Opinion

Realiteti ynë në fytyrën e varfërisë

“Kam zgjedhur varfërinë për njerëzit tanë të varfër. Por jam e nderuar të marr çmimin Nobel në emër të urisë, zhveshjes, të pastrehëve, të verbërve, të sëmurëve, të atyre njerëzve që janë të padëshiruar, që nuk i do njeri. Njerëzit që ndihen të braktisur nga shoqëria dhe të refuzuar nga të gjithë.” – Nënë Tereza. 

Nga Bruna Merko

Njerëz si Nënë Tereza, Pierre Toussaint, Esther Louise Rantzen janë vetëm disa nga humanistët, që njihen në mbarë botën për veprën e tyre dhe përkushtimin ndaj të varfërve. Dhe njerëz të tillë janë shumë të rrallë…

Sa herë nisem për në punë kryqëzoj rrugën me një grua, e cila me njërën dorë tërheq burrin e saj të sëmurë ndërsa përpiqet të qetësojë djalin rreth të 20-ve, po ashtu të sëmurë. Tashmë prej një viti e shoh çdo ditë aty para sheshit Nënë Terezë, duke u përpjekur për të vazhduar… Është e vetmja, e cila më bën të reflektoj dhe ta kuptoj më mirë realitetin. Është varfëria më therëse, që më shohin sytë gati çdo ditë. Besoj të gjithëve ju bie në sy, jo dora e shtrirë e saj për të fituar diçka, por ajo dhembja e paskaj që e ka mbërthyer atë mesogrua. Ajo nuk ka për të shtruar djalin dhe burrin në ndonjë qendër, as të paguaj dikë për tu përkujdesur në shtëpi, në fakt, nuk ka as çati mbi kokë. Portreti i saj më mbetet gjatë në mendje.

Solidariteti lind nga një lëvizje spontane e shpirtit, e megjithatë ajo grua, shpirtin ta këput, kur përpiqet ta ushqejë ende me kafshata të vogla të birin tashmë të rritur …. Dashuria e nënës ndryshon botën. Ajo është vetëm një prej qindra familjeve të varfra shqiptare, që përballen çdo ditë me mjerimin.

Ky është realiteti ynë, megjithëse nuk duam ta shohim, sepse na pëlqen të besojmë se jeta jonë është ashtu siç e “rrëfejmë”  në rrjetet sociale. Jetojmë në një kohë të jashtëzakonshme, kur secili prej nesh, në një vend ku funksionon rregulli dhe ligji duhet të shkojë përpara, të ecë dhe të arrijë diçka në jetë, megjithatë varfëria vazhdon të na shoqërojë gjithmonë, madje ndjeshëm kohët e fundit.

Nëse do të mund të kapërcenim sfidat e tjera do të ishin shumë më të thjeshta. Por si duket edhe për Kosovën vlen thënia se “të pasurit po bëhen edhe më të pasur ndërsa të varfrit po varfërohen edhe më shumë”, nëse duam ta shohim këtë realitet e kemi çdo ditë para syve.

Përballë luksit është uria dhe këtu nuk bëhet fjalë për ato raste spontane që vet individët duan të japin kontributin e tyre, por për një fenomen gjithnjë e në rritje, që kërkon vëmendje institucionale dhe sociale. Varfëria nuk është sëmundje e pashërueshme, është e vështirë për tu çrrënjosur… Duart e shtrira për të mbajtur shpirtin gjallë do të shtohen, pikërisht aty përballë zyrave tuaja dhe nën këmbët e shenjtores shqiptare, që mision të vetëm të jetës pati ndihmën për të varfrit.

“Kam zgjedhur varfërinë për njerëzit tanë të varfër. Por jam e nderuar të marr çmimin Nobel në emër të urisë, zhveshjes, të pastrehëve, të verbërve, të sëmurëve, të atyre njerëzve që janë të padëshiruar, që nuk i do njeri. Nuk kujdesen për ta. Njerëzit që ndihen të braktisur nga shoqëria dhe të refuzuar nga të gjithë.” – Nënë Tereza. 

admin

Artikujt e tjetrë