Intervista

Shqipe Neziri Vela: Korrupsioni, beteja jonë e përditshme

Kuota gjinore nuk janë formula magjike kundër korrupsionit dhe paligjshmërisë në vetvete. Për të luftuar korrupsionin duhet të inkurajojmë liritë individuale, luftën kundër diskriminimit dhe nxitjen e mjeteve transparente të përzgjedhjes në pozitat politike-administrative. Shqipe Neziri Vela, menaxhere e programit të UNDP-së kundër korrupsion, na sjellë në Flatra një panoramë të këtij fenomeni, masat që janë ndërmarrë, tendencat për sjelljet anti-sociale, si dhe raportin mes gjinisë dhe korrupsionit.

  

Foto: Shenoll Zehri/ Grimi: Lily Beauty Spa

 

Së pari, a mund të na tregoni punën e UNDP-së në luftën kundër korrupsionit në rajon?

Më lejoni të theksoj se, jo vetëm si udhëheqëse e këtij programi, por si qytetare, grua dhe nënë, është një betejë e vazhdueshme, e pa kompromis kudo dhe kurdo ndodh ky fenomen. Korrupsioni, mungesa e transparencës dhe e llogaridhënies e institucioneve publike është mjaft e përhapur në rajon, duke krijuar kështu një pengesë të madhe për zhvillimin ekonomik edhe social. Ulja e nivelit të korrupsionit dhe përmirësimi i qasjes së qytetarëve në shërbimet bazike, qoftë në shëndetësi, apo në arsim, janë domosdoshmëri për të siguruar të drejta të barabarta për të gjithë, e në veçanti për grupet më të ndjeshme të shoqërisë. Besimi i qytetarëve në institucione është çelësi për një qeverisje më të mirë. UNDP-ja në Kosovë, që nga viti 2004, zbaton programin kundër korrupsionit me qasje gjithëpërfshirëse dhe inovative në bashkëpunim me institucionet, shoqërinë civile dhe qytetarët.

 Cilat janë disa nga iniciativat që ka ndërmarrë programi që ju udhëhiqni në UNDP, sa i përket korrupsionit në Kosovë?

Raportet e ndryshme e kategorizojnë Kosovën si një vend që përballet me një korrupsion endemik, që konsiderohet se është shndërruar në mënyrë jetese. Kjo vërehet nga raportet e ndryshme, përfshirë Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, për disa vite me radhë. Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International e vendos Kosovën si vendin me korrupsinionin më të lartë në rajon në bazë të perceptimit te qytetarëve. Në UNDP kemi filluar punën me qëllime ambicioze; sfida jonë kryesore ishte adresimi i apatisë së shoqërisë, ku qytetarët kanë pak besim në institucionet, mosmarrja pjesë në dëgjimet publike, sepse zëri i tyre nuk do të dëgjohet, apo edhe nga frika e hakmarrjes në rast se vendosin të raportojnë një rast korrupsioni. UNDP-ja ka ndihmuar në themelimin e Agjencisë Kundër Korrupsion, institucioni kyç i mandatuar për luftimin e korrupsionit në Kosovë. Për të fuqizuar rolin e shoqërisë civile në luftën kundër korrupsionit, në vitin 2012 bashkërisht me Internews Kosova kemi themeluar platformën online www.kallxo.com, ku qytetarëve u është dhënë mundësia për të raportuar korrupsionin, ku deri më sot kemi më shumë se 7000 raste të raportuara. Kemi trajnuar me dhjetëra gjyqtarë dhe prokurorë në ngritjen e kapaciteteve të tyre për të luftuar korrupsionin jashtë dhe brenda institucioneve të tyre. Punojmë me 17 komuna anembanë Kosovës për të hartuar Planin për Integritet, si udhërrëfyes e metodë vetëvlerësuese të institucioneve për të parandaluar keqpërdorimin e detyrës zyrtare, për të rritur transparencën, për të qenë më afër qytetarëve dhe për t’i adresuar nevojat e tyre. Gjithashtu, bashkëpunojmë me Kuvendin e Kosovës ku vitin e kaluar kemi ndihmuar në anëtarësimin në GOPAC (Organizata globale e parlamentarëve kundër korrupsion).

Sipas gjetjeve dhe hulumtimeve tuaja, cilët janë sektorët, të cilët janë më të korruptuar?

Korrupsioni është si epidemi. Përhapet gjithandej dhe si rrjedhojë kërkon përkushtimin e të gjithëve ne. Sipas raportit të UNDP-së, Pulsi Publik, anketë me qytetarët e Kosovës, sektorët ku perceptohet se korrupsioni është më së shumti i përhapur janë: shëndetësia, arsimi, dhe energjetika. Ajo çfarë kërkon vëmendjen tonë, të opinionit publik është debati për atë se çfarë është korrupsioni i drejtpërdrejt dhe perceptimi që kemi për të. Sepse në bazë të një ankete që kemi realizuar ne si projekt, mblodhëm të dhëna, të cilat na vërtetojnë pikërisht këtë, 70% e të anketuarve u përgjigjën pozitivisht se në sektorin e shëndetësisë ka korrupsion, por vetëm 4%  prej tyre e kishin përjetuar personalisht këtë fenomen.  Për të adresuar këtë çështje, UNDP-ja ka bërë vlerësimin e rrezikuar në këta sektorë, dhe në bashkëpunim me institucione kyçe, është duke ndihmuar në zbatimin e masave për parandalimin e korrupsionit. Në shëndetësi, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me Shoqatën për të Drejtat e Pacientëve, kemi themeluar Zyrën e Avokatit për të Drejtat e Pacientëve, me qëllim për t’i informuar qytetarët me të drejtat e tyre dhe për t’u ofruar hapësirë për të raportuar korrupsionin, nëse janë ballafaquar gjatë kontrollit nga stafi i spitaleve publike. Në arsim, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, jemi duke hartuar temat kundërkorrupsion, që kanë për qëllim ngritjen e vetëdijes së gjeneratave të reja për pasojat negative të korrupsionit, për rëndësinë e etikës dhe të integritetit, si dhe për t’u informuar më mirë për institucionet që luftojnë korrupsionin. Temat do të jenë pjesë e kurrikulës arsimore që nga viti shkollor 2017.

DSC_0305 copy

 Sipas jush, nëse do të kemi më shumë gra në pozita udhëheqëse, do të kishim më pak korrupsion?

Sa i përket adresimit të korrupsionit në nivel global, në përgjithësi vërehet mungesa e qasjes nga aspekti gjinor. Së voni, ne kemi bërë një hulumtim krahasues rreth ndikimit të korrupsionit tek gratë dhe burrat. Ky hulumtim ka dëshmuar se korrupsioni nuk është agjinor. Gratë, në përgjithësi, e përjetojnë korrupsionin më ndryshe se burrat. Mungesa e qasjes në shërbime publike dhe mungesa e qasjes në vendimmarrje, janë disa nga kufizimet. Në të njëjtën kohë, sipas studimit tonë, gratë janë më të afta në identifikimin e praktikave korruptive dhe kanë më pak tendenca për të pranuar korrupsionin si normë. Megjithatë, duhet theksuar, se është e vështirë për të bërë një vlerësim nëse gratë do të dëshmonin më shumë integritet në udhëheqje dhe menaxhim në rast se do të kishin qasje në pozitat vendimmarrëse, të cilat i kanë mbajtur tradicionalisht burrat. Një gjë është e sigurtë: ka gra të fuqishme anembanë botës që po vendosin standarde për shërbime publike transparente dhe për mundësi të barabarta.

 Ju si program çfarë propozoni për të parandaluar apo luftuar korrupsionin?

Puna jonë do të vazhdojë me të gjithë akterët që të rrisim nivelin e transparencës dhe  llogaridhënies institucionale, të kemi një shoqëri civile aktive në mbikëqyrje të politikave qeverisëse dhe, më e rëndësishmja, të kemi një qytetari aktive në vendimmarrje për t’i realizuar të drejtat e tyre.

admin

Artikujt e tjetrë