Gruaja

Rita Zeqiri…vajza që fluturon mbi ujë

Historia e një vajze që fillon, si shumë të tjera, të notojë vetëm për dëshirë, por e kupton që ajo shkon shumë më shpejt, pasionohet, është shumë kokëforte, rritet, bëhet e jashtëzakonshme… Është një jetë e tërë që ajo merret me notin, kampionia Rita Zeqiri.

 

Nga Besa Gjoni

Fotografia: Petrit Prenaj

 

Në një vend si Kosova ku sportet kombëtare përfshijnë zakonisht basketbollin apo xhudon, shumë shpesh lëmë anash disiplina të tilla si noti, në të cilën prej vitesh tashmë kemi një kampione 19 vjeçaren Rita Zeqiri. Takimi me të, të heqë çdo dyshim për faktin pse ajo është kampione në not. Korrekte, e shkathtë por mbi të gjitha me shumë vullnet. Rita Zeqiri ushtron çdo ditë tashmë në pishinën gjysmë olimpike “Step”, e buzëqeshur dhe shumë e thjeshtë ajo nisë bisedën sepse ka shumë për të thënë. “Pasionin për sporte në përgjithësi sidomos për ato individuale si noti, skijimi, tenisi, i kam pasur si në fëmijëri, kam qenë pjesë e shumë klube sportive deri sa në moshën 9 vjeçare përfundimisht e gjeta veten tek noti.”- tregon Rita.  Në fakt karriera e saj sportive ka kaluar nëpër faza të ndryshme, por moment më kulmor ka ndodhur pasi Rita u kthye nga Londra ku ishte anëtare e klubit “Chelsea” prej periudhës 2009, ku mori medaljen e parë për Kosovën në arenën ndërkombëtare në një garë LEN ndërsa deri më sot ajo numëron mbi më shumë se 100 medalje ndërkombëtare ndërsa ky është viti i 7 me radhë si kampione e Kosovës. “ Siç dihet Kosova tani është pranuar ndërkombëtarisht dhe ekipi olimpik është formuar në janar të këtij viti dhe padyshim Olimpiada si kulmi i evenimenteve sportive, në të cilën unë synoj dhe dëshiroj që të marr pjesë në Olimpiadën 2016 megjithëse përgatitjet për të kanë filluar vonë. Po ashtu ende nuk dukemi të gatshëm si shoqëri dhe si institucione që të punojmë si punojnë ekipet e tjera olimpike në shtete të ndryshme, ndaj besoj që Olimpiada e 2020 të na gjejë më të përgatitur”.  Rita është kampionia, që noton të gjitha stilet e notit, rreth 17 disiplina të tij, por në garat e rëndësishme ajo kryesisht prezantohet me stilin shpinë, ku edhe ka marrë shumicën e medaljeve dhe titujve në këtë disiplinë.

Rita A. Zeqiri foto Petrit Prenaj (8)

Sirena blu e Kosovës

Megjithëse është vetëm 19 vjeçare, Rita Zeqiri, tashmë është miti i notit shqiptar, e vetmja që ka arritur suksese të tilla në not në Kosovë, mjafton t’I hedhësh një sy këndit ku ajo rreshton kupat dhe mirënjohjet që ka marrë.  Në fakt duket se sporti në përgjithësi është një fushë që rrëmben zemrat e njerëzve, pikërisht për atë që ata na japin direkt, emocione të pafundme, të cilat na shoqërojnë deri në fund të garës. E kur bëhet fjalë për notin edhe Rita ka idhujt e saj, të cilët e frymëzojnë gjithmonë.  “Idhulli im është italiania Federica Pellegrini për shkak që jo vetëm që është notare shumë e mirë fituese e Medaljes së Artë, në  Kampionatin Evropian dhe atë Botëror, si dhe në Olimpiadë, por ajo njëkohësisht më pëlqen edhe jashtë botës sportive. Është një person gjithmonë në fokus të mediave edhe për shkak të bukurisë së saj dhe mënyrës së veshjes, një ikonë  e modës.”  Një ikonë e notit dhe e modës, që Ritën e shoqëron gjithmonë në ëndrrat e saj dhe kur ndalemi të gjërat e bukura ajo rrëfehet. Për Ritën ka pasur momente shumë të bukura, të paharrueshme, megjithëse shumë e re ajo e ka njohur suksesin e jashtëzakonshëm. “Momenti më i veçantë dhe më i lumtur është padyshim medalja ime e parë në arenën ndërkombëtare në Hercegnovi në Mal të Zi, e cila njëkohësisht ishte edhe medalja e parë për Kosovën LEN (Liga Europiane e Notit ) në këtë garë isha e lënduar dhe ishte në dyshim pjesëmarrja ime, por unë vendosa që ashtu e lënduar të marr pjesë edhe ishte befasi e madhe që unë arrita të marr medalje. Gjithashtu kam pasur edhe shumë momente tjera të paharrueshme  si ka qenë shpallja “Sportiste e vitit” në komunën e Prishtinës, në 2012, kur isha vetëm 15 vjeçe dhe njëkohësisht sportistja e parë femër që zgjidhet “Sportiste e Vitit”. Por karriera ime 10 vjeçare përmban edhe sakrifica të mëdha sidomos në Kosovë ku noti është sport me të cilin merren zakonisht vendet e pasura, shumë të zhvilluara, ndërsa te ne është shumë vështirë për shkak të mentalitetit kushteve dhe mënyrës së punës.” Uji për të është gjithçka, “ushqen” dashurinë e saj për arritjet në gara të notit, e përmbush dhe i falë momentet më të bukura të saj. “Noti është sport i veçantë me vet faktin që zhvillohet në një ambient jo natyror të njeriut dhe mendoj në përgjithësi notarët janë ndryshe nga sportistët e tjerë, sepse dallojnë edhe për nga karakteri, gjithashtu ju vihen shumë epitete. P.sh mua për shumë vite me kanë thirrur “mermaid” “dolphin” etj. Është një botë tjetër, ndryshe nga jeta në të cilën e zhvillojmë në tokë, uji dhe notit përveç të gjitha benefiteve, që na dhurojnë në aspektin fizik, na japin një freski mendore dhe shpirtërore, është ndjenjë e mrekullueshme kur jam në ujë.”

admin

Artikujt e tjetrë