Kulturë

Forca e muzikës

Trio “Vivo”, e përbërë nga Lejla Haxhiu Pula, pianiste, Enkeledja Zajmi Gorani, flautiste dhe sopranoja Besa Llugiqi, është një përqendrim energjie, e cila shpërndahet nëpër Kosovë me gjithë forcën magjike të muzikës.  

 

 Nga Vjosa Çerkini /Fotografia: Bardha Neziri

 

 Lejla Haxhiu Pula, pianiste

DSC_0528 copy

Ajo është një ndër pianistet më të shquara të Kosovës, Lejla Haxhiu Pula, njëkohësisht edhe drejtoreshë artistike e “Chopin PianoFest -it“, sinonim i kulturës në vend, dhe koncerti i fundit, ishte një konfirmim i këtij kontributi. “Në edicionin sapo e lamë pas të “Chopin PianoFestit”, si Trio Vivo prezantuam një program muzikor, i cili nuk luhet shpesh te ne, dhe paraqiti me siguri një freski për skenën tonë muzikore. Ne jemi bashkuar për ta ndarë kënaqësinë e muzikës të përbashkët. Kjo dëshirë për bashkëpunim artistik lind nga dashuria ndaj muzikës, nga nevoja e të shprehurit dhe komunikimit përmes muzikës! Zakonisht artistët i bashkon sensibiliteti dhe  afiniteti i ngjashëm artistik. Çdo aktivitet artistik udhëhiqet nga kjo ndjesi, nga afërsia e të menduarit dhe ndjenjës muzikore. Sigurisht që edhe niveli i interpretimit në aspektin teknik dhe cilësia artistike e interpretimit paraqet një inspirim dhe nxitje për të bashkëpunuar dhe e lehtëson realizimin e suksesshëm të veprës muzikore”, shprehet për Flatrën pianistja. Por ajo çfarë e bënë të veçantë një trio muzikore klasike është pa diskutim përmbajtja dhe veprat, të cilët përbëjnë edhe thelbin e këtij bashkëpunimi mes këtyre artisteve. “Hulumtimi i literaturës jo aq të njohur muzikore për ne, për këtë  formacion interesant është një punë mjaftë me kërkesa profesionale për ne si interpretuese. Gjithashtu edhe përpunimi i tyre dhe shpalosja e vlerave artistike dhe përmbajtjes së pasur muzikore të këtyre veprave paraqet një sfidë të veçantë. Gjithashtu në programin tonë gjenden edhe veprat e kompozitorëve shqiptarë të shkruara enkas për ne”. Pianistja e shquar ka një meritë të madhe, që tashmë prej disa vitesh radhë i jep ngjyrë jetës kulturore në vend nëpërmjet “Chopin PianoFestit”, duke na sjellë artistë nga të gjitha vendet. “Më vjen mirë që me anë të këtij angazhimi po e japim edhe ne, një kontribut të vogël në pasurimin e jetës kulturore në Kosovë. Kjo ishte dashur të jetë edhe detyrim i artistëve, avancimi dhe kultivimi i muzikës së mirëfilltë dhe interpretimit cilësor”, tregon ajo. Tingujt që shpërndaheshin nga ky festival na treguan se me vullnet dhe dashuri ngjarje të tilla mund të realizohen. Se megjithë evoluimin e përditshëm të zhanreve të muzikës, ka diçka që koha nuk e zbehë kurrë dhe ajo është muzika e mirë, interpretimi “live” i saj. “Me këtë rast dëshiroj si profesioniste të apeloj që në çdo zhanër muzikor të interpretohet “live“ sepse ajo është e vetmja garanci dhe mbrojtje e cilësisë. Kuptohet se kjo kërkon sakrificë dhe punë, por e ka vlerën dhe bukurinë e vet të pakrahasueshme me asgjë tjetër dhe e garanton depërtimin dhe plasimin e vlerës muzikore. Në këtë duhet të insistojnë profesionistët muzikorë patjetër sepse është e vetmja mënyrë për ta mbrojtur talentin dhe cilësinë”, shprehet znj.Lejla Haxhiu Pula.

 

Enkelejda Zajmi Gorani, flautiste

DSC_0674 copy

Ka studiuar në Akademinë e Arteve të Tiranës, punoi rreth 10 vjet në Teatrin e Operës dhe Baletit, flautistja e mirënjohur, Enkelejda Zajmi Gorani prej vitesh performon në Kosovë. Ajo është një nga ato artiste, e cila “të rrëmben” me tingujt e flautit dhe falë çaste magjie, njëjtë si ndodhi në koncertin e tyre në “Chopin PianoFestit”.“Bashkë me dy koleget e mia, pianisten e mirënjohur Lejla Pula dhe sopranon e talentuar Besa Llugiqi e përzgjodhëm me kujdes repertorin e këtij koncerti. Por, gjithsesi unë nuk mund ta fsheh një lloj afeksioni të posaçëm për poemin solo flaut të kompozitorit të njohur amerikan Charles Griffes, kuptohet pse është një vepër e njohur e literaturës për flaut, ndërsa nuk do mund të mos përmend këtu dy vepra shqiptare, trio të kompozuara nga kompozitori ynë i njohur Rafet Rudi dhe kompozitorja e re shumë e talentuar Lyra Kastrati. Janë vepra që unë i kam shumë për zemër dhe ndihem e nderuar që tashmë i kam në repertorin tim. Në fakt dhe festivali ka si pretendim stimulimin e veprave dhe kompozitorëve kosovarë e në këtë kuadër unë mendoj se këto dy trio janë vepra të denja për çdo lloj festivali ndërkombëtar, aq më tepër që një nga triot mban autorësinë e kompozitorit tonë të mirënjohur Rafet Rudi, veprat e të cilit tashmë interpretohen në shumë vende të botës” – tregon flautistja. Ndërsa në lidhje me vështirësitë e realizimit të eventeve të tilla, flautistja mendon se mungesa e një salle koncertale është një nga problemet kryesore. “Ajo që mund të them unë në këtë pikë është se nga viti në vit përballemi me të njëjtin problem: mungesën e një salle adekuate koncertale, problem ky që me gjasë do na shoqërojë gjatë. Derisa ta kemi një sallë tonën do na duhet të koncertojmë nëpër salla të improvizuara. Kjo mendoj unë është një nga vështirësitë e punës sonë, edhe e këtij festivali dhe festivaleve të tjera të ngjashme në Kosovë, pasi të mos harrojmë, të gjitha festivalet e muzikës klasike që mbahen në Kosovë janë ndërkombëtarë dhe begatohen nga pjesëmarrja e shumë instrumentistëve të njohur botërorë”, shprehet ajo. Megjithë magjinë që këta instrumentistë i falin me koncertet dhe talentin e tyre shoqërisë sonë, sërish mungon mbështetja e duhur për ta. Por ka diçka që i mban fort këta artistë me dëshirën për të kontribuar në artin tonë, dashuria e publikut. “Si gjithmonë ajo nuk mungon. Prishtina ka një publik besnik të muzikës klasike, i cili e ndjek punën tonë edhe në sallat e improvizuara koncertale. I përkulem këtij publiku dhe duartrokitjeve të tij. Mirënjohëse për të!”, përfundon flautistja Enkelejda Zajmi Gorani.

Besa Llugiqi, soprano

DSC_0553 copy

Tashmë zëri i saj është konfirmuar me plotë shpërblime ndërkombëtare si një nga zërat më të bukur të skenës shqiptare, sopranoja Besa Llugiqi është zëri i Trio Vivo-s, që mbushi sallën ku u mbajt koncerti. Me një shkathtësi vokale, thjeshtësi dhe talent janë karakteristikat kryesore të Besës, sopranoja e cila  ka arritur të kombinojë romancën e operës me freskinë e saj, spontanitetin dhe përgjegjësinë e skenës. Vetëm pak kohë më parë sopranoja shqiptare u nderua me një çmim ndërkombëtar. “Më duhet të pohoj se ka qenë një moment i veçantë, njëkohësisht dhe i bukur shpërblimi me çmimin Grand Prix në Bullgari, vitin e shkuar. Një ndjenjë shumë e bukur të vlerësohesh maksimalisht nga juria në një vend ku nuk njihesha më parë si artiste”, rrëfen për Flatrën Besa. Ndërkohë që zëri i saj jehon nëpër skena ndërkombëtare, madje edhe shpërblehet, Kosova ende nuk ofron shumë mundësi për artistët tanë. “Mendoj që muzika klasike është mjaft e pranueshme, por muzika klasike nuk përkufizohet vetëm me muzikën simfonike. Unë mendoj që muzika vokale është krejtësisht e lënë pas dore duke përfshirë muzikën operistike që unë personalisht nuk llogaris në ndonjë ndryshim të madh në Kosovë”, pohon ajo. Në fakt gjithmonë ka pasur një trajtim jo korrekt për muzikën klasike dhe artistët që e përbëjnë atë, megjithëse i kanë dhënë aq shumë kulturës dhe artit tonë. Ka shumë sfida me të cilat përballen sot artistët dhe kultura jonë në përgjithësi. Në lidhje me këtë sopranoja ngre një tjetër problem që lidhet ngushtë me ngjarjet kulturore që zhvillohen në Prishtinë, sipas të cilës, ka mjaftueshëm por që nuk bëjnë një shpërndarje edhe në qytetet e tjera të vendit. “Kosova nuk përkufizohet vetëm me kryeqytetin dhe mendoj që qytetet e tjera janë zhdukur nën hijen e Prishtinës , nuk mendoj që duhet t’i japim prioritet vetëm Prishtinës në këtë kohë ka mjaft festivale që mbahen në Prishtinë, ndaj mendoj që është një gjë shumë e bukur. Por besoj do të ishte mirë që ndonjëherë të merrnin përmasa në të gjithë vendin, jo vetëm kryeqyteti ta këtë kënaqeshin t’i ndjeke këto koncerte kjo duhet të jetë politikë edhe e vendit tonë që si duket nuk e ka prioritet artin dhe kulturën …”, përfundon sopranoja.

admin

Artikujt e tjetrë