Arte Pamore

Çdo cikël jete i qëndisur

Këtë sjellë artistja shumë e veçantë, Shqipe Kamberi, një rimodelim të tradicionales, në mënyrën e vet…punimet e saj sot rrëfejnë të shkuarën, një trevë shqiptare, një rit të caktuar. Kësaj radhe na sjellë gra të forta, të bukura… të gjitha të qëndisura me histori.

Intervistoi: Besa Gjoni

Puna juaj karakterizohet nga tradicionalja dhe modernja të shkrira në një, na flisni pak më shumë si ka lindur ideja?

Ideja e këtij cikli, të cilit akoma nuk ia kam vënë emrin, rrjedh nga cikli paraprak ”Identitet i humbur”. E gjitha filloi kur e krijova punimin “Nusja”, të cilin e materializova me punë dorën e nënës time, të cilën ajo ma kishte punuar për pajë. Aty me lindi ideja për punët e mia të radhës. Dua t’i sjell  punë-doret me grep, të qëndisurat dhe veshjet tradicionale në mënyrën time, jo pse ato nuk janë prezantuar në kohë dhe vende të ndryshme, por pse unë kam filluar t’i ndjej shumë. Më sjellin emocion dhe vazhdimisht më mahnisin.  Disa thonë që në art, koncepti është më i rëndësishëm se sa mënyra se si e finalizon një vepër. Për mua qëndrojnë të dyja bashkë. Dua që ato punë-doret, t’i paraqes  në mënyrën më të denjë, ashtu siç edhe e meritojnë. Kush mund t’i bartë ato më mirë se sa një kokë gruaje, e cila në mënyrën më kreative dhe të përgjegjshme, i ka krijuar, i ka veshur dhe i ka përcjellë ato prej brezi në brez. Secili detaj tradicional i vënë në punimet e mia, flet diçka; paraqet një trevë, një rit, e kështu me radhë. Veshjet tona tradicionale flasin më shumë se sa që dimë ne. Po më mahnit çdo gjë që po lexoj për ato. Çdo cikël jete i qëndisur.

12835014_10208116533809605_790331760_n

Pse pikërisht elementet tradicionale?

Tradicionalja për të vetmen arsye sepse flet SHQIP. Jo rastësisht e kam emrin Shqipe unë (hahah). Për shkak se nuk është monotone. Përkundrazi, është përplot jetë, përplot histori dhe kjo më ngacmon mua. E lexova diku që zbukurimet dhe ngjyrat e veshjes ndryshonin sipas moshës, sa më e re në moshë vajza, kostumi duhej të ishte më i thjeshtë dhe pa stoli, ndërsa kur vajza bëhej nuse, kostumi pasurohej duke i shtuar ngjyrën e kuqe dhe stolitë. Kjo më bën të mendoj që edhe përgjegjësitë vinin dhe i shtoheshin gruas. Më bën të mendoj edhe për pozitën e saj në familje dhe shoqëri. Ky ishte edhe preokupimi të cilin e kisha në ciklin e kaluar “Identitet i humbur”. Por kësaj radhe, kam vendosur që ato, t’i sjell të bukura , stoike dhe të qëndisura me histori.

Sa është e vështirë për një artist të krijojë në vendin tonë?

Të krijosh në rrethanat në të cilat jetojmë, është e vështirë. Por të mbijetosh prej krijimit tënd, është shumë më e vështirë. Më vjen keq që arti dhe kultura në vendin tonë nuk çmohen aq sa duhet, në të vërtetë nuk çmohen fare. Sukseset në art, në vendin tonë, janë falë individit dhe jo shoqërisë, e meritat i marrin jomeritorët . Kjo më bën të qaj.

12527854_10208116533609600_1592575152_n

Cili është artisti/ja që ju ka frymëzuar apo ka ndikuar në zhvillimin tuaj artistik?

Janë të shumtë, artistët që më frymëzojnë. Jo vetëm artistë pamorë më inspirojnë, por edhe muzicientë, filmkrijues, shkrimtarë… Ka shumë piktorë që unë i kam shumë për zemër, të huaj dhe vendor, nga të cilët edhe mund të jem ndikuar. Por sigurisht në punimet e mia mundohem të jem sa më e veçantë, më origjinale, piktura të flas Shqip.

Cilat janë karakteristikat, parimet apo rregullat e një artisti?

Rregulla të shkruara në art nuk ka. Ato i krijon secili artist individualisht. Secili artist e ka raportin individual me krijimin, dhe këtu qëndron e bukura. Secili e ka mënyrën e vet të të shprehurit.  Karakteristika ime (e momentit) qëndron tek tradicionalja.  E bukura e artistit është se bën si do vet, e jo si thonë te tjerët. Ai është Zot i krijimit te tij. Dhe me krijimin e tij, e bën publikun të mendojë, të qeshë, të qajë, të reflektojë… por assesi të urrejë.

Cilën nga veprat tuaja do ta kishit veçuar dhe pse?

“…Është njësoj si ta pyesësh një prind se kë e do më shumë vajzën apo djalin”, “… Është si t’i ndash gishtat e dorës”, do te ishte përgjigjja që lexuesit lexojnë… Ka vepra që i dua më pak dhe ka vepra që i dua më shumë. Fokusin kryesor e kam te veprat e reja.

Kur do t’i shohim veprat tuaja në një ekspozitë artistike?

Së shpejti … në muajt në vijim. Tashmë kam vendosur se në cilat qytete do të ekspozoj, fillimisht në Tiranë, pastaj në Shkup dhe në Prishtinë. Më mbetet të merrem me çështje teknike për kohën dhe hapësirën. Do t’i ekspozoj punët e mia të punuara me shumë pasion dhe përgjegjësi. Sa herë që punoj me ato copëza përlotë histori individuale, më besoni që më bëjnë të më dridhen duart. Sepse përjetimet e atyre grave, tregojnë një jetë të mbushur plot dhimbje, lumturi, etnos…Nuk është e lehtë të ekspozosh copëza nga veshja jonë e vjetër tradicionale, që të gjitha në vetë përmbajnë shumë histori. Nuk është e lehtë ta ekspozosh historinë.

admin

Artikujt e tjetrë