Arte Pamore

Amarcord nga Edi Rama

…është një rubrikë që u kushtohet personazheve, ngjarjeve, monumenteve, peizazheve të kujtesës…Emri i saj është huazuar nga titulli i kryeveprës së Federico Fellinit, që i dha kësaj fjale kuptim në çdo gjuhë të botës.

 

1

Në 145 vjetorin e tij të lindjes, korifeu i patriotizmit gjenuin shqiptar dhe mjeshtri i letrave shqipe, At Gjergj Fishta o.f.m., na kujton nëpërmjet kësaj foto të mirënjohur edhe një mësim përulësie, në këtë ditë të bekuar të lindjes së tij. Ndërkohë që sot patriotët profesionistë të vërsulen sa herë që i zgjat dorën për pajtim dhe paqedashje fqinjit, Ai, Ati i Luftës kundër çdo shovinizmi të huaj nga veriu në jug, shfaqet pa komplekse me dekorata të fuqive të huaja: Krahas shqiponjës së kalorësit të Urdhërit austro-hungarez të Franc-Jozefit dhe medaljes Benemerenti të Piut XI, françeskani i madh mban rreth qafës komandarin e Feniksit të Greqisë dhe medaljen Mearif të Turqisë.

2

Të duash dhe të mirëkuptohesh nuk do të thotë të mendosh njëlloj apo të lexosh të njëjtat gazeta

3

Në 20 tetor 1900 jepte shpirt në Kadiköy të Stambollit, Naim bej Frashëri, “Omir i Shqipërisë”, siç cilësohej nga bashkëkohësit, i shoqëruar drejt banesës së fundit nga myslimanë dhe mbi treqind të krishterë, duke na lënë trashëgim jo vetëm një përulësi dhe një urtësi të rrallë e cila shfaqet edhe në këtë foto të panjohur me Samiun, shkrepur në Janinë më 1870, por mbi të gjitha një frymë dashurie dhe përshpirtshmërie për gjithçka na bën njerëz dhe shqiptarë.

4

Që kur lind në Shkodrën e të gjitha kontrasteve, një 13 tetor, e deri sa mbyll sytë paqshëm në Torre Pelice, Millosh Gjergj Nikolla ngjan si i dërguar i zotave të poezisë, për t’u bërë në letërsinë shqipe mishërimi i amanetit të Gëtes, “Më shumë dritë”!
Migjeni nuk pati pararendës; ai mbetet i parëlinduri i letërsisë moderne shqiptare.

5

Në tetor 1913, Edith Durham, etnografe dhe antropologe britanike që shkriu rininë në ndihmë të çështjes shqiptare, denonconte në gazetën The Near East faktorët e përçarjes te Shqiptarët, arkaizmin dhe zhurmën politike të ambicieve më të shfrenuara; pak muaj më vonë, ajo e gjeti veten duke luftuar me armë ç’ka kish luftuar me penë. Brenga e Ballkanit, u bë plaga e hapur e zemrës së një gruaje të lirë, krejt e përkushtuar ndaj një populli që ecte me orën e historisë, por pengohej nga fanatikët e errësirës.

6

Vitin tjetër do të përkujtojmë 110 vjetorin e lindjes së një prej shkrimtarëve më brilantë e mendimtarve më të mprehtë, të këtij vendi. I zjarrtë kur e dinin të shuar, gojëmbël kur prej tij prisnin rrëke dëshpërimi, i dashuruar pas atdheut edhe kur atdheun i’a vunë si hije pengimi përballë. Ky ishte Mitrush Kuteli (Dhimitër Pasko), princ i letrave dhe shëmbëlltyrë e njerëzillëkut më të lartë.

 

admin

Artikujt e tjetrë