Shëndet

Si t’i ndihmojmë fëmijët me probleme në komunikim

17122215_1831773247089767_246337584_o

Afërdita Dragaj, logopede, në një intervistë për Flatrën, flet për shkaqet dhe pasojat e çrregullimeve në të folur, arsyet se përse sot po bëhet gjithnjë e më shqetësuese përdorimi i teknologjisë nga fëmijët.

 

  Gjithmonë ka pasur pasion mjekësinë dhe psikologjinë, ndërsa zgjedhja e studimeve në fushën e logopedisë, ka qenë e ndikuar nga një shoqe  e kolege e nënës së saj nga Zagrebi. “Ishte pikërisht ajo që më tha: Afërdita pse nuk zgjedh logopedinë, është kuadër deficitar dhe Kosova ka nevojë për këtë drejtim, pastaj, në këtë fakultet dhe drejtim i ke të gjitha shkencat shoqërore që ti i pëlqen, psikologjinë, mjekësinë, pedagogjinë etj? Pasi u interesova për shkencën e logopedisë, më pëlqeu shume dhe vendosa për të studiuar në Universitetin e Zagrebit. E di se kam bërë zgjidhjen e duhur dhe jam e lumtur për këtë.”- shprehet Afërdita Dragaj, e cila pavarësisht sfidave të kohës arriti të bëhet një nga logopedët më të mirë të Kosovës.

 

Kur duhet ti drejtohemi logopedit?

Komunikimi është bazë e zhvillimit të të folurit. Të folurit është proces i ndërlikuar tek i cili ndikojnë shumë faktorë: ai fiziologjik, anatomik dhe social. Ekspertët vërtetojnë se pa kontakt social nuk mund të mësohet të folurit. Duhet rrugë e gjatë deri tek zhvillimi i aftësive komunikuese. Secili fëmijë është individ në veti dhe dallon në zhvillim, por, ekzistojnë rregullat e zhvillimit gjuhësor dhe kur komunikimi nuk përkon me moshën kronologjike, atëherë doemos duhet kërkuar ndihme profesionale. Janë disa indikatorë që mund ti ndihmojnë prindit  të vërejnë se duhet reaguar:

  • Nëse fëmija pas 18 muaj nuk i kupton dhe zbaton urdhrat (kërkesat) e thjeshta
  • Nuk bën papa në shenjë përshëndetje
  • Nëse nuk di të tregojë 3 pjesë elementare të trupit
  • Nëse i mungon përqendrimi për disa sekonda dhe në fjalor ka veç disa fjalë.
  • Nëse pas muajit 30 nuk ka fjali të thjeshtë, komunikimi është i kuptueshëm vetëm për familjaret dhe atëherë kur tek fëmija pas moshës 3 vjeçare gramatika nuk është korrekte (nuk dallon gjininë, shumësin..etj) atëherë doemos duhet kërkuar ndihme profesionale.
  • Nëse nuk luan me fëmijë të tjerë
  • Nëse ka çrregullim ne ritëm dhe tempo.

Asnjëherë nuk është herët e as vonë për trajtim logopedik.

Si duket ekzaminimi dhe si trajtimi logopedik?

Prindërit i drejtohen logopedit me referimin e pediatrit, psikologut, ORL apo ndonjë eksperti tjetër ose, ata vet janë iniciatorë pasi që vërejnë ose mendojnë se diçka me komunikimin e fëmijës se tyre nuk shkon. Gjate ekzaminimit merret anamneza e familjes dhe e fëmijës, vrojtohet dhe vlerësohet fëmija dhe nëse prindërit dakordohen, fillon trajtimi. Në muajin e parë të trajtimit bëhet testi thelbësore, diagnoza diferenciale.. Sipas nevojës logopedi referon ekzaminim ose punë ekipore tek ndonjë profesionist. Bëhet plan programi individual i punës, këshillat për prindër dhe bisedat mujore për bashkëbisedim për me tutje (çfarë është arritur dhe cilat janë qëllimet e mëtutjeshme).  Theksi i veçantë është bashkëpunimi i domosdoshëm me pedagoget, psikologet , mësimdhënësit dhe edukatoret e institucioneve edukativo-arsimore.

 Cilat janë çrregullimet më te shpeshta dhe shkaqet kryesore të këtyre çrregullimeve?

Hulumtimi i bërë në disa institucionet parashkollore në Prishtinë, e poashtu edhe më gjerë, dhe puna ime 25 vjeçare, kanë treguar se çrregullimi më i shpeshtë tek fëmijët parashkollorë është dyslalia (shqiptimi jo korrekt i tingujve) si dhe alalia (të folurit e pa zhvilluar) pastaj vjen belbëzimi, autizmi etj. Shkaqet e çrregullimeve në komunikim janë të shumta ndërsa etiologjia e tyre nuk është gjithmonë e njohur. Sa i përket shqiptimit jo korrekt të tingujve, dyslalise, problematika  është shumë më komplekse. Shpesh është simptomë i vështirësive të cilat i ka fëmija në aspektin e zhvillimit gjuhësor. Është e njohur se devijimet e organeve të artikulimit (qiellza, buzët, gjuha, nofulla), dëmtimet e lehta në dëgjim, mungesa e shkathtësisë motorike dhe “manipulimit” me organet e artikulimit mund të jenë shkaktare i paraqitjes së dyslalise. Përdorimi i gjatë i memës, thithja e gishtit, dëgjimi i dobët fonetik (për foneme), komunikimi jo adekuat i personave që e rrethojnë (të folurit me gjuhën e bebes) etj. Shkaku mund të jenë edhe problemet neurologjike, paraliza cerebrale  etj.  Sa i përket të folurit e pazhvilluar (alalia) çrregullimit gjuhësor, etiologjia mund të jetë nga më të ndryshmet; gjatë shtatzënisë së nënës (infeksionet dhe problemet tjera shëndetësore), gjatë lindjes (lindja e vështirë, asfiksoni) pas lindjes, sëmundjet e ndryshme aspekti gjenetik por edhe një ndër shkaqet më të shpeshta kohëve të fundit është përdorimi i teknologjisë dhe komunikimi jo adekuat.

 Si dhe sa ndikon përdorimi i teknologjisë në zhvillimin e komunikimit?

Komunikimi është bashkëveprim dhe  jo prodhim i fjalëve në mënyrë mekanike. Kur komunikojmë, ne përdorim edhe ekspresion facial (shprehje të fytyrës),  ndryshojmë ngjyrën e zërit  varësisht nga emocioni dhe kemi informatë kthyese. Në momentin kur fëmija sidomos në fazën e zhvillimit të komunikimit, ka më shumë kontakt me “makinë” se sa me njeriun, këtu paraqiten shumë probleme të cilat lënë pasoja  serioze, sidomos në zhvillimin e gjuhës. Tv. Smart phonat, Ipad-at përveç se ndikojnë keq në shëndetin e njeriut si psh qëndrimi i gishtërinjve në telefona stagnon zhvillimin e sinapsave ne tru përdorimi i tyre stagnon edhe zhvillimin e komunikimit sepse, nuk ka informatë kthyese, nuk ka ngrohtësi dhe reagim të gjallë dhe viziv, kontakt sy me sy, ka vetëm ekolali dhe “prodhim” të fjalëve të cilat nuk kanë të bëjnë fare me situatën reale. por me përsëritje, thjeshtë nuk ka interakcion, shpesh në gjuhë jo amtare dhe prindërit thonë se fëmija i tyre flet anglisht, gjë që realisht nuk qëndron.

Zgjatja e trajtimit dhe roli i prindit gjate trajtimit logopedik?

Zgjatja e trajtimit logopedik varet nga shumë faktorë. Varet prej problematikes, bashkëpunimit të fëmijës me logopedin, sa dhe a i përmbahen prindërit  këshillave të propozuara por edhe nga faktori kohë. Këtu rol të rëndësishëm kanë edhe mësimdhënësit dhe edukatoret, qasja e tyre dhe bashkëpunimi me logopedin.

Logopedia përveç se diagnistifikon dhe trajton, si zbulon dhe parandalon?

Parandalimi – përcillen fëmijët riziko (bashkëpunimi me neonatologet) dhe përcjellja e përkrahja e prindërve me këshilla adekuate nga logopedi se bashku me ekspertet tjerë të nevojshëm. Sensibilizimi i popullatës për mënyrën adekuate të komunikimit.  Zbulimi i problemeve ne komunikim behet permes vizitave në çerdhe, bashkëpunimit te pediatrit, psikologut, neurologut me logopedin.

Në cilat fusha terapia e logopedisë mund të ndihmojë?

Shkenca e logopedisë është shkencë, e cila depërton dhe ka ndikim në secilën fushë sepse komunikimi është pjesë e pandarë e njeriut. Puna ekipore ka rendësi të madhe dhe për efikasitetin në trajtimin e çrregullimeve të ndryshme të komunikimit,  logopedi bashkëpunon ngushtë me psikologun, ORL, neurologun, neuropediatrin, ortodontin, neuropsikiatrin dhe të tjerë varësisht nga problematika qe ka personi.

Ju si logopede, çfarë i këshilloni prindërit sa i përket stimulimit të komunikimit adekuat për parandalimin e problemeve në të folur?

Bëhuni dëgjues i mirë dhe aktiv. Edhe kur fëmija nuk verbalizon,mundohuni të“lexoni” nga shprehja e fytyrës – ekspresioni facial edhe ai është pjesë e komunikimit. Kujdesuni për aspektin emocional të fëmijës. Kujdes çfarë dhe si flisni në prezencën e tij, mos e kushtëzoni, dënoni dhe frikësoni (me qenin, macen, axhën, policin J ) etj sepse aspekti emocional si dhe ai social është pjesë e komunikimit dhe shume e rendesishme e zhvillimit.  Prisni përgjigjen, qoftë verbale apo jo verbale dhe mos mendoni se nëse flisni shumë dhe tërë kohën, kjo do të stimulojë fëmijën dhe do t’i ndihmojë, përkundrazi. Mbi te gjitha mos e korigjoni por vetem behuni model i mire. Mos praktikoni që televizori të ri ndezur tërë ditën, kjo krijon kaos në jetën dhe kokën  e fëmijës sidomos tek fëmijët që kanë vonesë në zhvillimin e komunikimit si dhe tek ata që kanë predispozita për të.  Nëse fëmija juaj është duke vijuar seancat logopedike, preferohet që  ato mos  ndërpriten pa e dëgjuar logopedin mbi punën, suksesin dhe vështirësitë. Arritja tek dëshirat dhe qëllimi dallon. Profesionisti shikon dhe punon në segmente të “vogla” kurse prindit si jo profesionist, ato i duken (sukseset) shpesh të padukshme. Këshilla ime është poashtu, mos supozoni por pyesni dhe shtjelloni me logopedin për çdo gjë që vëreni, dyshoni apo dëshironi të dini. Kjo një ndër tjerash është edhe pjesë e punës së tij.

 

 

admin

Artikujt e tjetrë