Letërsi

Mos i pyesni poetët se çfarë është poezia

E vlerësuar në Prishtinë me çmimin e parë, poetja Viola Isufaj, në Flatra për poezinë, si një kalim nga bota e njëmendtë në një realitet të epërm, për librin “Adamahun”, që na  e sjell në kujtesë lidhjen që e kemi me tokën. Për Violën poezia nuk ka përkufizime, nuk ka shpjegime, por ajo na thotë se çfarë është për të …

 

Foto: Fatjon Hoxha

 

Prishtina iu vlerësoi me çmimin e parë në poezi, si ndjeheni për këtë vlerësim?

O, mirë e bukur. Natyrisht, me ose pa çmim, teksti është ai që është, por vlerësimi vjen prej Prishtinës-të shndërruar këto ditë në kryeqendër kulturore të hapësirës mbarëkombëtare letrare, kështu që, me të vërtetë, po e ndiej nderimin.  Veç kësaj, është një çmim për poezinë. Në Kosovë ekziston një njohje dhe një shije special për këtë zhanër. Poezia është gjinia që i ka prirë letërsisë së Kosovës me dinamizëm, imagjinatë  dhe forcë të veçantë. Ka edhe anë të tjera që lidhen me poezinë dhe me Kosovën. Në kohën kur në terrenin letrar shqiptar, brenda kufijve të shtetit amë, u shkaktua gjithë ajo thatësi e madhe nga anatemimet e poetëve tanë të traditës dhe bashkëkohësisë dhe ndalimet e poetëve të huaj, sidomos atyre që gjeneronin prirje moderne,- ishte pikërisht poezia e Kosovës ajo, që si një shteg i ndërmjetëm na solli frymën e kohës, tendencat më të fundit evropiane e botërore. Së fundmi, arsyet kanë të bëjnë me ndjeshmërinë time për Prishtinën; ende pa u vendosur kontaktet e para me të, e kam patur shumë për zemër, dhe për çudi, më ka pasur po aq për zemër. Është një komunikim krejt i brendshëm me qenësinë e këtij vendi. Ky është  një qytet shpirtfortë dhe tepër interesant-i cili kur të do, të do përgjithmonë dhe nuk të harron kurrë. Për mua, prandaj, ky vlerësim ka kuptim të disafishtë. Dhe them “Ju falem nderës”.

DSC_4179

 Keni publikuar librin me poezi titulluar Adamah, na flisni pak për të, pse ky titull dhe çfarë tematike ka?

Adamah është një fjalë tingëlluese, e rrallë, e cila më dha një melodi tepër të bukur, sensuale dhe të fshehtë dhe të cilën për këtë, e zgjodha si kryeshenjë të këtij vëllimi poetik. Adamahu qëndron aty si titull për të mbuluar lidhjen e njeriut me tokën: adamahu është toka e kuqe, mitra e përgjakur që lindi Adamin, nga brinja e të cilit, lindi më pas gruaja. Më shumë se lidhja e femrës me mashkullin në vetvete, ky aludim i dytë shërben si një analogji sesi duhet të jetë lidhja e njeriut me tokën, në të gjitha kohërat.  Gjithmonë bota ka qenë duke shkuar drejt fundit dhe është gjendur në zgrip. E, tani, në këtë botë krimesh dhe zvetënimesh të vlerave, të marrëdhënieve të njeriut me natyrën e me çdo gjë shpirtërore, Adamahu  na  e sjell në kujtesë lidhjen që e kemi me tokën. Adamahu në nivel të titullit të krejt vëllimit është udhëtimi i njeriut dhe i njerëzimit, i mbrapshtë dhe i mbarë, ciklik, me ekzaltim të çmendur dhe pikëllim të thellë, me rrënim dhe rigjenerim, me dhimbje të pashueshme dhe me lumturi. Ciklet e para të vëllimit tim, Thonjtë e veclël të butë dhe Libri i Diellit evokojnë fëmijërinë e njeriut dhe të njerëzimit, ndjellin vendet e largëta dhe të afërta, kohën përpara kohës,- për të thirrur një epokë, kur, të çiltër siç qemë, në padijen dhe virgjinitetin tonë, nuk nuk mund të flisnim për lumturi. Unë e përndjell këtë kohë, këtë fëmijëri të njerëzimit si simbol dëlirësie, lirie të paanë, burim pastërtie të bekuar dhe lumturie të pakufi. Kjo është një nostalgji, një shumësi ëndrrash në imazhe të bukura evokuese që i kundërvihet gjendjes së tanishme, të ndotur të shpirtit. Ndërkalimet  në këto hapësira ndodhin tek poezitë Kumbullat e Kaltra, Paganët, Para verës, para kohës, Në aht thërrmohej drita…Kur menjëherë hyn cikli Kumtet e pjalmit, ai njofton erotikën  me harlisje e fluturime eterike dhe prapë kthime në botën e rëndomtë. Dashuria është e mishtë dhe gjaktë, por është gjithashtu dhe frymë, madje frymë e shenjtë.  I dashuri i kumbullave të kaltra, tani është banditi me sharm vjeshte që s’ka bërë veç keq… Mund të thuhet se ai del me trajta të tjera, me hije që pësojnë ndryshime, psh,  tashmë ai është Simbad Detari që pi majë kreshtave të dallgëve, është Uliksi që nuk ndaloi në ishullin magjepës duke ia plasur zemrën sirenës, ai është Tritoni të cilit i hidhet një sfidë: Unë nuk fundosem në varr të ujshëm!. Sepse kemi rrëshqitur në ciklin tjetër: Shpirtaret e ujërave. “Shpirtaret” është një fjalë që merr me të mirë “shtrigat” e ujërave, krijesat e xhindosura femërore, pasi inatet e tyre të bukura  mund t’u sjellin vetëshkatërrimin dhe vetëasgjësimin.  Pra, edhe femra, del në trajta shumë të ndryshme në dukje, por që shfaqin edhe ato hije të të njëjtit shpirt: atij femëror, anë të ndryshme të natyrës së femrës. Përndryshe, mund të flitet gjithë kohës për transformim. Gjendemi kështu nga uji në rërën e pafund tek Bohemiada e Dunave, me poezitë Kopshtijet e rërës, -një ëndërritje shkretëtirës që çliron çdo pengim. Fill pas kësaj, jemi me poezinë tjetër Gruaja në stuhi rëre, përsëri një sfidë-ajo e fatit të përmbifuqishëm që ruan gjallë pas stuhisë së rërës, pikërisht atë që njeriu i vdekshëm kishte caktuar për të qenë robinjë. Ka një përmbysje të paracaktimeve që ka guxuar t’i bëjë njeriu: grabitësit, tregtarët, zotërinjtë mbyten në stuhi rëre, qytetet klithin e humbin në tym, gjithashtu. Destini ka vendosur të mbesë gjallë vetëm robinja e karvanit që ecën shkretëtirës. Në fund mes qetësisë, çlirohet një ndjesi shëruese. Një imazh i ecjes zbathur të gruas me fustan bojëhëne nëpër rërë të ftohtë.

 Çfarë është Shtëpia e heshtjes në qiell? Me çfarë kanë të bëjnë Kadencat dhe Cikli çfarë mbeti?  Po kjo cd-që shoqëron disa kopje të librit?

Shtëpia e heshtjes në qiell -është mistika e kalimit të adhurimit nga një njeri i vdekshëm në zot dhe anasjelltas. Aty janë poezitë: Mjellma e liqenit që më shpiku apo Lëvdatë, hallelujah për një zot të vdekshëm.  Cikli i terës, ose Kalamendja përmbledh përveç poezisë Siç thoshim dje, edhe pjesën Adamah, që aludon mbi krijimin e femrës nga brinja, një variant dhe variacionzbërthimi i “Eshtrat e mia nuk ishin një e fshehtë për ty kur u formova në fshehtësi duke u endur në thellësitë e tokës”. Dhe ky është udhëtimi dhe kjo është kalamendja që bashkon kohët parake me ato moderne duke zbuluar, por edhe duke fshehur akoma më në thellësi misteret. Kadencat përbëhen nga  Vith sistur thinni gaztu slikan mog, Ti që endesh ferrit, Sa të drejtë kishe ti kur flisje për vetmi, Lotët e larme, Ajme për atë Ulkun, Riquiem për zjarrin hirin dhe ujin e shiut, së bashku me me Pensiero debole parapërgatisin ciklin e plojës, ose të kërdisë, të masakrave të tmerrshme.  E gjithë kjo gjendje paraprihet nga vizone apokaliptike të botës qysh tek Djepi i kukuvajkës që hap këtë cikël. Në një klimë plot klithma dhe agoni, ku apokalipsi pritet të ndodhë tani, si i papërfillur bulon sythi i vetëm i qeshur në tokë të djegur, Ai shquhet mes rrënojave. Një poemë përmbyllese pastaj, por që prapëseprapë e le një shteg të hapur për mundësinë e rikthimit “me gjuhët e vdekura, me shiun shtrëngatë”… Kur aktori ynë virtuoz Timo Flloko shprehu afeksionin e tij për këto poezi dhe i recitoi ato së bashku me aktoren e talentuar Klodiana Keco, m’u duk sikur u dha bekimin për të ecur të shpenguara në rrugën e tyre. Kjo ishte para një viti, para se libri të dilte nga shtypi. Vetëm disa kopje u shoqëruan me cd, megjithatë, duke respektuar kështu shijen e përfytyruar të një pjese të lexuesve. Një pjesë pëlqen të dëgjojnë, një pjesë tjetër pëlqejnë të imagjinojnë në heshtje.

DSC_4504 (1)

 Si do ta përkufizoje poezinë tënde?

Gjendem këtu me frikën e madhe se duke e përkufizuar, do të sillesha keq me të. Përkufizimi, (vënia e kufijve) më bën nganjëherë të përjetoj gjëra të pakëndshme.  Prandaj, nuk mund t’ju shpjegoj shumë për poezinë, por mund t’ju rrëfej për dashurinë time me të. Sepse si dashuria… ajo ndodh; vdes dhe ringjallet brenda  gjirit tim. Është me të vërtetë një mister. Unë jap e marr me këtë mister. Por nuk e zbuloj atë. Dhe mbetem përherë një dashuruese e këtij misteri, e çdo refleksi të esencës së universit në shpirtin e njeriut, dashuruese e dritës, e përnaltësimit mahnitës të pafajësisë dhe fuqisë së fjalës.  Di vetëm se ka të bëjë me diçka që më përcillet nga përtej, nga një forcë e largët, një muzë, një Zot.  Se  kur ti shkëputesh nga e rëndomta, zhytesh në zhumhurin poetik, në zhaurimë mijëvjeçarësh apo në hije sendesh dhe e hedh atë në letër, ka patjetër një kalim nga bota e njëmendtë në një realitet të epërm, hyjnor. Dhe ky është një kalim mrekullor. Njëherë e kishin pyetur Bernard Shoë-n se a besonte se Bibla ishte shkruar nga Shpirti i Shenjtë. Ai u përgjigj kështu: Mendoj se Shpirti i Shenjtë nuk e ka shkruar vetëm Biblën, por të gjithë librat.

 Cilët janë poetët tuaj të shpirtit, apo lexime në përgjithësi kanë ndikuar në formimin tuaj?

Jam ushqyer me poetë të antikitetit, me poetë epikë po edhe lirikë, me Homerin, me Safon, pastaj ndodhi dashuria me Këngën e Këngëve, paskësaj, kam njohur, (por vetëm  deri në një masë) mesjetën e ajo është përplot gjëra interesante dhe shumë e thellë.  I kam shijuar duke i lexuar në gjuhët origjinale Danten, Shekspirin, Petrarkën, Ponë, Nerudën,  Borhezin, Verlenin, Malarmenë, Rembonë dhe Bodlerin, hermetikët italianë, si dhe amerikanët Eliot dhe Paund-të gjithë në gjuhët e tyre. Ka edhe poetë të tjerë të huaj, por po dua të përmend edhe poetë shqiptarë. Ka disa poetë shqiptarë të mirë, ne kemi para së gjithash folklor shumë të mirë, këngë që kanë lindur tek ne ose që kanë qarkulluar tek ne, pastaj kemi shkrimtarë të tillë si: De Rada, Poradeci, Mjeda… Ndërsa poetët e bashkëkohësisë: Camaj, Zorba dhe Reshpja janë dhe poetët e shpirtit –siç thoni ju.

admin

Artikujt e tjetrë