Intervista

Sepse mësuesit nuk harrohen asnjëherë

Të gjithë e mbajmë mend mësuesen/in tonë të parë. I kujtojmë emrat e tyre, mënyrën sesi flisnin, si visheshin dhe gjithçka tjetër që i karakterizonte ata. Një mësues i mirë nuk harrohet asnjëherë. Kontributi dhe sakrificat e mësuesve në Kosovë janë për tu admiruar dhe falë përkushtimit e këmbënguljes së tyre, ata sfiduan rrethanat e kohës dhe nuk reshtën së dhëni maksimumin nga vetja. Roli që ata kanë pasur përgjatë historisë në rritjen e vetëdijes dhe cilësisë së arsimimit, por edhe në ruajtjen e vlerave kombëtare e njerëzore mbetet i pazëvendësueshëm. Këtë radhë Flatra ju sjellë shkollën fillore edhe të mesme të ulët “Meto Bajraktari” e cilësuar për vlerat dhe nivelin e lartë arsimor dhe disa nga arsimtarët e kësaj shkolle.

 Nga Elisa Nikolla

 

Valbona Kastrati, drejtoreshë e shkollës

 Edukim do të thotë të punosh që njeriun ta bësh njeri, nuk ka gjë më fisnike e të zhvillosh filizat- fëmijët deri në kufijtë e tyre të.

Valbona Kastrati (2)

 Duket se gjithë jeta e saj është e lidhur me arsimin, drejtoresha e shkollës “Meto Bajraktari”, Valbona Kastrati, rrëfen punën, përkushtimin dhe dashurinë për këtë profesion.“Edukim do të thotë të punosh që njeriun ta bësh njeri, nuk ka gjë më fisnike sesa të punosh e të zhvillosh filizat-fëmijët deri në kufijtë e tyre të skajshëm fizikë, shëndetësore, emocional, mendor, estetikë dhe punues. Profesioni i mësimdhënësit është i vetmi që ka për mision të zhvillojë të fuqizojë dhe të çelikos të rinjtë që të kenë pasqyrë reale për veten, të kenë vetëbesim për veten, për familjen, për shoqërinë dhe kombin. Ky profesion është i bukur sepse në të ka diçka kozmogjenike-hynore për shkak se vetëm me edukim e arsimim të rinjtë mund të zhvillohen deri atje ku ka thënë Zoti. S’është punë e lehtë ka plotë sfida por, sfidat e bëjnë këtë profesion interesant, tërheqës dhe atraktiv. Bota e sotme është kështu falë profesionit të mësimdhënies burimin e të cilit e bëjnë edukatorët dhe arsimimi. Nuk thotë kot se ardhmja e species njerëzore nuk është asgjë tjetër pos një garë ndërmjet cilësisë së edukimit dhe katastrofës. Janë këto arsye të mjaftueshme për tu bërë mësues.”- shprehet prof.Valbona. Të japësh kontributin tënd në zhvillimin e gjeneratave, të ndikosh dhe të frymosh me ta është një detyrë sa fisnike, po aq edhe thelbësore, pavarësisht kohërave dhe vendeve. Por sa ka ndryshuar mësimdhënia e ditëve të sotme nga ajo e paraluftës? “Dallimet e mëdha, gati të pakrahasueshme. Kanë të bëjnë me vendet dhe kushtet ku është zhvilluar mësimi, para lufte nxënësit kanë punuar në kushte tejet të vështira, pa objekte shkollore, pa tekste adekuate dhe mjete mësimore. Atmosferë e rëndë! Në këto kushte mësimdhënësi ishte transmetues i informacionit, ku ai ishte në qendër. Por para lufte kishte diçka magjike gati- gati të pabesueshme! Ishte ideali, vullneti, vendosmëria, guximi dhe trimëria që me gjithë rrezikun e përhershëm që për secilin nxënës dhe mësimdhënës që ishin gjitha këto udhërrëfyese që puna të mos ndalet. Sot është krejt ndryshe. Nxënësit janë në qendër sepse ata e bëjnë punë të pavarur, hulumtuese, mësimdhënësit më pak flasin dhe më shumë dëgjojnë ndërsa nxënësit më shumë flasin se sa dëgjojnë. Megjithatë ka një gjë të përbashkët se atëherë edhe tani ekziston një vetëdije e shtrirë gjithë andej se fati i kombit është i lidhur me profesionin e mësimdhënësit. Shpresojë që kjo vetëdije do të jetë një kandil që do të ndriçojë arsyet e artikulimit tanë të dëshiruar në të cilën ky komb do të jetë në bashkësinë e kombeve të zhvilluara të botës.”- tregon drejtoresha. Puna e saj e përditshme në këtë shkollë, lodhja dhe durimi për të arritur vlerësimet më të mëdha, për të qenë të parët nuk reshtë asnjëherë. Por sa po i jepet rëndësi arsimit, qoftë nga institucionet ashtu edhe nga vet nxënësit?! “Situata është komplekse dhe e vështirë për tu përcaktuar. Krahasuar me gjendjen e viteve 1999 në kohën e okupimit total serb kur nxënës dhe mësimdhënës ishin të rrezikuar, si në aspektin fizikë, tani sigurisht është shumë më e mirë. Jemi kthyer në objekte shkollore, kemi tekstet tona mësimore, jemi kompletuar me laboratorë dhe kabinete, mësimdhënësit kanë përcjell një numër të konsiderueshëm të trajnimeve të  llojllojshme etj. Nxënësit kanë bërë avancime të mëdha në përdorimin e teknologjisë së informacionit sa që mund të thuhet janë më të avancuar se vetë mësimdhënësit, poashtu edukimi për të drejtat e fëmijës i kushtohet rëndësi të madhe. Por kjo gjendje besoj që nuk është ajo që e kërkon koha, sepse kemi një shkallë të lartë analfabetizmit e sidomos të analfabetizmit funksional të popullsisë mbi moshën 15 vjeç që i posedojnë shkathtësitë e shkrim leximit por që këto shkathtësi nuk mund të përdoren për të plotësuar nevojat individuale, familjare dhe shoqërore.

 

Ekrem Kalludra, arsimtar i Artit Figurativ

 Përpiqem të zbuloj artistë të rinj, kështu që çdo vijë e tyre mua më jep kënaqësi dhe emocion. Është punë e madhe të zbulosh krijues me të cilët në të ardhmen do të krenohemi.

ekremi foto

Është një nga lëndët më interesante nëpër shkolla, ku nxënësit shkojnë me dëshirë, sidomos ata që kanë talent. Arti figurativ në shkollën “Meto Bajraktari” jepet nga arsimtari Ekrem Kalludra, i cili jo thjeshtë u jep bazat e kësaj lende, por përpiqet të zbulojë edhe ata nxënëse, të cilët kanë prirje që nesër të bëhen artistë të vendit. Ekrem Kalludra si mësimdhënës i lëndës së Artit figurative punon që 16 vite, që do të thotë që nga paslufta e këndej. “Unë e kam pasur fatin që të punojë në disa shkolla të Prishtinës dhe kjo ka bërë që unë ta shoh pak më ndryshe gjendjen e arsimit në Kosovë. Kjo nuk është njësoj në çdo cep të Kosovës. Këtu po aludoj në viset rurale. Në shkollën ku punoj tani është një frymë tjetër dhe është duke u punuar shumë që vërtetë të kemi cilësi, si në mësimdhënie, ashtu edhe në mësimxënie.”- shprehet arsimtari Kalludra. Duke pasur një lëndë të tillë edhe momentet e bukura me nxënës, përvojat e veçanta nuk mungojnë kudo që ai ka dhënë mësim, sepse në qendër të gjithë punës së tij ka pasur kreativitetin, dashurinë dhe pasionin për këtë artin. “Profesioni im prej artisti e bën shumë më ndryshe natyrën e orës mësimore, prandaj edhe momentet e bukura nuk mungojnë asnjëherë. Unë përpiqem të zbuloj artistë të rinj, kështu që çdo vijë e tyre mua më jep kënaqësi dhe emocion. Është punë e madhe të zbulosh krijues me të cilët në të ardhmen do të krenohemi.”- thotë arsimtari. Arti është e vetmja gjuhë e përbashkët e botës, të cilën e duan të gjithë sepse përçon vetëm mesazhe paqe dhe mirësie, një mision i artistëve të mëdhenj. Për arsimtarin Kalludra arti nuk duhet të ndahet në kohë para apo pas lufte, megjithatë në Kosovë, për shkaqet të cilët i dimë kjo ndarje bëhet.  “Sot është shumë më lehtë të punosh si mësimdhënës se sa para luftës, normalisht kur po flasim për lëndën e Artit figurative. Kushtet ekonomike e dirigjojnë komplet suksesin e një mësimdhënësi të kësaj lënde. Sot, arti zhvillohet krejt ndryshe se sa në të kaluarën. Mundësitë për të qenë i suksesshëm janë më të lehta dhe më të kapshme se sa në vitet e rënda të paraluftës. Sot, nxënësit janë më të çliruar emocionalisht dhe padyshim që janë në gjendje të luajnë me ngjyra nëpër imagjinatë. Dallimi dhe ngjashmëria në mes të nxënësve të paraluftës dhe të atyre të pasluftës nuk është shumë i madh. Fundja, artisti është artist edhe në kohë luftë, edhe në kohë lirie.”- përfundon artisti Kalludra.

 

Shyhrete Bilalli, arsimtare e Kimisë

Plotë 41 vjet punë si arsimtare, që nga 01.09.1973. Kur një popull ka mësues të mirë, atëherë çdo gjë do të shkojë për së mbari.

shyhrte

Kur ke përpara një përvojë kaq të madhe pyetja që të lind natyrshëm është se sa ka ndryshuar mësimdhënia e sotme nga ajo e dikurshme?! “Nuk është se ndryshon shumë nga mësimdhënia  e paraluftës. Mësuesi gjithmonë e ka një qëllim të vetëm: t’i mësojë nxënësit e vet të gjithë ato që i di. Ky është qëllimi i tyre jetësor. Nuk ka ndjenjë më madhështore se kur e ndjenjë që nxënësi të shikon me dashuri, të dëgjon me vëmendje dhe kur arrin ta kalojë mësuesin. Po t’i vështrosh lehtë, nuk është se nxënësit e sotëm kanë dallim të madh nga ata të paraluftës, mirëpo po t’i analizosh pak më thellë do të vëresh se edhe mund të ndryshojnë. Nxënësit e sotëm janë më fëmijëror se ata të paraluftës, më të papjekur dhe më të lirë në sjellje. Nxënësit e paraluftës kanë qenë më të pjekur, më të ndjeshëm, më solidarë me njëri-tjetrin dhe kanë qenë më të vëmendshëm sa i përket respektit për mësuesit e tyre dhe njerëzve në përgjithësi. Po, kjo, si duket ka qenë rezultat dhe pasojë (në të njëjtën kohë) e vështirësive të kohës në të cilën janë shkolluar. Nxënësit e sotëm i shoh shumë lozonjarë, por (nuk e di pse) më pak të interesuar për mësim, përderisa ata të pasluftës kanë qenë më të çiltër dhe shumë më të interesuar për mësim. Kohërat e vështira, si duket, e kalisin më shumë njeriun dhe e bëjnë më të etur për të zënë dituri.”- shprehet arsimtarja Shyhrete. Megjithatë për të që ka 41 vjet që punon në këtë profesion periudha më e vështirë për të dhe  gjithë shqiptarët mbeten vitet 1990-1999, përveç që gjatë kësaj periudhe mësimdhënësit shqiptar në Kosovë kanë punuar pa u paguar për punën e bërë, ata janë ballafaquar edhe me torturat më mizore që u janë bërë atyre dhe nxënësve nga pushtuesit serb. Këto vite kanë qenë shumë të rënda për arsimin në Kosovë dhe uron që të mos përsëriten më. Por cila ka qenë gjëja më e bukur në profesionin e një arsimtare dhe pse duhet të ëndërrojë një fëmijë të bëhet i tillë nesër?! “Gjëja më e bukur që mund t’i ndodhë një mësuesi është padyshim rezultati i lartë i nxënësve të tij. Profesioni i mësuesit është shumë i ndjeshëm dhe kompleks. Rezultatet tona nuk mund të dalin aty për aty. Ato mund ti vërejmë gradualisht pas kalimit të javëve dhe viteve. Nuk ka gjë tjetër në botë që të bën të ndihesh krenare se sa kur i sheh nxënësit e tu që po bëhen qytetarë të denjë dhe të zotë karshi vetvetes, familjes, dhe shtetit. Unë, edhe po të kthehesha prapa në kohë, përsëri do ta zgjidhja këtë profesion, sepse mendoj që vetëm këtë punë di ta bëj më së miri.”- përfundon arsimtarja e kimisë, Shyhrete Bilalli.

 

Zethane Ulaj, arsimtare e historisë

Asgjë në jetë nuk të ofron krenari dhe lumturi se sa t’i edukosh dhe arsimosh gjeneratat e reja të kombit tënd!

Zethane Ulaj

 U bënë plotë 17 vite, të cilat ajo ia ka dedikuar arsimit, Zethane Ulaj, arsimtare e historisë pranë kësaj shkolle,  flet për momentet e bukura që ka kaluar, por edhe ato të vështira e sfiduese në profesion. “Sigurisht që mbetet një nga përvojat më të vështira të mësimdhënësve vitet e 90-ta. Sepse pikë së pari kushtet s’kanë qenë as për së afërmi për një mësimdhënie, poashtu në vazhdimësi ka qenë i rrezikuar dinjiteti dhe jeta e nxënësve dhe e mësimdhënësve. Nga ana tjetër asgjë në jetë nuk të ofron krenari dhe lumturi se sa t’i edukosh dhe arsimosh gjeneratat e reja të kombit tënd. Ajo që unë i garantojë çdo të riu normalisht që ka prirje dhe vullnet për mësimdhënie është për të punuar çdo ditë si dhe ndjenja e rinimit të shpirtit të tij. Prandaj zgjidheni profesionin e mësuesit.”- shprehet arsimtarja Ulaj. E ndërsa bënë një paralelizëm të periudhës para dhe pas lufte sa i takon arsimimit, prof. Zethane, më shumë thekson vlerat dhe arritjet. “Mësimdhënia si vlerë nuk ndryshon shumë mes periudhës para lufte dhe paslufte, them kështu sepse pot ë mos kishte funksionuar pikërisht arsimi, unë mendojë se Kosova ishte zbrazur nga rinia . Nxënësit e paraluftës kanë qenë pranues të informacioneve nga mësimdhënësit kurse këta të tanishmit janë hulumtues të informacioneve dhe mësimdhënësi është mbikëqyrës i orës mësimore.” – thotë ajo. Arsimi është shtylla e zhvillimit të çdo kombi apo shoqërie,  puna, përkushtimi dhe përgjegjësia e arsimtarëve është në bazë të kësaj. Roli i tyre është i pazëvendësueshëm, sidomos kur ata e bëjnë këtë profesion me pasion. “Duke shikuar kronologjikisht gjendjen në arsim e vlerësojë të mirë, sepse testet shkollore janë të përpiluara me plan programin tonë dhe të përshtatura mirë me moshën  e nxënësve. Mësimdhënia dhe mësim nxënia realizohet me metodat bashkëkohore. Rëndësia po i jepet, por e mira asnjëherë  s’është e mjaftueshme, prandaj duhet të punojmë të gjithë së bashku për një cilësi sa më të mirë.”- përfundon arsimtarja.

admin

Artikujt e tjetrë