Lifestyle

Termopan, klubi i kampionëve!

Shpirti i ekipit mbizotëron mbi të gjitha  në një nga klubet më të mirënjohura të notit në Kosovë, Termopan, aty ku talenti i notuesve ndërthuret me profesionalizmin dhe humanizmin. Fitues të çmimit të madh në garën për Kupën e Republikës së Kosovës, në Flatra për këtë rrugëtim me sfida dhe suksese.

melisa 1

Gati 20 vjet që u ka hapur dyert të rinjve të talentuar të Kosovës të realizojnë ëndrrën e tyre, klubi i notit Termopan, dikur i njohur si Scan Color, përgatit çdo ditë përfaqësues të denjë për gara ndërkombëtare të notit. Lulzim Zhdrella, Presidenti i klubit Termopan, në Flatra për sfidat dhe sukseset në këtë rrugëtim gati 20 vjeçar. “Termopan ka një histrik të gjatë edhe dikur nën emrin Scan Color, kur ka pasur edhe si trajner profesor Enver Hajredini. Sot, klubi ynë numëron gjithsej 35 garues të moshave të ndryshme gjithashtu kemi angazhuar një staf shumë profesional dhe të pa lodhur në punë, duke filluar nga kryesia deri te shtabi teknik. Gjatë gjithë kësaj kohe jemi pjesëmarrës të rregullt në gara kombëtare si dhe shumë gara ndërkombëtare.”- shprehet presidenti i klubit Lulzim Zhdrella. Duket se puna dhe lodhja e këtyre si klub po shpërblehet nga këta të rinj, të cilët sot janë mbajtës të rekordeve të ndryshme si dhe një shpresë shumë e madhe për prezantimin e Kosovës në arenat Ndërkombëtare. “Është e vërtetë që në klubin tonë ka interesim të jashtëzakonshëm, sidomos nga gjeneratat e reja dhe për këtë besojmë se ka një arsye. KN Termopan, Prishtinë, është një adresë për ta, vjen nga fakti që në gjirin tonë kemi një staf shumë profesional në aspektin sportiv, pedagogjik dhe atë kulturor. Jemi klubi më i organizuar, nga ana tjetër medaljet dhe sukseset që kemi fituar në gara të ndryshme e bëjnë këtë klub të besueshëm dhe të respektuar në komunitetin tonë”- tregon z.Zhdrella. Vizionar dhe kontribuues në zhvillimin e sportit të notit në Kosovë, KN Termopan, i ka të qarta synimet dhe ambiciet se ku do të arrijë në të ardhmen,  çmimi i madh i sapofituar në garën për Kupën e Republikës së Kosovës flet shumë për angazhimin e tyre. “Kryesia e klubit po angazhohet maksimalisht qëklubi ta ketë një qëndrueshmëri financiare si dhe për garuesit të ofrohen kushte sa më të mira për punë. Nga ana tjetër shtabi teknik po punon shumë që te garuesit të ofrohet punë shumë profesionale  dhe që sa më shpejt garuesit tanë t’i rangojë në nivelet e larta ndërkombëtare. Ne pretendojmë që shumë shpejtë të  sjellim  trofe evropian apo botëror, por pa dyshim që synimi ynë kryesor është Olimpiada Tokyo 2020.”- thotë Lulzim Zhdrella.

Melisa Zhdrella, vajza e ujit

melisa

 Sytë tanë janë tashmë nga talente si Melisa Zhdrella, notarja e medaljeve dhe sukseseve. Vajza të përkushtuara, të cilat mishërohen totalisht me punën e tyre, që sakrifikojnë dhe japin shumë. Melisa ka gati shtatë vjet që merret me not dhe në momentin e parë kur filloji trajnimin në not u lidh shpirtërisht me ujin dhe me mentalitetin garues. Vajza e ujit, u vërejt nga trajneri prof.Enver Hajredini, i cili me punën e tij është duke e drejtuar Melisën drejt sukseseve kulminante. E talente të tilla si ajo sot kërkojnë vëmendjen e të gjithë ne, për t’i mbështetur në çdo hap që hedhin drejt suksesit. Megjithëse shumë e re Melisa ka filluar të krijojë këndin e saj të kupave, të cilat i ka fituar në nobel kombëtare ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Aktualisht është bartëse e rekordit në disiplinën 50 m bretkoce si dhe pronare e shumë titujve dhe sukseseve. Duhet ta njohësh nga afër të kuptosh Melisën notare, vajza që ka shpirt konkurrues, e cila punon shumë për të fituar ato rezultate që ka, ajo thjeshtë është profesioniste në atë që bënë. Ky është qëllimi i saj. Ajo tashmë është duke hedhur hapa të sigurt drejt karrierës së saj, dhe kjo na jep shpresa të gjithëve se noti kosovar e ka kampionen e vet. Sigurisht ashtu si çdo kush, për të ndërtuar një karrierë të suksesshme, edhe Melisa, ka një model, që e admiron dhe e ndjek gjithmonë, garuesja amerikane Kattinka Hosszu, e cila e frymëzon atë në çdo garë. Për ta arritur një sukses, hapi i pare është që ta ëndërrosh atë,  pastaj, të besosh se mund ta marrësh. Dhe për t’i bërë këto të dyja realitet duhet një punë dhe sakrificë vetemohuese. Melisa deri tani ka ecur sigurt në ëndrrat dhe qëllimet e saj, por si cdo sportist edhe Melisës i dridhet zemra kur ta dëgjojë një emër … medalja e arte olimpike. Melisa tani ka katër vite përpara deri në Olimpiadën  e Tokyos në Japoni, katër vite pune të palodhur, sakrificë dhe mund, në mënyrë që, pse jo, Kosova medaljen e dytë në histori ta ketë pikërisht në not. Vajza si Melisa, të cilat të frymëzojnë për punën dhe talentin  e tyre, dashurinë që kanë dhe shembullin që japin për moshataret e tyre, që nesër të jenë krenaria e këtij vendi.

 

Medina Surdulli, shembull frymëzues

medina 1

Klubi i notit Termopan, nuk është thjeshtë klub kampionësh për nga sukseset dhe medaljet që ka fituar, por sepse mbi të gjitha për humanizmin dhe ndjenjën njerëzore që i përshkon. Medina Surdulli është shembulli më i mirë i kësaj, vajza që sfidon një mentalitet dhe ujin, ka gjetur mbështetje të madhe pikërisht nga ky klub për të përjetësuar ëndrrën e saj. “Që në fëmijërinë time e dashuroja ujin ( të paktën kështu më thotë babai) dhe me ndihmën e tij unë nuk  kam mësuar të notoj, por edhe të gjitha truket në moshë shumë të vogël. Me kalimin e kohës dashuria ime për ujin nuk mbeti më lojë, por u kthye në një ëndërr për të qenë një notare ose garuese. Më pas ndodhi dhe mrekullia, menaxherja aktuale, Arjeta Gashi,  më pa një ditë duke notuar dhe më ftoi të bëhesha pjesë e notareve të KS. Që nga ajo ditë midis viteve 2012-2013, unë jam një notare që përfaqësoj komunitetin tim me Down Syndrome në garat kombëtare e ndërkombëtare, deri tek ato botërore.”- tregon Medina. Frika nuk ka qenë pjesë e kësaj sfide për Medinën, deri sa u përballë në sfida botërore. “Jo, pasi unë që e vogël e kam dashur ujin dhe nuk kisha asnjë arsye përse të frikësohesha, por kur u bëra pjesë e garave Botërore e Evropiane aty e kuptova se çfarë do të thotë të kesh frikë. Frikë për mënyrën sesi do të paraqitesha pasi të gjithë i kishin sytë nga unë dhe domosdoshmërisht që frika dhe emocionet do të pushtojnë.”- thotë ajo. Medina është e para garuese me sindromën down në gjithë rajonin që merr pjesë në gara të ndryshme të notit. Është shumë kurajuese si vajzë, si notare dhe si shembull për ne. “Gara ime e parë ndërkombëtare ishte pjesëmarrja në garat botërore të organizuara nga DSISO (Doën Syndrome International Swimming Organization), ku të gjithë ishim njësoj nga personat me Down Syndrome, ishin rreth 300 pjesëmarrës nga 21 shtete të botës. Isha shume e lumtur deri ne momentin kur më erdhi koha te merrja pjesë në garë, në ato çaste më zuri frika, frika e diskualifikimit duke marrë parasysh që ishte hera ime e parë që merrja pjesë në një garë me aq nivel të lartë, me shumë rregulla,  gjyqtarë, trajnerë dhe media… Hyra në garë dhe u mundova të jepja maksimumin tim dhe në momentin që mora rezultatet nuk isha shumë e gëzuar pasi kisha dalë në vend të 7 nga 21 shtete, por fytyrat e anëtarëve të ekipit shprehnin një gëzim dhe më dhanë një ndjenjë të papërshkrueshme. Por, të gjitha këto do të ishin të pamundura pa mbështetjen e familjes, ekipit dhe sidomos pa mbështetjen e Kryetarit të Klubit Termopan, Lulzim zhdrella, i cili gjithmonë më ka bërë të ndihem e para dhe më ë mira në klub. Ju dua!”- shprehet Medina, vajza frymëzuese e notit shqiptar.

admin

Artikujt e tjetrë