Gruaja

Rebeka Rexhepi dhe beteja e saj me kancerin

Ajo thyen çdo tabu që ne kemi rreth sëmundjes së kancerit, flet aq sinqerisht, megjithëse sytë e saj tregojnë më shumë se fjalët, ata rrëfejnë përjetimet që vështirë të shpjegohen. Rebeka Rexhepi ekskluzivisht në Flatra për betejën e saj kundër kancerit. Një histori triumfuese, që të mbush me shpresë dhe dashuri për jetën.

 

 Intervistoi: Brunilda Merko

Fotografia Shenoll Zehri

 Është e vështirë kur je 16 vjeçare, je vetëm një adoleshente, që sapo ke filluar të argëtohesh me gjërat e jetës, dhe papritur kupton që  asgjë më, nuk është e njëjtë. Këto të rejat nuk janë më të bukura, ke dhembje ndërkohë nuk kupton sesi ndryshoi kaq shpejt jeta jote. Rebeka Rexhepi jeton në një apartament në Ulpianë, me prindërit dhe motrën e saj, më të vogël, që e adhuron, shkon mirë me shkollën me plotë miq përreth. Por papritur do të ndjehet keq, vizitohet nga mjekë të ndryshëm, të cilët japin diagnoza nga më të ndryshmet, dhembja mbetet sërish. Prindërit nuk i thonë ende asgjë, megjithatë ajo më tregon se sytë e tyre kishin filluar të ndryshonin.

 

Shtigjet për të arritur majat   

Në atë kohë, ti nuk do të ndjehesh as njeri, as femër, ti je asgjë. Dhe vetëm kur ia thua vetes me zë të lart se “kam kancer”, kupton plotësisht domethënien e kësaj sëmundje dhe ndjen praninë e saj. Pothuajse të njëjta ndjenja e përshkruan edhe Rebekën kur ajo mori vesh për herë të parë se vuante nga kjo sëmundje. “Për herë të parë e zbulova pasi jam hospitalizuar në Austri, dhe mund t’u them shumë sinqerisht që për një kohë të gjatë truri im nuk ishte në gjendje të procesojë fjalët, të cilat m’i tha mjeku sepse ai në një mënyrë shumë direkte më pyeti se: “A e di që ke kancer?”. Mirëpo ajo që ai më tha pastaj ishte se unë i kisha 99% mundësi për mbijetesë. Dhe ky ishte një fakt që më jepte shpresë dhe vullnet deri në ditën e fundit”,- tregon Rebeka. Përpara saj u hapën rrugët plotë gropa të jetës, por heroinat e ditëve tona janë këto, që përpara gjithë këtyre sfidave ngrihen dhe kërkojnë shtigjet e jetës për t’ia dalë mbanë.  “Forca më vinte çdo herë nga vetë prognoza e mjekëve si dhe mbështetja e pakufishme, që më dhanë miqtë jo vetëm nga Kosova, po nga e gjithë bota. Mesazhet e tyre, vizitat dhe kujdesi ishin shtytëse të vazhdoj betejën, përpos kësaj unë kisha shumë miq e mikesha, të cilët e luftonin të njëjtën betejë dhe ne i jepnim njeri-tjetrit kurajo në çdo moment.”- shprehet Rebeka.

????????????????????????????????????

Të thyesh muret e heshtjes

Kur kanceri të “pushton” jetën tënde e bënë atë pothuajse të padurueshme, të izoluar dhe të rrethuar nga heshtja. Por kjo është një histori tjetër, ku për protagonist ka dy persona jo një. Rebeka dhe Xheraldina, nëna e saj, e cila në gjithë këtë betejë të madhe ishte mburoja dhe arma e saj. Një shembull që shkon përtej të përditshmes, kur shpesh për këtë sëmundje nuk flitet as brenda familjes dhe jo më shoqërisë, dhe heshtja duket se të vret dyfish. Xheraldina Rexhepi na tregoi të kundërtën e kësaj praktike, ajo na rrëfeu dhembjen e saj, ajo na kërkoi të jemi pranë saj, britmat e një nëne drejtuar shpresës dhe optimizmit. Sot ajo na tregoi se për t’ia dalë duhet të thyhen muret e heshtjes. Së pari Rebeka ndjeu luftën e ashpër, që nëna e saj po bënte krah saj. Po të mos ishte forca e nënës time, unë mund të them me siguri të plotë që nuk do të isha as unë këtu. E vetmja arsye që unë vazhdoja të mbaja vullnetin dhe forcën ishte sepse ne të dyja ishim në këtë betejë së bashku. Më kujtohet kur ishim gjatë një terapie së bashku dhe doktoresha erdhi dhe na njoftoi se megjithëse nuk ishte e sigurt, unë mund të kisha nevojë për ndërhyrje kirurgjike. Ky lajm më shtoi stresin dhe më ndryshoi dita, derisa erdhi mami dhe më tha: Rebeka, në fillim kur erdhe këtu, nëse do të thoshin të hyje në operacion, do të pranoje pa problem. Kjo është beteja jonë, fati ynë. Duhet t’i shkojmë deri në fund kësaj pune! Aty unë i buzëqesha në formë miratimi, dhe lajmi që sapo mora, nuk më dukej më aq i rëndë kur e dija që përkrah meje kam nënën!”, – shprehet ajo. Bisedoj me Rebekën dhe nëpërmjet saj kuptoj gjithë këtë betejë dhe gëzimin që ndajnë ato të dyja sa bashku, sepse fituan dhe janë këtu sot për të na rrëfyer këtë.

T’ia nisësh nga e para

Sot për Rebekën jeta ka nisur nga e para, ajo vlerëson gjërat e vogla të jetës, të cilat i japin aq shumë gëzim, një lindje dielli në agim, aroma e bukës që piqet në furrën pranë shtëpisë së saj, një xhiro me biçikletë apo shëtitjet në rrugicat e Prishtinës. Ajo ndjen dhe përjeton gjithçka, është 17 vjeçare, por është aq e rritur. Tani që është rikthyer ka shumë projekte dhe ide, gjithçka për t’i përmbushur, sepse në një kohë kaq të shkurtër (asaj i është dukur një shekull) ajo u jep një tjetër kuptim gjërave, ndryshe nga ajo vajza e një viti më parë. Kur e pyet se sa kanë njohuri adoleshentët për kancerin te të rinjtë, ajo mendon se këtë drejtim nuk bëhet asgjë nëpër shkolla. “Megjithëse e konsideroj veten mjaft të informuar, megjithatë nuk kisha informata të mjaftueshme për këtë sëmundje, sepse kanceri është një sëmundje për të cilën lexojmë dhe dëgjojmë, por shpresojmë që kurrë nuk do të na ndodhë. Do të ishte mirë që informatat të ishin të disponueshme nëpër shkolla. Gjithsesi mendoj që kjo nuk do të ndryshonte asgjë sepse në fund të fundit janë mjekët ata që mund ta diagnostifikojnë. Në rastin tim sfida më e madhe ishte derisa sëmundja u diagnostifikua, fatmirësisht unë u trajtova në një vend ku trajtimi i këtyre sëmundje është shumë i suksesshëm”, apelon Rebeka. Rebeka së bashku me familjen e saj gjetën burimin më të madh të forcës për të luftuar, dashurinë për jetën, vullnetin e hekurt për të qenë së bashku. Ajo më tregon në qetësi të plotë se: E rëndësishme është të mos dorëzoheni kurrë, se kjo sëmundje të “lexon” shpirtin, nëse je luftëtar apo një humbës!

 

Personale

Cili është këngëtari/këngëtarja apo grupi juaj i preferuar?

Në dy koncertet humanitare, të cilat u organizuan për të mbledhur fonde për shërimin tim, kishte më shumë se 50 këngëtarë dhe grupe, që performuan. Dhe që të vecoj  një prej tyre, mendoj se nuk është etike nga ana ime, në ditën kur unë u ktheva e shëruar në Kosovë, një ndjenjë të veçantë më dha vizita e Dafina Zeqirit dhe Ledri Vulës.

Aktori/aktorja e preferuar?

Shikoj shumë filma, por nuk kam një aktore të preferuar, ndoshta sepse kinematografia nuk është arti të cilin e preferoj mbi të tjerat.

Vendi ku që do të dëshiroje ta vizitoje? Po ai qe shkon shpesh

Do të dëshiroja që një ditë të kem mundësinë të vizitoj ishujt Maldive, ndërsa çdo vit vizitoj Ulqinin.

Libri i fundit qe ke lexuar?

Libri i fundit që kam lexuar është Kodi i Da Vinçit.

Idhulli juaj?

Idhulli im është nëna ime!

 Çfarë shprehje të fytyrës apo lëvizje bëni kur gënjeni?

Nuk gënjej shpesh, e nëse për ndonjë arsye madhore më ndodh të gënjej, dallohem sepse buza më shkon në gaz.

Çfarë do të thotë që të kemi guxim?

Guximi është një virtyt i njerëzve, i cili shumë shpesh rezulton me fitore, sa më e madhe që është sfida, aq i madh është guximi dhe respektivisht edhe fitorja.

admin

Artikujt e tjetrë