj. Por jo tërësisht. Me atë pak shpirt të shëndoshë që kishte arritur të ruajë, e mori vendimin jetësor për të dalë nga ajo shtëpi, dhe për të ndërprerë qarkun që shpejtë, që përndryshe do i merrte dhe jetën. “ Gjithçka është akumuluar me kohën, asgjë nuk vjen ashtu papritur. Është e vërtetë se unë atë mëngjes mora vendimin për ta lënë, por protagonisti ishte ai prej shumë kohësh. Pas zënkës së radhës, mora vajzën e shkova te im atë, dhe u tregova gjithçka…ishte shumë e vështirë, por ishte sekreti dhe e vërteta ime më e madhe. Nuk ka asgjë si një derë që hapet para teje sa herë ke nevojë, si dera e shtëpisë tënde. Unë e di se ka shumë gra që nuk munden të ndahen sepse nuk kanë asnjë mbështetje dhe kjo është një dramë më vete. Në rastin tim familja ishte aty për mua. Sot jam një grua me dy fëmijë, një bashkëshort mirëkuptues, gjysma ime tjetër, një punë dhe shoqërinë time, atë të vjetrën dhe të re. Sot jam unë…ajo që kisha dashur që në bankat e shkollës të isha…”.

admin

Artikujt e tjetrë