Gruaja

Filozofia e viktimizimit dhe çfarë fshihet pas tij

Nga Ravesa Nano

 ‘Viktimizimi’, ‘viktimologjia’ dhe ‘viktima’ megjithëse janë tre koncepte që i referohen të njëjtit fenomen nënkuptojnë procese të ndryshme. Nga të tre këto koncepte, ‘viktimizimi’ është koncepti më i gjerë dhe më gjithëpërfshirës. Ai përkufizohet si një mënyrë që përdoret për ta bërë dikë që të ndihet keq, trajtim i pandershëm i personit dhe vendosja e tij/ saj në një pozicion të keq.

Sipas përkufizimit më të zakonshëm, viktimizimi ndodh atëherë kur e trajton keq dhe në mënyrë armiqësore një person, atëherë ky është një shembull i pastër viktimizimi.

‘Viktimizimi’ mund të ushtrohet kundër një personi, një grupi personash, një minoriteti etnik ose një popullsie të tërë. ‘Viktimizimi mund të ndahet në dy lloje të veçanta: viktimizim primar dhe sekondar. Viktimizimi primar, i referohet eksperiencave të viktimave për krime që janë kryer kundër tyre. Në mënyrë që këto eksperienca të trajtohen në mënyrë të plotë, duhet që të mblidhen dokumente të zgjeruara mbi natyrën e krimit, incidencën e përsëritjes së viktimizimit, ndikimin që krimi ka pasur mbi viktimën, dhe frikën nga krimi. Viktimizimi sekondar, i referohet trajtimit që viktima merr nga institucionet e drejtësisë penale, të tilla si policia, prokuroria dhe gjykatat’ .

Nga ana tjetër, ‘viktimologjia’ është shkenca që merret me studimin e viktimizimit. Shumë njerëz besojnë që ‘viktimologjia’ është një fushë specifike ose një nën-degë brenda kriminologjisë. Në fund të fundit, çdo ngjarje kriminale përfshin së paku një viktimë dhe një person që kryen një vepër penale. Disa të tjerë mendojnë që meqenëse ‘viktimologjia’ është një degë kaq e gjerë, ajo duhet të qëndrojë si një disiplinë e veçantë ose së paku më vete. Sipas tyre, do të vijë një ditë që në katalogët e universiteteve do të rreshtohet edhe ‘viktimologjia’ si një fushë e madhe studimi siç është për shembull biologjia, kriminologjia, psikologjia, matematika dhe shkencat politike. Për zhvillimin e teorisë së ‘viktimologjisë kritike’ Mawby & Walklate (1994) identifikuan tre kategori të mëdha të viktimologjisë akademike:

  1. Viktimologjia pozitiviste: e cila e përkufizon viktimizimin sipas kodit penal; bazohet te idetë e fajësimit që bën viktima; dhe e propozon viktimologjinë si ‘shkencë’;
  2. Viktimologjia radikale: e cila përfshin viktimizimin përtej kufijve të kodit penal; përfshin të drejtat e njeriut; dhe shqyrton rolin e shtetit kapitalist në rritjen e viktimizimit;
  3. Viktimologjia kritike: kombinon aspekte të viktimologjisë pozitiviste dhe radikale për të ri-konceptualizuar viktimën; shikon eksperiencat e viktimave individuale dhe ndikimin që kanë pushtetet sociale dhe politike mbi to; kritikon konstruktivizmin e viktimës si një ‘konsumator’ të shërbimeve viktimizuese.

Ekzistojnë modele të ndryshme për të krahasuar dhe për të nënvizuar se ka disa kategori të drejtësisë penale. Për shembull King (1981) ka identifikuar gjashtë modele të drejtësisë penale (modeli i një procesi të drejtë; modeli i kufizimit të krimit; modeli mjekësor; modeli burokratik; modeli i kalimit të statusit dhe modeli i pushtetit), të cilit Davies et al. (1995) i shton dhe një model të shtatë (modeli i braktisjes). Kur përshkruajnë tiparet karakteristike të çdo modeli, shumë studiues shpjegojnë impaktin/ ndikimin që secili prej këtyre modeleve ka mbi të pandehurin/ agresorin, dhe shpesh injorojnë ose i referohen fare shkurtimisht ndikimit që secili prej këtyre modeleve ka mbi viktimat/ dëshmitarët’.

Në botimet e studiuesve më të hershëm që janë marrë me viktimizimin, ‘von Hentig deklaronte që viktima ishte shpesh shkaku që shkaktonte aktin kriminal. Mesazhi që donte të transmetonte von Hentig ishte i qartë. Deri në atë kohë ekzaminohej vetëm rezultati i një akti kriminal dhe kjo gjë bënte që të shfaqej një pamje e shtrembëruar se kush ishte viktima e vërtetë apo kush ishte agresori në të vërtetë. Një inspektim më i afërt i dinamikës në të cilën kishte ndodhur ngjarja sipas von Hentig mund të tregonte se shpesh viktima ishte një kontribuues i viktimizimit të tij apo të saj. Von Hentig e zgjeroi më tej nocionin e viktimës dhe e shndërroi atë në një ‘agjent provokator’ në një libër të tij të cilin e titulloi ‘Krimineli dhe viktima e tij’. Ai shpjegonte që një vëmendje më e madhe i duhej kushtuar rolit që luan viktima në provokimin e krimit… Me këtë përqasje të re filluan të hapeshin dyer të reja drejt investigimit të krimit’.

Sipas studiuesit Doerner ‘von Henting nuk ishte aq naiv që besonte që viktima mund të kontribuonte vetë drejt krimit. Kontributi i viktimës në fakt kishte të bënte me karakteristikat ose pozicionin social që ai kishte dhe që qëndronin jashtë kontrollit të individit. Si rezultat, von Hentig i klasifikoi viktimat në 13 kategori në varësi të prirjes që ata kishin për tu viktimizuar. ‘Shumë nga kategoritë e viktimave të von Hentig reflektojnë paaftësinë për ti rezistuar agresorit për shkak të disavantazheve fizike, sociale ose psikologjike. Për shembull, fëmijët, gratë, dhe personat e moshuar kanë më shumë gjasa që tu mungojë forca fizike për t’i rezistuar agresorit. Emigrantët dhe minoritetet, për shkak të diferencave të tyre kulturore, mund të ndihen jashtë shoqërisë. Kjo mungesë familjariteti mund ti çojë ata drejt situatave ku bëhen pre e agresorëve. Individët që nuk janë mirë mendërisht ose të ‘ngathët normalë’, të depresuarit, të vetmuarit, ose të bllokuarit mund të mos kuptojnë se çfarë ndodh rreth tyre dhe mund të mos jenë në gjendje që të rezistojnë’ .

‘Viktimologët e parë kryesisht dështuan për të parë dëmet që mund ti shkaktonte një agresion viktimave, i injoruan përpjekjet e viktimave për tu rehabilituar dhe për të rekuperuar dhe anashkaluan një mori shqetësimesh të tjera të tyre. Në përpjekjen për të kuptuar shkaqet e një krimi, ato u përqendruan në faktin sesi viktima kontribuonte në dorëzimin e tij/ saj drejt agresorit. Si pasojë, nga ideja e rënies së viktimës në kurth lindi shqetësimi mbi ‘fajësimin e viktimës’’. Sipas Beniamin Mendelsohn, i cili njihet edhe si ‘babai’ i viktimologjisë dhe i cili shpiku termin ‘viktimologji’, viktimologët kërkojnë që të investigojnë shkaqet e viktimizimit në mënyrë që zbulojnë mekanizmat për ta ndalur atë. Sipas tij, për shkak se njerëzit vuajnë disa lloje viktimizimi dhe nga shumë faktorë të tjerë shkakësore, do ishte nje perspektivë shumë e ngushtë nëse do të fokusoheshim vetëm te viktimizimi penal. Mendelsohn kërkonte që të kishte një term më të përgjithshëm, e tillë si për shembull viktimologjia e përgjithshme, për t’iu përshtatur kuptimit të vërtetë të kësaj fushe .

Në dekadat e mëvonshme Mendelsohn bën një tjetër klasifikim të viktimave. Sipas Mendelsohn (1976), viktimologjia e përgjithshme përfshin pesë kategori viktimash. Ato përfshinin viktimat e 1)agresorit; 2)të vetes së tyre; 3)të mjedisit social; 4)të teknologjisë; 5) të mjedisit natyror . ‘Kategoria e parë (viktimat e krimit) është e vetë-shpjeguese. Ajo i referohet temës më tradicionale që kanë studiuar viktimologët. Vetë – viktimizimi përfshin vetëvrasjen, si dhe çdo lloj vuajtje tjetër që viktimat i bëjnë vetes së tyre. Viktimizimi kriminal personal mund të ketë një ndikim të madh jo vetëm te viktima, por edhe në familjen e tij dhe në shoqërinë përreth. Termi viktima të mjedisit social përfshin shtypjen që mund ti bëjë një individ, një klasë e caktuar shoqërore ose një grup një individi apo grupi tjetër të caktuar shoqëror. Disa shembuj të këtij lloj diskriminimi do të përfshinin diskriminimin racial, marrëdhëniet midis kastave të ndryshme, gjenocidin, dhe krimet e luftës. Viktimat e teknologjisë janë njerëz që bien pre e besimit shoqëror në inovacionet teknologjike. Të tilla janë për shembull aksidentet nukleare, medikamentet e testuara në mënyrën e gabuar, ndotja industriale, dhe aksidentet që vijnë nga shërbimet e transportit gjithashtu përfshihen në këtë kategori. Së fundi, viktimat e mjedisit natyror përfshijnë ato viktima të cilët ndikohen nga ngjarje të tilla si përmbytje, tërmete, uragane dhe uria’ .

Një kategori tjetër viktimizimi, ka të bëjë me agresionin ose veprën penale ndaj pronës. Edhe këtu ka disa lloje viktimizimi dhe njerëzit mund të ndikohen nga viktimizimi i pronës në mënyra të ndryshme. Disa nuk ndiejnë ndonjë rrezik nga vjedhja e një libri teksa janë ulur në kopësht por ka njerëz që edhe nga kjo vjedhje e thjeshtë mund të ndiejnë frikë, ankth ose kërcënim nga ana e viktimës. Shembulli më i mirë i kësaj frike apo kërcënimi është kur një individi iu dhunohet banesa në të cilën jetojnë (veçanërisht nëse ai/ajo ka qenë i pranishëm në shtëpi gjatë kësaj kohe). Forma të tjera të viktimizimit të pronës mund të shkaktojnë shumë dëme financiare dhe momente të vështira, por pak frikë, si për shembull siç është vjedhja e një biçiklete, motorri apo një makine. Emëruesi i përbashkët për të gjitha këto krime është humbja financiare me të cilën përballet viktima .

Deri tani akoma nuk kemi dhënë një shpjegim të saktë dhe të përgjithshëm për përkufizimin e ‘viktimës’. Përkufizimi më i cituar mbetet ai i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe që është publikuar me miratimin e Deklaratës së Parimeve Themelore të Drejtësisë për Viktimat e Krimit dhe Abuzimit të Pushtetit në vitin 1985. Sipas kësaj deklarate: ‘‘Viktimat’ nënkuptojnë personat që, individualisht ose kolektivisht, kanë pësuar një dëm, duke përfshirë dëmtimin fizik ose mendor, vuajtjen emocionale, humbjen ekonomike ose humbje të të drejtave të tyre themelore, nëpërmjet akteve ose presioneve që janë në kundërshtim me ligjet penale të shteteve anëtare, duke përfshirë dhe ato ligje që ndalojnë përdorimin abuziv të pushtetit… Nën këtë Deklaratë, një person mund të quhet viktimë, pavarësisht nëse agresori është identifikuar, kapur, proçesuar, dënuar dhe pavarësisht marrëdhënieve familjare që mund të ekzistojnë midis viktimës dhe agresorit. Termi ‘viktimë’ përfshin gjithashtu, aty ku është e mundur, edhe familjarët më të afërt ose persona të tjerë nën varësi që kanë marrëdhënie të drejtpërdrejta me viktimën dhe personat që kanë vuajtur dëme gjatë ndërhyrjeve të tyre për të asistuar viktimën për ta lehtësuar atë nga stresi apo parandalimi i viktimizimit’ .

Ky lloj përkufizimi është shumë i gjerë dhe i përgjithshëm. Ai përmbledh të gjithë ata që janë viktimizuar si pasojë e një dhunimi e cila përbën një vepër penale dhe përfshin një sërë abuzimesh që kanë të bëjnë me ushtrimin abuziv të pushtetit. Si rezultat, si viktimat e drejtpërdrejta dhe ato që janë ndikuar në mënyrë indirekte janë sjellë nën mbrojtjen e kësaj Deklarate. Është për këtë arsye që kjo deklaratë qëndron mbi kodet penale në shumë vende, veçanërisht me funksionin që ajo luan për identifikimin e ‘abuzimit të pushtetit’ si një lloj i veçantë i viktimizimit. Sidoqoftë, ekzistojnë dhe përkufizime të tjera të ‘viktimës’ dhe ‘viktimologjisë’ që mund të jenë edhe më të gjera apo më të ngushta se përkufizimi i mësipërm por përkufizimet që vijnë nga OKB dhe Deklarata e Parimeve Themelore të Drejtësisë për Viktimat e Krimit dhe Abuzimit të Pushtetit në vitin 1985, si përkufizime që vijnë nga fusha ndërkombëtare, mbetet më e rëndësishmja dhe ka gjetur një konsensus të gjerë . Sot, në procese të ndryshme gjyqësore, kudo nëpër botë, por edhe në Shqipëri, merret ‘parasysh pozita e viktimës jo vetëm si palë e dëmtuar por edhe roli i saj si dëshmitare dhe burim i rëndësishëm i provave’ .

admin

Artikujt e tjetrë