Lifestyle

Kapelat artistike të Njomëza Lucit

“Jeta është si kapele. Nuk mund ta dish a të përshtatet nëse vazhdimisht e provon para pasqyrës tënde” Shirley Mc Laine.

Njomëza Luci është dizajnere e modës, e cila me sukses kombinon aftësitë imagjinative dhe artistike në frymën e stilit të veshjes. Në krijimet e saj është unike në industrinë e modës duke përdorur thurje te qepjes së lartë me një mjeshtri të sofistikuar. Si një eksploruese e aspekteve të ndryshme të artit ajo edhe kësaj here i vuri theks të veçantë artit në modë me koleksionin e kapelave që sapo e përfundoi. Një tjetër aspekt i veçantë në të cilin Njomëza e gjen veten më së miri. Dhe pothuajse shumë rrallë na rastis që të takojmë apo të shohim një dizajnere aq të pasionuar pas kapelave. Format, ngjyrat, qepjet, krijimi i detajeve interesante, janë disa nga elementet që e karakterizojnë stilin e dizajneres. Dhe nëse në të kaluarën kapelat janë përdorur si indikatorë të ndryshëm për të mbuluar kokën, për siguri, për ceremoni të ndryshme, për arsye religjioze, tregues të statusit social, sot ato janë tregues i shijes dhe stilit personal. Nëse jeni nga ata personat e guximshëm, eksperimentues e për më tepër që i duan kapelat, tashmë e keni shumë më të lehtë ta bëni këtë. Njomza Luci në këtë intervistë për Flatra, zbulon shumëçka.

njomza hats 070

Njomëza koleksioni juaj me i ri me kapela turban, nga çfarë karakterizohet, qoftë materialet po ashtu ngjyrat?

 Plishin e zgjodha për koleksion të turbanëve, për shumë arsye: shkëlqesia e butë mbretërore, teatrale, përmbajtja e pambukut që e bën të këndshëm dhe të ngrohtë për kokë si dhe çmimi më i arsyeshëm për tregun tonë. E inspirimin për ngjyra e gjeta te frutat e egra, sepse edhe ato e kanë një butësi në ngjyrë sikur shkëlqesia e butë e plishit. Kjo ishte harmonia.

Pse turban?

Arsyeja e koncentrimit tim më shumë në krijimin e kapelave të njohura si turban është fillimisht një dëshirë e imja, por gjithashtu edhe për faktin se turbanët janë shumë në modë në këtë periudhë dhe do të vazhdojnë për një kohë të gjatë. Sa i përket frymëzimit për realizimin e tyre, këtë herë për të bërë këtë formë të turbanëve jam bazuar apo frymëzuar te koka dhe kurora e simbolit tonë të njohur “Hyjneshës në Fron”.

njomza hats 010

Cilat janë detajet në këtë koleksion?

Detaj të koleksionit e zgjodha qëndisjen e cila është e butë dhe e lehtë si bora kur bie mbi kapele dhe krijon një kontrast shumë të bukur me materialin.

Fundi, a kemi një trend apo të themi një vëmendje, që kapelat të jenë aksesorë i pandashëm i yni?

 Kapelat në tregun botëror janë aksesorë mjaft të kërkuar. Në tregun tonë duhet promovim më i madh sepse njerëzit nuk janë mësuar të kërkojnë kapele me porosi nga dizajnerët dhe mendojnë që kapelat nuk ju rrinë bukur. Të thuash nuk dukem bukur me kapele është njëjtë si të thuash nuk dukem bukur me këpucë. Kapela ka të bëjë me stilin individual. Reflekton vetëbesim, vetërespekt, e vë në shprehje femininilitetin apo maskulinitetin. Duhet veçuar se nuset janë ato që gjithmonë kërkojnë detaje unike të kokës për ditën më të bukur, në të cilën ato duhet të shkëlqejnë dhe për fatin e mirë të tyre, unë edhe po të përpiqem nuk di t`i bëj dy gjëra të njëjta, kështu që këto detaje do t`i kenë gjithsesi unike.

admin

Artikujt e tjetrë