Kulturë

Parimi njerëzor dhe profesional i artistit

 Arti është një vendtakim, diskutim dhe ndërveprim. Jetojmë në një botë, në të cilën ndryshimet janë shumë të shpejta e të papritura, tani, kurrë si më parë, njerëzimi percepton brishtësinë e tij. Ndërsa kultura mund të jetë në gjendje të lidhë, të propozojë, të sugjerojë një pafundësi mundësi kreative për progresin kolektiv, në fakt ajo çfarë është më e rëndësishmja artisti të “fton” në reflektim. Një rrëfim i sinqertë me një ndër aktorët më të mirë të skenës shqiptare, Shkëlzen Veseli për rrugëtimin e tij artistik, filmin dhe teatrin, për atë çka përfaqëson skena për të.  

 

 A ju kujtohet hera e parë para një kamere? Tani që jeni një profesionist, mendoni ndonjëherë për Shkëlzenin e atëhershëm?

Hera e parë para kamerës ka qenë kur isha i vogël në një aheng familjar. Pastaj mblidheshim për t’i parë xhirimet dhe sapo vinte momenti kur shfaqesha në video unë dilja jashtë dhomës ngaqë s’mund ta shihja veten. Kam qenë shumë i turpshëm si i vogël. Megjithatë hera e parë para një kamere profesionale ka qenë në xhirimin e video-klipit të Ritmit të Rrugës “Ushtari i rrugës” si student i vitit të parë dhe aty për herë të parë u njoha me ndjenjën e popullaritetit. Ndjenja kur ecën rrugës dhe dikush të njeh apo kthen kokën ngaqë të ka parë në ekran. Megjithatë për dallim prej xhirimeve të ahengjeve në familje, kjo punë e imja e parë nisi të ma heq turpin, edhe sot e asaj dite kur e shoh klipin, ende më pëlqen.

 Çfarë përfaqëson për ju skena dhe si keni arritur të keni atë familjaritet me të?

Skena për mua do të duhej ta përfaqësonte sa më shumë realitetin jetësor, do të duhej të ishte një pasqyrë e problemeve shoqërore që e preokupojnë publikun, në qendër të së cilës është njeriu modern i kohës sonë me të gjitha hallet e problemet që i ka. Skena sipas meje do të duhej ta ngacmonte dhe ta provokonte spektatorin me pyetje e çështje për të cilat ai do ta kërkojë përgjigjen, të thellohet në mendime rreth temave dhe ideve globale, shoqërore e politike me të cilat rrethohet çdo ditë, ndonëse nuk jam shumë i sigurt që kjo gjë po ndodhë shpesh. Skena shpeshherë po e luan rolin e kundërt tek ne, duke u përpjekur që publikun megjithatë ta largojë nga hallet e përditshmërisë dhe realiteti.  Në pyetjen se a kam arritur të kem familjaritet me skenën, mendoj që arritjen e mishërimit me skenën e tregon më së miri spontaniteti dhe lirshmëria e aktorit në skenë, dhe nëse e kam arritur këtë gjë apo jo, megjithatë nuk jam unë ai i cili e vlerësoj këtë, por mbetet publiku ai i cili më sheh dhe më vlerëson në këtë rrugëtim.

14902722_564706133728193_6017810812106421505_o

 Aktualisht jeni duke interpretuar në serialin “O sa mirë”, por ndërkohë po përgatiteni edhe për shfaqjen më të re “Eshtrat që vijnë vonë”, na flisni pak për këto dy projekte?

Me serialin “O sa mirë” jam që 3 vite dhe tani e sa kohë veçse është krijuar një ambient harmonie mes kolegëve, njihemi të gjithë me njëri – tjetrin dhe kjo e bën edhe natyrën e punës më të lehtë dhe më argëtuese. Pas një kohe, profesioni jonë nuk të jep vetëm ndjesinë e punës dhe angazhimit, por edhe kënaqësisë si në punë ashtu edhe në shoqërinë mes shokësh e kolegësh. Ndërsa “Eshtrat që vijnë vonë” është projekti teatror i fundit në të cilin jam duke punuar aktualisht në TKK. Regjisori i shfaqjes është njëri prej regjisorëve më në zë në rajon me të cilin po kaloj jashtëzakonisht mirë si në prova poashtu edhe jashtë provave.

 Ndjeheni më mirë kur luani në teatër apo në film, çfarë ka teatri, që në film nuk e përjeton dhe anasjelltas?

Shumë aktorë i kam parë të mos mund ta bëjnë dallimin mes filmit dhe teatrit, megjithatë mua kënaqësi më të madhe më jep teatri. Në teatër puna e aktorit mund të bëhet gjithherë me seriozitetin dhe përkushtimin maksimal, procesi i provave e sidomos marrëdhënia me publikun është diçka që të jep kënaqësi të veçantë gjë që nuk e kanë dhe nuk e ofrojnë mediumet e tjera. Megjithatë puna e aktorit, fuqia dhe kontrolli që ka aktori në skenë për dallim prej filmit e bën aktorin të ndjehet më i gjallë në krahasim me filmin. Puna e të gjithë bashkëpunëtorëve duke nisur prej autorit, regjisorit etj, në fund i mbetet në dorë interpretimit të aktorit, dhe kjo sa të jep kontroll dhe fuqi po aq të jep dhe përgjegjësi për dallim nga filmi.

 Me gjithë problemet e shumta, që tash e një kohë të gjatë janë aktuale në jetën artistike në vend, sipas jush cila është sfida më e madhe me të cilën përballen artistët?

Një prej sfidave me të cilët përballemi si artist është fakti që megjithatë teatri si medium është art kolektiv dhe puna e aktorit varet jo vetëm nga ai por edhe nga një numër i madh bashkëpunëtorësh gjë që kërkon që të gjithë ta bëjnë punën  e tyre më së miri në grup dhe koordinim mes vete për të arritur një sukses të përbashkët. Shpeshherë kjo punë lidhet edhe me përkrahjen ose mospërkrahjen institucionale dhe financiare të institucioneve teatrore gjë që e shtyn para ose e le mbas mirëqenien e artistit dhe mund ta ndihmojë ose pengojë procesin artistik të krijimit apo të të bërit art.

Cilat janë parimet që një artist duhet t’i ketë parasysh nëse dëshiron të ketë sukses?

Parimi njerëzor dhe profesional. Mendoj që të jesh artist duhet t’i kesh të dyjat, njëra pa tjetrën nuk bëjnë dhe nuk e kompletojnë artistin.

Artistët kanë ritualet e tyre, mënyrat për të arritur te frymëzimi, por cilat janë tuajat?

Meqë aktori, ndryshe nga autorët, është interpretues dhe jetëson idetë e autorëve dhe regjisorëve gjë që e bien frymëzimin në nivel më teknik dhe praktik në sensin e punës dhe krijimit artistik. Përderisa autorët mund ta gjejnë frymëzimin kudo rreth tyre, ne si aktorë materialin bazë megjithatë e kemi tekstin dramatik që marrim para vetes dhe indikacionet regjisoriale, dhe frymëzimet bazë të aktorit burojnë nga materiali dramatik duke e pasuruar më pas krijimin aktoresk me të gjitha përvojat jetësore dhe të vërejturit e virtyteve dhe veseve njerëzore. Megjithatë vetminë dhe të medituarit gjatë procesit kreativ konsideroj si krijim të rrethanave për tu thelluar tek roli dhe tek vetvetja, dhe gjatë kësaj kohe, frymëzimi mund të jetë çdo herë i ndryshëm dhe të vijë nga çdo anë.

admin

Artikujt e tjetrë