Arte Pamore

Me hasjanet përtej kufijve

“Hasjania” e Luan Mulliqit na vjen e gjallë, krenare, në madhësi e materiale të ndryshme, një mënyrë artistike e depërtimit në anën tjetër të botës.

 

Nga Besa Gjoni

Personalitete të shquara shqiptare e kanë vënë në dukje  identitetin e vendit nëpërmjet veprimtarisë artistike, qoftë Kadare, Podrimja etj. Në vazhdën e kësaj veprimtarie është edhe projekti artistik “Hasjania” e skulptorit tonë të nderuar Luan Mulliqi. Një shpalosje tjetër e identitetit të vendit tonë, një prurje e aspektit etnografik nëpërmjet artit monumental të ndërlidhur me bashkëkohoren. Veshje unike e rajonit të Hasit, e cila karakterizohet nga koloriti dinamik dhe funksionaliteti i veshjes, konsideruar si unike  nga shumë etnologë shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Hasjania e Luan Mulliqit nuk prezantohet me ngjyrat e gjalla, por me gjallërinë e formave të saj dhe qëndrimin krenar. Ajo vjen në madhësi e materiale të ndryshme dhe në secilën skulpturë gjen një lloj veçantie artistike. Skulptori nëpërmjet hasjanes tenton që shteti ynë të njihet ndërkombëtarisht edhe nga ky aspekt, ai i vlerave, historisë, etnografisë, traditës. Një mënyrë lobimi që duket sikur i ka munguar Kosovës, eklipsuar me ngjarjet politike. Megjithatë çfarë përfaqëson hasjania, të cilën patëm rastin ta shohim në ekspozitën e realizuar në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës?

????????????????????????????????????

“ Në këtë kohë të artit global dhe të jetës globale, kemi edhe një formë të globalizimit të artit dhe shpesh kur shikon nëpër këto ekspozita që bëjmë ne, është shumë e vështirë të dallosh një artist se prej cilës hapësirë vjen, por edhe gjatë historisë së artit madje dhe në kohët e fundit, vihet re një tendencë e theksuar e artistëve që përpiqen të gjejnë simbole të hapësirës në të cilën jetojnë. Pra është filmi dhe arti pamor, të cilët më së shumti mund ta paraqesin këtë idenë e hapësirës dhe identitetit të një populli dhe pikërisht kjo ka qenë edhe pikënisja ime për këtë projekt.  Në të kaluarën kemi pasur artistë të cilët kanë paraqitur si identitet të Kosovës,  kullat. Mund të them se kam pasur fat që kam hasur në Hasjanet.”

Luan Mulliqi ka punuar afro tre vjet për të sjellë këtë ekspozitë dhe në fakt punimi i parë dedikuar hasjaneve është bërë në vitin 1982 duke u zhvilluar përgjatë viteve. Mulliqi tregon sesi e ka zbërthyer karakterin e kësaj zone, që në aspektin etnografik është shumë e rrallë.Të them të drejtën nuk më është dashur shumë kohë sepse si fëmijë kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me këtë zonë, pra me hasjanet. I kam parë në kishë në xhami me atë veshjen karakteristike të tyre, por ajo që më ka marr më shumë kohë kanë qenë këto 3-4 vitet e fundit, një periudhë intensive e hulumtimit të hasjanëve. I jam përkushtuar asaj pjesës së etnografisë dhe jam munduar që ato t’i kthejë në një formë më moderne.  Kosova është shtet i ri dhe të gjithë duhet të punojmë për të ndërtuar dhe prezantuar identitetin e saj të ri shtetëror. Natyrisht që artistët janë ata që më së shumti munden të hulumtojnë rrënjët e veta dhe në bazë të formë së shprehjes së tyre artistike t’i sjellin ato në një formë moderne. Të bëjnë një ndërlidhje në mes të kaluarës dhe të tashmes. Ajo çfarë bie në sy në aspektin etnografik të veshjes së tyre është ngjyra, por unë si skulptor dhe në përgjithësi sfida qëndron tek eliminimi i këtyre ngjyrave duke u marr vetëm me format.”

DSC_2138

Materialet e përzgjedhura në këtë koleksion të hasjaneve janë të ndryshme duke filluar nga druri, mermeri, bronzi, xhami. Gjithashtu kjo larmi materialesh është bërë me qëllimin e prezantimit të figurës së hasjanes gjithmonë ndryshe dhe të papërsëritshme. “Ekspozitat tematike janë jashtëzakonisht të vështira për të gjitha shprehjet e artit, meqenëse skulptura është edhe më specifike  dhe për dallim nga llojet  tjera të artit, ekspozita të skulpturës realizohen shumë më rrallë. Tek ekspozitat tematike rrezikon përsëritjen e veprave, andaj nëse mund ta quajmë një gjetje kreative, mua më është dashur që në koncept t’i parashikoj të gjitha materialet, me të cilat do të punoja një numër aq të madh veprash. Përveç materialeve kam prezantuar edhe madhësi të ndryshme të hasjanes, që nga figurat 35 cm në metal e deri tek 3 m e gjysmë në dru.”

Sidoqoftë gjatë këtij muaji sërish do të vihemi nën ethet e vëzhgimit të UNESCO-s, i cili do të bëjë përzgjedhjen e veprave unike përfaqësuese të trevës apo identitetit të vendeve të caktuara. Kosova sërish do të tentojë të bëhet pjesë e kësaj shtëpie të madhe botërore të kulturës e rëndësisë së vlerave që e karakterizojnë. “Hasjania” është në gatishmëri dhe po tenton që Kosova të njihet nga bota nëpërmjet tyre. Sipas Mulliqit në betejat e shtetit tonë për tu pranuar nga UNESCO mbi të gjitha duhet të lobohet  me art. “Mendoj që pikërisht këtu ishte humbja që e patëm vitin e kaluar, se nuk binden miqtë tanë se Kosova nuk ka të vetmin identitet manastiret ortodokse të Mesjetës që mbarë bota i pranon, dhe Serbia me propagandën e saj pikërisht këtu e fitoi betejën. Ne nuk ishim në gjendje t’i tregonim botës se përveç kishave dhe manastireve që janë padyshim pasuri e rëndësishme e jona,  kemi edhe kulturë e vlera të tjera që na identifikojnë. Ndër to mund të përmendim hasjanet, kullat e shumë gjëra të tjera që e krijojnë identitetin e ri shtetëror të Kosovës. Vlera të cilat janë të pakontestueshme dhe institucionet tona duhet të fillojnë pikërisht nga këto, pastaj të kalohet në pjesë të tjera të identitetit. Është shumë pak  e njohur kultura dhe arti i gjallë i Kosovës.”

admin

Artikujt e tjetrë