Arte Pamore

Një jetë plotë ngjyra

Arti është mënyra sesi artisti shpreh ndjenjat dhe pikëpamjet e tij për gjërat që e rrethojnë, aktualitetin, njerëzit botën…I tillë është edhe piktori ynë i ri Robert Nikollbibaj. Një pasion i kamotshëm për pikturën që do të bëhej edhe më intensiv me kalimin e viteve.

Roberti ka përfunduar shkollën e mesme për p[pikturë për të vijuar pastaj me studimet në Akademinë e Arteve në Prishtinë, po në të njëjtën degë. “Ka qenë një rrugëtim sfidues dhe njëkohësisht i bukur, një përvojë që nuk do ta ndërroja asnjëherë. Shkollimi është ajo që e plotëson pasionin, një ndërthurje që jam munduar ta zbatoj deri sot. Piktura për mua është shumë e rëndësishme dhe që në moshë shumë të re kam aspiruar që një ditë të mund të realizoj vepra të bukura. Piktura, arti në përgjithësi është mënyra sesi unë i shpreh qëndrimet, ndjenjat, pikëpamjet e mia nëpërmjet brushës, prandaj është një nga pjesët më të bukura në jetën time.”-tregon Roberti, i cili aktualisht është i angazhuar në përfundim të studimeve Master.

unnamed

Megjithatë hapësira për të krijuar në vendin tonë shumë shpesh lë për të dëshiruar, kjo për shkak të shumë pengesave dhe sfidave me të cilat përballet çdo artist i ri në fillimet e tij. Në lidhje me këtë Roberti thotë se për të pasur sukses duhet përkushtim dhe këmbëngulje.

“Në Kosovë mungon një vetëdije e mirëfilltë për artin dhe është e vështirë të mendosh se këtu mund të mbijetosh nga arti. Janë të paktë ata artistë që jetojnë vetëm me art. Kjo ndikon nga kushtet ekonomike, si dhe nga mos përkrahja institucionale, mirëpo shpresoj dhe besoj se në të ardhmen e afërt, arti në Kosovë do të zë një vend më të mirë sepse kemi shume artistë të talentuar.”

Ai është një ndër shumë artistë të rinj që pretendojnë të krijojnë vetëm vlera duke u përpjekur që t’i ikin shablloneve dhe prodhimeve të diktuara nga tregu. Dhe si çdo artist që ka muzën, frymëzimin, ai këtë e gjen tek aktualiteti ynë dhe thotë se frymëzimi është diçka e natyrshme që nuk mund të simulohet por ndodhet tek njerëzit, natyra, ngjarjet, historia etj. Ndërsa preferon që të fokusohet dhe të jetë i informuar për zhanre të ndryshme artistike sepse mendon se në këtë mënyrë është e mundur të eksperimentohet dhe të krijohen vepra të bukura. Ai gjithsesi që ka qenë pjesë e shumë projekteve artistike gjatë viteve të studimeve duke pasur mundësi të provoj dhe të informohet me alterantiva të ndryshme, që i gjen në fushën e artit.  Megjithatë periudha impresioniste si dhe arti bashkëkohor janë dy etapat që e intrigojnë më shumë atë si artist.

“Si çdo artist tjetër qe frymëzohet nga artistët e mëdhenj të së kaluarës, edhe unë kam të preferuarit e mi, që dashur e pa dashur ndikojnë në punën time artistike. Bota gjithmonë na ka dhuruar njerëz të mëdhenj dhe të pazëvendësueshëm, që kanë krijuar vepra madhështore dhe ne kemi fatin, që t’i shohim veprat e tyre dhe të frymëzohem nga ato. Do t’i kisha veçuar : Cloud Monet, Van Gogh, Lucian Freud, etj.”

unnamed (1)

Me gjithë përkrahjen minimale, që u jepet artistëve tek ne, ata asnjëherë nuk reshtin së krijuari duke na sjellë vepra të bukura, të rëndësishme, që i kontribuojnë artit shqiptar, madje edhe atij botëror. Roberti ka shumë plane për të ardhmen, ka shumë ëndrra dhe dëshira që pret t’i realizojë. Një ekspozitë vetjake mbase do të jetë një fillim i mbarë në rrugëtimin e tij artistik plot aventura të bukura, ku do të kemi mundësi të shohim disa nga punimet e tij të shumta, të realizuara nëpër vite.

admin

Artikujt e tjetrë