Gruaja

Shqiptarja me flatra në qiejt e botës

Mbi dy mijë orë fluturim, Valdeta Mehanja, tregon historinë e saj, sesi arriti të jetë një prej emrave më të njohur në fushën e aviacionit, sfidat dhe arritjet personale.

Nga Shpend Maliqi

Valdeta Mehanja, është emri i shqiptares nga Kosova, e cila ka mbi dy mijë orë fluturimi si pilote në komandë dhe si instruktore. Ajo ka pilotuar aeroplanë si Diamond Twinstar: DA-42, Cessna 172, Piper Arrow PA-28R, Super Decathlon, Schweizer 300, si ko-pilote e Cessna 550 Citation dhe  helikopterë komercial. Me përkushtimin dhe dashurinë e saj për punën si instruktore e pilotëve të rinj në Amerikë dhe Gjermani, po arrin majat e sukseseve dhe padyshim zë vend krahas shumë yjeve tanë, që po shkëlqejnë në botën e sportit dhe muzikës duke gëzuar admirimin dhe respektin më të lartë ndërkombëtar për punën që bëjnë.

Valdeta u liçencua si pilote për aeroplanë multi-motorë në vitin 2011, nga Administrata Federale e Aviacionit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka përfunduar studimet në Universitetin e Aeronautikës Emry-Riddle në Florida. Në momentin kur u liçencua tha se ishte ndjenjë e mrekullueshme sepse më në fund kishte arritur atë për të cilën kishte synuar, duke kaluar barriera dhe sakrifica të shumta. Më tej ajo liçencohet si pilote e aeroplanëve komercialë me një motor, pilote e rotorcraft helikopterëve komercialë dhe instrument helikopterë. Ndërsa në vazhdën e punës së pandalshme ajo arriti që në gusht të vitit 2012 të bëhej instruktore.

Valdeta Mehanja

“Puna me pilotët e rinj më jep kënaqësi dhe krenari të veçantë, e sidomos kur arrijnë objektivat sepse suksesi i tyre është i ndërlidhur me punën dhe përkushtimin tim. Gjithashtu ka edhe shumë momente mbresëlënëse si fluturimi me një nga studentët në Florida, në drejtim të bazës në Daytona Beach, ku koha u përkeqësua; sapo kaluam shtresën e parë të reve ku zakonisht në atë lartësi duhet të jesh mbi to, pamë se gjendeshim mu në mesin e tyre. Duke marr hapat e radhës, ndodhi perëndimi i diellit dhe rrezet e tij u shpërndanë kudo duke i dhënë qiellit ngjyra të ndryshme dhe të fuqishme. Pamja ishte aq madhështore sa të jepte ndjesinë e përjetimit të parajsës dhe ndjenjës së të qënit shumë afër Zotit. Ky me pa dyshim se është një prej fluturimeve më të paharrueshme”- tregon ajo.

Ndër arritjet më të mëdha të saj është edhe fitorja e vendit të parë në garën e përvitshme ajrore të femrave pilote “Air Classic Race”, ku morën pjesë 50 ekipe të ndryshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadaja. Për suksesin e kësaj gare të madhe dhe të rëndësishme, e cila organizohet që nga viti 1929, nuk harron ta përmend edhe bashkëpiloten Nancy Snyder me të cilën si ekip e përfaqësonin universitetin e aeronautikës, Embry-Riddle në Floridë.

Për disa vite me radhë para se Valdeta të hynte në profesionin e pilotes ka punuar në ushtrinë amerikane në Irak dhe Afganistan si programere e pajisjeve të komunikimit dhe kompjuterëve për helikopterë. Dëshira e saj për t’u bërë pilote ishte e kamotshme dhe pas shumë viteve punë, vendosi të studiojë në SHBA. Ajo thotë se për tu bërë pilote nuk mjafton vetëm dëshira, sepse për të filluar dhe përfunduar me sukses studimet akademike nevojitet përgatitje e lartë në të gjitha aspektet, si të dijes, ashtu edhe gjendjes psikike dhe fizike, duke pasur parasysh edhe koston e lartë financiare për mbulimin e shpenzimeve të shkollës. Më tej thekson se vetëm pasi që kishte arritur të kursej një shumë të mirë të parave vendosi ta lë punën dhe të marrë fatin në duart e saj për t’i hyrë karrierës si pilote.

Megjithatë, duhet pasur parasysh rreziku pasi si instruktore me studentë fluturimi zakonisht arrin deri në 1 km mbi sipërfaqen e tokës me shpejtësi deri në 350 km/h. Përderisa rekordi im personal është fluturimi deri në 11 km, me mbi 550 km/h. Ndërsa në raste të aksidenteve pjesa më e madhe rezulton me fatalitet ku sipas gjitha statistikave shkaktari kryesor është faktori njeri dhe jo ai teknik. Për këtë arsye arritja e liçencimit është vështirësuar edhe më tej, por që rrit sigurinë dhe parandalon aksidentet e mundshme thotë ajo.  Këshillat më të rëndësishme që u përcjell vazhdimisht studentëve janë se nëse duan të bëhen pilotë të suksesshëm, duhet parapërgatitja para çdo fluturimi dhe gatishmëria të përballen me çfarëdo situate emergjente. Proces ky që nënkupton analizimin e parashikimit të motit, kontrollimin e dokumentacionit të  aeroplanit dhe inspektimin fizik të tij. Për aeroplanët e vegjël me një motor emergjencat menaxhohen më lehtë pasi procedurat për tu mbajtur mend janë më të shkurtëra, ndërsa tek aeroplanët e ndërlikuar si ata me dy motorë dhe me rrota që tërhiqen brenda gjatë fluturimit kanë procedurë më të gjatë.

V 1

Për fund  zbulon se planet për të ardhmen e saj të afërt janë inkuadrimi në pilotimin e helikopterëve që shërbejnë për ambulanca dhe policinë në raste emergjente. “Kjo dëshirë ka lindur që nga koha e  punës sime në Irak dhe Afghanistan, pasi falë pilotëve të helikopterëve atje janë shpëtuar mijëra jetë dhe të njejtën dua ta bëj gjithashtu qoftë edhe duke shpëtuar viktimat e aksidenteve të ndryshme që kanë nevojë për transport emergjent në spital apo në parandalimin e krimeve duke shërbyer për policinë.” thotë Mehanja e cila përfundon me mburrje duke potencuar se të gjitha sukseset i ka arritur si shtetase e Kosovës, që shpreson ti shërbej kur vendlindjes t’i nevojitet dija dhe përkushtimi i sajë qoftë si pilote apo si instruktore.

admin

Artikujt e tjetrë