Kuzhina

Tradita e akullores, pasioni i trashëguar ndër breza

Gjithçka nisi në vitin 1953 për të përmbledhur historinë e disa gjeneratave të familjes Demiri nga Gostivari, që kanë përgatitur ëmbëlsira dhe akullore. Tradita, profesionalizmi, gjithmonë në kërkim të cilësisë dhe unikes, si elemente thelbësore të prodhimit tradicional të akullores.

 photo 2

Nuk është thjeshtë prodhim akullore, por një mënyrë jetese, sepse është një produkt që vjen si mishërim i përvojave, vizioneve, emocioneve që janë trashëguar brez pas brezi. Vullnet Demiri na rrëfen historinë të disa brezave në familjen e tij, të cilët njihen për përgatitjen e ëmbëlsirave dhe në veçanti të akullores. “Gjithçka ka filluar pas Luftës së Dytë Botërore, viteve të 40-ta dhe 50-ta, kur familja ime në krye me gjyshin tim Lazim Demiri, filloi rrugëtimin nëpër ish-Jugosllavi, për të siguruar mirëqenien e familjes. Familja jonë vjen nga një fshat me emrin Raven, komuna e Gostivarit, dhe si regjion, ka kultivuar një zanat të vjetër në përgatitjen e ushqimeve, ëmbëlsirave dhe akullores. Kështu, pra, edhe gjyshi im Lazimi, mori rrugën për të zgjeruar këtë veprimtari edhe nëpër qytete tjera, fillimisht nëpër bregdetin Adriatik përmes shitjes ambulantive të sheqerkave dhe karameleve, dhe pastaj edhe akullores, për të hapur më vonë një ëmbëltore në qytetin Paraqin në vitin 1953. Aty gjyshi im Lazimi u vendos me familje dhe kushërinj të tjerë dhe punuan për 35 vite në këtë veprimtari.”- tregon Vullneti.

photo 1

Një zanat shumë i përhapur në atë rajon, më të njohurin ndër shqiptarë për përgatitjen e ëmbëlsirave apo akulloreve. Kështu ky zanat u përcoll më pas te babai i Vullnetit dhe xhaxhallarët e tij, sidomos tek xhaxhai Ilazi, i cili në atë moshë ishte shumë i ri, mirëpo u bë i njohur për prodhimin e akullores tradicionale, saqë edhe i ndihmonte kushërinjtë tjerë në qytetet e tjera, që ta përvetësojnë këtë zanat. “Situatat politike ndikuan që familja jonë të largohet nga Paraqini dhe në vitin 1987, të hap një restorant në Prishtinë, ku kishte studiuar babai im Mefaili dhe xhaxhai Ilazi, që njihet me emrin restorant Dubrovnik. Si fëmijë, unë angazhohesha për të ndihmuar rreth punëve të përditshme, dhe xhaxhai im Ilazi, filloi të m’i përcjellë të gjitha njohuritë e tij rreth përgatitjes së ushqimeve të ndryshme, dhe në veçanti akullores. Tani në këtë kohë, pas një përvoje të gjatë dhe të mirë, me qëllim të vazhdimit të traditës, unë kam filluar që këtë akullore ta tregtoj edhe nëpër lokale tjera nëpër Prishtinë, ku akullorja shijohet dhe shërbehet me pasion.”- thotë ai. Është një zanat sa i vjetër po aq edhe i ri, sepse kërkon gjithmonë të jesh i përkushtuar të zbulosh shije të reja, pa humbur origjinalitetin e saj.

unnamed

“Akullorja njihet si një ëmbëlsirë freskuese që prodhohet me shije të ndryshme nga të gjitha frutat që i dhuron natyra. Është ëmbëlsirë që është e ftohtë mirëpo nuk është e ngurtë, dhe tani përdoret edhe në kombinim me ëmbëlsira të ndryshme apo edhe në lëngje, duke u përdorur si përbërës shumë i veçantë i shumë koktejeve dhe llojeve të kafesë. Si punë, kërkon kujdes dhe higjienë, mirëpo edhe ruajtje dhe transport me ftohje me temperaturë të caktuar, për të ruajtur freskinë dhe formën. Për dallim me akulloret në treg që janë më komerciale, akulloret artizanale shërbehen gjithmonë të freskëta, sepse përgatitja e sasisë bëhet sipas nevojës dhe kërkesës, prandaj edhe nuk i deponojmë në kohë ta gjatë. Dmth, klientët tanë gjithmonë e konsumojnë dhe shijojnë akulloren tonë që prodhohet po atë ditë.”- shprehet Vullneti. Sot është shumë e lehtë sa i takon procesit të realizimit të akulloreve, falë teknologjisë së zhvilluar, por imagjinoni një moment, për kohën kur nuk ka pasur as frigorifer dhe as kushte për të prodhuar akullore. Por pasioni dhe përkushtimi i familjes Demiri ka gjetur zgjidhje edhe atëherë, sigurisht me shumë sfida dhe peripeci.

unnamed (2)

“Në kohën e tashme, teknologjia ndihmon shumë në procesin e prodhimit, ndërsa kujtoj tregimet e gjyshit, babait dhe xhaxhait tim, se si prodhohej akullorja në ato kohë. Në mungesë të makinerisë, gjithçka është bërë me dorë, duke blerë akull nga ndërmarrjet e asaj kohe, dhe në mënyrë mekanike është bërë përzierja dhe ngrirja e akullores, që ka qenë shumë e mundimshme, dhe sigurimi i akullit poashtu ka qenë i vështirë, prandaj akulli është ruajtur në bodrume, sepse edhe shpërndarja ambulantive në atë kohë ka qenë me kuti të mbushura me akull e jo si tani që kemi frigoriferë të adoptuar për këtë shërbim. Sigurimi i sasive të mjaftueshme të qumështit, sheqerit dhe vezëve, poashtu ka qenë më i vështirë se tani, mirëpo kjo akullore si në atë kohë edhe sot cilësohet si akullore natyrale apo bio. Me ardhjen e teknologjisë, procesi është shpejtuar dhe në vazhdimësi është përmirësuar dhe na ka kriju lehtësira dhe mundësi të shpërndarjes edhe tek konsumatorët tjerë si restorante, kafeteri, etj. nëpër qytete të Kosovës. Pavarësisht teknologjisë moderne, suksesi i familjes tonë Demiri ka qenë dhe mbetet ruajtja dhe kultivimi i këtij zanati të vjetër dhe recetave që mundësojnë prodhim të akullores së shijshme duke ia ruajtur akullores vlerat natyrale dhe të shëndetshme.” – përfundon  Vullnet Demiri ndërsa shton se shpreson që ky zanat dhe kjo traditë  të përcillet edhe tek gjeneratat e reja, tek fëmijët e tyre.   

admin

Artikujt e tjetrë