Arte Pamore

Mes folklorit dhe artit bashkëkohor

 

Udhëtimi i tij sapo ka filluar. Gjermania ishte vendi i fundit ku u ndërlidhën veprat e tij të artit. Erzen Shkololli në Flatra, për Folkestone Triennial, projekti 2 vjeçar, por që zanafillën e ka në Pejë, gati 15 vjet më parë. Një histori e rrallë e artistit, që ka një raport më specifik ndaj vlerave të traditës.

 

Arti është një instrument i shoqërisë, një vendtakim, diskutim dhe ndërveprim. Jetojmë në një botë, në të cilën ndryshimet janë shumë të shpejta e të papritura, tani, kurrë si më parë, njerëzimi percepton brishtësinë e tij. Ndërsa arti mund të jetë në gjendje të lidhë, të propozojë, të sugjerojë, të imagjinosh një pafundësi mundësi kreative për progresin kolektiv, dhe si pasojë ta imagjinosh artistin si një vizionar të aftë për të ofruar perspektivën e tij për të propozuar dhe për të ndërtuar modele të reja sociale. Në fakt ajo çfarë është më e rëndësishmja artisti të “fton” në reflektim. E në këtë aspekt Erzen Shkololli, artisti pejan përmes veprave të tij në vazhdimësi e ka dërguar këtë mesazh. Gjithmonë në jetën e një artisti ka një fill që i lidh gjërat në mënyrë intriguese, njëjtë edhe në veprimtarinë artistike të Shkolollit. Në mes frikës, ankthit dhe të panjohurës se çfarë do të ndodh nga momenti në moment, i ngujuar si shumë shqiptarë të tjerë nëpër shtëpitë e tyre në luftën e  fundit në Kosovë, Erzeni, një 22 vjeçar asokohe, filloi të krijojë.

-DSC_4712_111006

Një artist që krijon nën terror, u jep jetë të gjitha ndjenjave të tij që e kaplonin, por jo vetëm. I fshehur për tre muaj së bashku me familjen në shtëpinë e tij në Pejë, artisti mundohej të gjente vetveten brenda atij ambienti, mes materialeve të mbetura nga puna e dikurshme e të atit, si rrobaqepës. Çfarë mund të bëjë një artist në këto kushte, së pari pa lirinë, pa kushte, pa një të nesërme…Një baner i gjatë, 22 metra, i përbërë nga një seri qepjesh copash, si një mozaik ngjarjesh, personazhesh, me slogane të ndryshme. E gjitha kjo përbën atë që artisti pas 13 vjetësh do ta ekspozonte për herë të parë “Pejë, Kosovo, 1998”, ekspozita e parë e atyre punimeve që tregojnë gjendjen emocionale të tij, në tetor të 2011, në ekspozitën kolektive “Strange & Close” në CAPC, muzeun e arteve bashkëkohore të Bordeaux. Për të vazhduar ekspozimin e tyre një vit më pas në Holandë, në një ekspozitë personale të artistit.

20

Në këto punë gjen shumë figura njerëzore, pa gjini, ashtu skematik, por me një ngjyrë të kuqe të fortë. Pothuajse të gjithë janë dorëzuar, me duar lart, të rrethuar nga arkivole të shumtë, aty-këtu dhe lule, por gjithçka mbi një të zezë, që të ngallë frikë, tmerr dhe dhembje. Për 13 vjet këto punë kanë qenë të mbyllura në një valixhe të madhe, e cila nuk hapej shpesh, as artisti vet nuk donte ta hapte. “Paja” e tij mbeti në atë valixhe për shumë kohë, për të mos rikujtuar. Por ashtu si është në procesin e krijimtarisë së Shkolollit, i riaktualizoi ato vepra me kartolina nga dhjetëra fëmijë në kampet refugjate, të cilët i kishin ende të freskta kujtimet e luftës.

Të gjitha ato copa të mbetura më shumë se tri dekada, ishin filli i veprimtarisë artistike. Duke mos parë ndonjë kufi mes folklorit tradicional dhe  artit bashkëkohor, Shkololli, me ato vepra të ruajtura në valixhe, do të vazhdonte me projekte të tjera, të cilat po e orientonin drejt riaktualizimit të vlerave dhe ceremonive popullore në Kosovë.  Më shumë se dy vjet do të merrte projekti i radhës, në çdo cep të Kosovës, dhe një pjesë të Shqipërisë,  për të “mbledhur” traditën, folklorin, veshjet e rralla të ceremonive të ndryshme shqiptare. Të shkuarën ta bënte të tashme, pse jo dhe të ardhme. “Boutique Kosovo’ në The Old High Street, Londër do të ekspozonte një kohë të gjatë të gjithë punën e Erzenit, por edhe ne, veshjet e rasteve special, të lindjes, martesës apo funeraleve. Me dhjetëra histori qëndrojnë pas tyre. Për artistin, tradita nuk është diçka që është relikt i së kaluarës, por ka me të një raport më specifik ndaj vlerave të traditës…Për faktin sepse ato marrin një rëndësi të veçantë kur bëhet fjalë për identitetin dhe veçantitë kombëtare. Imagjinoni në një moment rëndësinë e këtij projekti, i cili sigurisht që nuk është përfunduar.

21

Pikëtakimi i punëve të realizuara ishte ekspozita “To open your eyes: Art and Textiles from the Bauhaus to Today” në muzeun e arteve “Kunsthalle” në Bielefeld, Gjermani.  Ku Kosova për herë të parë, në fakt gjithë rajoni u përfaqësua përmes punëve të Erzen Shkolollit. Gërshetimi i atyre copave të kthyera në art gjatë kohës së luftës dhe rripave të veshjeve kombëtare prezantuan “udhëtimin” artistik të Shkolollit dhe brishtësinë e kohës,  të gjitha këto në një ekspozitë që shënonte 800 vjetorin e krijimit të industrisë së tekstilit në qytetin Bielefeld.

18

Flatra 2014

admin

Artikujt e tjetrë