Gruaja

Të sfidosh kohën dhe vendin 5 histori suksesi

Nëna, bashkëshorte, karrieriste, shoqe… po si ja arrijnë t’i bëjnë të gjitha? Ka qenë një batutë filmi nga aktorja Sarah Jessica Parker. Nuk janë domosdoshmërisht të njohura (të paktën tani për tani), por janë personalitete, të cilat janë të përgatitura për të punuar me përkushtim dhe pasion, pa sakrifikuar veten dhe origjinalitetin e tyre. Janë ambicioze, fleksibël dhe kanë vullnetin e duhur për të arritur synimet e tyre. Por kjo është e rrallë, siç ndodh në të vërtetë shpesh, t’i takosh në pozita drejtuese: flasim për femrat. Vlora Imeri, Elvira Ibrahimi Hoti, Flatra Bajgora, Lirijana Nimani dhe Kaltrina Smajli në një portretizim të jetës së tyre, mes sfidave dhe suksesit.

 

 Nga Besa Gjoni/ Fotografia: Petrit Prenaj

 

Flatra Bajgora, ekonomiste

 A mjaftojnë vetëm “muskujt” për të pasur një biznes të suksesshëm?! Përvoja e Flatra Bajgorës tregon se mbi të gjitha duhet mendje edhe shpirt. Se në ditët e sotme të vetme barriera për të gjenden më shumë te koha, çastet…orët që ikin dhe ti duhet të kesh kontributin tënd.

Flatra

 Femrat që kemi përzgjedhur këtë numër, në këtë artikull, nuk janë ato të stilit apo të famshmet në rrjetet sociale, por janë shembujt e origjinalitetit dhe fuqizimit ekonomik të gruas, pikërisht asaj çka i duhet për model të rejave tona sot, në këtë vend. Prandaj kemi përzgjedhur femra si Flatra Bajgora, e arsimuar, e pavarur, shembull frymëzues, së pari për fëmijët e saj, rrethin shoqëror dhe pastaj për të gjithë ne. “Bashkëshorte dhe nënë e dy fëmijëve, kam ndjekur studimet universitare  në Prishtinë, drejtimi Banka dhe Financa, si dhe jam e certifikuar nga SCAAK si Teknike e Kontabilitetit. Përkundër që një kohë edhe kam punuar në fushën e kontabilitetit dhe financave, studimet master i kam vazhduar në drejtimin e ndërmarrësisë, të cilat akoma nuk i kam përfunduar duke pasur parasysh që përveç punës dhe studimeve  angazhimet në familje dhe fëmijët janë prioritet.”- shprehet Flatra. Një bashkërendim dhe koordinim i familjes me dëshirën e saj për të hapur një biznes personal, me pajisje të ndryshme, që  përdoren me bujqësi dhe në industrinë e ushqimit si dhe preparate të ndryshme për trajtimin e ujit, njeriu është i lumtur dhe i plotësuar me punën e vet, kur jep maksimumin edhe në familjen e tij. Janë të rralla vajzat që ndërmarrin një hapë të tillë, për një biznes të kësaj natyre, megjithatë Flatrës nuk i mungonte përvoja dhe tradita në këtë aspekt. “Jam rritur në frymën e tregtisë dhe biznesit, është traditë familjare dhe tani, duke e pasur parasysh se sa e vështirë është të punësohesh dhe ta kesh një pagë të mirë, vendosa që ta hap këtë biznes.”-  tregoj Flatra. Megjithë pasionin që e karakterizon për këtë veprimtari të re, Flatra, ka gjithmonë mbështetjen e familjarëve për të ecur përpara në këtë rrugëtim, i cili ka pengesat e veta. “Ka vështirësi të ndryshme, veprimtaria e biznesit është pak më e veçantë dhe që të udhëhiqet nga një grua është pak e pazakontë andaj kam hasur në vështirësi të ndryshme, në të njëjtën kohë angazhimet në familje ma kufizojnë kohën dhe orarin e punës. Mirëpo, mbi të gjitha, përkrahja e madhe nga familja dhe në veçanti  nga prindërit më jep forcë që ta tejkaloj çdo vështirësi.”- shprehet ajo duke shtuar se të qënit e përgjegjshme dhe korrekte ndaj çdo pale, punë dhe angazhim maksimal e përkufizojnë atë si një grua në biznes. Dhe të zhvillosh personalitetin tënd në familje, biznes dhe shoqëri, duke kapërcyer frikërat dhe dembelizmat, që na rrethojnë, është sfida jote personale që të nxitë drejt suksesit.

 

Elvira Ibrahimi Hoti, ekonomiste

 Çdo grua e cila guxon, ndjek shpirtin e saj për ta realizuar veten dhe për ta jetuar jetën, çdo grua që sfidon veten për të shtyrë apo thyer barrierat të një mentaliteti të caktuar, është një histori suksesi.  

????????????????????????????????????

 Nënë e dy djemve, Elvira, është kontabiliste e certifikuar, me një karrierë të gjatë në këtë lëmi, ajo sot ka hapur firmën e vet, një punë me përgjegjësi të madhe ndërsa nga ana tjetër është nënë  që çdo ditë i duhet të përballet me problemet rutine si fëmijët me temperaturë apo t’i çojë në shkollë, të ndihmojë ata me detyrat e shtëpisë. Por kjo nuk e ka ndaluar asnjëherë të vazhdojë të ngjisë shkallët e karrierës dhe të krijojë një biznes të vetin. “Ka 9 vite që punoj në këtë lëmi, pra në fushën e kontabilitetit, mirëpo sa më shumë që përfitoj përvojë e njohuri aq më shumë vërej se nuk ka fund edhe ky profesion. Nuk mendoj se shkollimi in apo avancimi akademik e profesional do të ndalet ndonjëherë, sa të kem shëndet dhe jetë do të kontribuoj në këtë aspekt. Në fakt, përvoja ime më e madh, që më ka ndihmuar shumë ka qenë udhëheqja e departamentit të financave dhe kontabilitetit në IllyriaLife, kompani me aksionar slloven. Atje kam pasur rastin të trajnohem e të këshillohem nga profesionistë slloven, një përvojë që më ndihmon edhe tani. Ndërsa këtë vit mora iniciativë të hap kompaninë time, “Victoria” ku i udhëheq kontabilitetin dhe financat e shumë kompanive.”- shprehet Elvira. Një femër e pasionuar pas udhëtimeve, gjithmonë shfrytëzon çdo moment për ta shndërruar pushimin e saj në një udhëtim magjik. “Mendoj se njeriu jeton për të treguar … ndaj dhe se pasuria ime jashtë profesionit janë tregimet për vendet e ndryshme që i kam vizituar, të cilat janë pafund. Nga te gjitha udhëtimet më i veçanti ishte i fundit ku se bashku me familjen time vizituam dhjetëra qytete evropiane për tre javë rresht.” Në një fushë, kryesisht të dominuar nga meshkujt kontabiliteti dhe financat, shifrat, numrat e përkufizojnë karakterin e Elvirës, me një dëshirë dhe vullnet të hekurt, ajo realizoi dëshirën e kahershme.“E kam pasur dëshirë që nga fëmijëria një biznes timin. Duke shfrytëzuar avantazhin e  karakteristikave të  një personit udhëheqës dhe aq me tepër që lidhet me profesionin tim, kam ndërmarr hapin për themelimin e një kompanie profesionale. Shume njerëzve puna e një konatabilisti/financier mund t’i duket e monotone, puna me numra dhe ligje e standarde, mirëpo unë këtë profesion e shoh si art… Nuk lodhem asnjëherë së punuari apo hulumtuari, e bëj këtë punë me dashuri dhe  me endje të madhe. Besnike e motos se “e vetmja mënyrë për të pasur sukses është të duash atë që bën”.  Prej vitesh si punë të dytë mbaja kontabilitetin e shumë firmave vendore dhe të huaja, me rritjen e numrit të tyre, por ndjeva se jam pjekur profesionalisht vendosa të hapë “Victoria”. Jam e lumtur se koha po e dëshmon që kam marr  vendimin e duhur, numri i klientëve po rritet dhe ata janë shumë të kënaqur me shërbimet e kompanisë time.”- tregon Elvira. Sigurisht që nuk ka qenë e lehtë për Elvirën të ndërmarrë këtë iniciativë, e cila e pavarëson dhe e bën një shembull për vajza tjera. “Fillimi është gjithmonë i vështirë, megjithatë këmbëngulja ime ka qenë e madhe dhe çdo sfidë e kam tejkaluar me mund dhe përkushtim, por edhe me mbështetjen e pakompromis të bashkëshortit dhe familjes. Entuziazmi për punë është nxitësi kryesor që kam dhe që më ndihmon të vazhdoj drejt së ardhmes. Ky në fakt nuk është caku për mua, por vetëm një objektiv, pasi synoj që Victoria të ketë filialet e veta edhe jashtë Kosovës.” E frymëzuar dhe e udhëhequr nga parime të patjetërsueshme, Elvira ndjekë shembujt e duhur, ato që kanë vendosur baza të rëndësishme në profesionin saj.“Vendosja e emrit të kompanisë, lidhet edhe me parimet që më udhëheqin në punë, Victoria, për shkak të Mbretëreshës së Anglisë, që ka pasur një rol të madh në historinë e kontabilitetit duke themeluar shoqatën e parë të kontabilitetit, ku prej ka filluar të zhvillohet kontabilitetit modern dhe profesional. Victoria është fitore dhe Victoria është femër. Dua sa më shumë të promovoj kontabilitetin profesional, dua të jem një fitore për të drejtën.”- përfundon ajo.

 

 Vlora Imeri, menaxhere

 Me punën e saj na tregon se, mbi të gjitha, forca më e madhe e femrës vjen nga pasioni me të cilin angazhohet në një projekt të caktuar dhe se vetëm kur e gjen burimin e frymëzimit për veten atëherë mund ta transmetojë te njerëzit që e rrethojnë.

Vlora

 Kur shikon femra si Vlora Imeri në botën e biznesit, atëherë e kupton shumë qartë se më këto fusha nuk mbeten të dominuar vetëm nga meshkujt. Menaxhere në një nga rrjetet më të mëdha të supermarketeve në vend, Vlora, me punën dhe arritjet e saj na tregon se mbi të gjitha forca më e madhe e femrës vjen nga pasioni me të cilin angazhohet në një projekt të caktuar dhe se vetëm kur e gjen burimin e frymëzimit për veten atëherë mund ta transmetojnë këtë edhe te njerëzit që e rrethojnë.  “Kam lindur dhe rritur në Prishtinë, ku edhe kam filluar studimet në Universitetin e Prishtinës, dega gjuhë dhe letërsi angleze. Por pas vitit të dytë të studimeve më është dashur të shpërngulem për në Londër, ku kam vazhduar trajnime për mësimdhënie të gjuhës angleze si gjuhë të dytë për të rritur në North East College. Në vitin 1999 u ktheva në Prishtinë dhe deri në vitin 2003 punova në shkolla të ndryshme private të gjuhëve të huaja. Në vitin 2015, pas një periudhë të gjatë, të cilën e shfrytëzova me vetëdëshirë për ta rritur familjen, vendosa të kthehesha në punë dhe njëkohësisht t’i jepja  një drejtim tjetër karrierës sime. Prej atëherë punoj për Meridian Group-njësinë BUKA, ku përveç tjerash, jam anëtare e bordit Kosova Foods që udhëheqë dhe menaxhon BUKA-n.”- tregon Vlora. Shembulli tipik i një gruaje, e cila asnjëherë nuk heq dorë për të qenë e pavarur, të plotësohet dhe të jetë aktive në shoqëri. Vendosmëria për t’i thënë po një pune që beson se mund ta bëj dhe arrin ta bëjë me korrektësi e përgjegjësi. Guximi nuk është diçka me të cilën jemi të pajisur që në lindje, por një forcë  që rritet çdo ditë, prandaj secili prej nesh në një moment mund të zgjedh të marrë një hap të rëndësishëm për vetveten. Por a ka ende paragjykime për një grua në poste të tilla?!  “Mendoj se fillimisht paragjykohesh për çfarëdo posti në të cilin përzgjidhesh, femrat pak më shumë, mirëpo kjo tejkalohet me kohën dhe varësisht prej performancës dhe suksesit, vlerësohesh për punën që bën, sidomos në korporatën ku unë punoj, Meridian.”Vlora ka ambicie të tjera, synime të qarta për të ardhmen e saj, përderisa ndjekë parimet që e udhëheqin atë gjithmonë në jetë dhe në punë. “ Për mua, një vend pune ku gëzoj autonomi dhe kam mundësi të zhvillohem si nga aspekti profesional ashtu edhe nga ai personal, është vend ideal. Gjithashtu, rëndësi të madhe kanë edhe ndërlidhjet dhe mirëkuptimi me stafin, me të cilin bashkëpunoj.”

 

Lirijana Nimani, estetiste

 Shoqëria jonë ende e ka të vështirë ta pranojë suksesin, sidomos të një femre, nga ana tjetër, këto të fundit kërkojnë të sfidojnë çdo mentalitet, i cili shpesh nuk pranohet së pari nga vet gratë.

????????????????????????????????????

 Një vajzë e këndshme, shumë energjike dhe plotë ide të reja, ajo tashmë e ka përzgjedhur drejtimin e jetës së saj. Lirijana Nimani, vajza nga Peja, e cila megjithëse përfundoi Fakultetin e Gazetarisë, zemra e drejtonte në një tjetër profesion. Vajza e ekranit dikur, sot është një estetiste e certifikuar. “Në fakt, gjithmonë më ka tërhequr e bukura, kam pasur pasion, por këmbëngulja e prindërve për të përfunduar patjetër një fakultet, më bëri të vazhdoja studimet për gazetari dhe aty-këtu projekte për të moderuar aktivitete të ndryshme. Por e ndjeja që tjetër gjë doja të punoja, sepse një punë nëse nuk ka pasionin e duhur nuk bëhet mirë.”- tregon Lirijana. Tashmë e vendosur edhe në Prishtinë Lirijana i ka dhënë jetë ëndrrës së saj për të pasur jo thjeshtë një sallon bukurie apo estetike, por për herë të parë një Spa, të vogël, intime për të gjithë femrat, me çmime shumë konkurruese. “Shkollën profesionale për estetikë kam mbaruar në Tiranë, në shkollën italiane C.E.M Qendra e evolucionit të Modës ndërsa para shtatë vitesh kam hapur sallonin tim të parë në Pejë, BeautyCenter & Spa LilyFloëer, ku i bëjmë të gjitha shërbimet e trajtimeve estetike të fytyrës dhe trupit. Ndërsa prej një viti e kam hapur një sallon tjetër në Prishtinë, ndërsa me kalimin e kohës vërejta që këtu mungojnë sallone me shërbime relaksi. Për këtë arsye vendosa të hap një spat ë vogël, në qendër të kryeqytetit, ku përveç trajtimeve të fytyrës dhe trupit, ta shtoj dhe pjesën e saunave, hidro masazhit dhe aroma terapisë, ku klinetet pas një dite të lodhshme dhe stresuese mund të vijnë dhe ta përdorin SPA-n për relaks.”- shprehet Lirijana duke shtuar se ofrojnë edhe produkte për mirëmbajtën e lekurës nga linja franceze Sothys, me bazë bimore. Për Lirijanën, një grua të lumtur e bën pavarësia e saj, të marr vendime pa qenë e ndikuar nga familja dhe shoqëria. Të lumtur e bëjnë edhe udhëtimet, shopingu, të qeshurat, koha kur ajo kalon me shoqëri, kur ajo ndihmon një grua tjetër apo lexon një libër. Dëshirë e çdo gruaje, gjithashtu është të duket bukur, prandaj, është e domosdoshme që një grua të ketë kohë për tu përkujdesur për dukjen e saj

 

Kaltrina Smajli, farmaciste

 Karriera që ju lejon të identifikoni tipare të reja, shembull pozitiv i lidershipit dhe menaxhimit të krijimit të vlerave për gratë, që nisen nga karakteristika të ndryshme, por mund të bëhen një referencë për të gjithë…

kaltrina e edituar (1)

E rritur mes muzikës, sportit, mjekësisë, Kaltrina Smajli, 28 vjeçare sot është një farmaciste, ndërsa gjithë jetën e saj, ka mësuar të hedh hapa të vegjël, por të sigurt me vetëbesim, nga ata që të çojnë drejt një të ardhme, ku suksesi është i garantuar. Aty ku ndërthuret arti, sporti dhe humanizmi personaliteti merr edhe më shumë kuptim. “Aktualisht jam në specializim në degën e Kozmetikës në universitetin “Ss. Cyril and Methodius” Shkup. Pas përfundimit të fakultetit, në moshë 22 vjeqare, kam filluar të udhëheq barnatoren “Bleta”, biznes familjar, me lokacion në Pejë. Përvec detyrave të mija si farmaciste përgjegjëse siç janë ofrimi i barnave pacientëve, këshillimi lidhur me marrjen e barit, dhënia e këshillave mjekësore në lidhje me shëndetin në përgjithësi, poashtu pjesë e detyrave të mija janë edhe administrimi dhe menaxhimi i barnatores në tërësi. Gjithashtu kam qenë edhe karateiste profesioniste plot 8 vite si dhe kam përfunduar shkollën e ulët të muzikës (6 vjeçare) në kitarë.”- shprehet Kaltrina. E rritur larg stereotipave se roli i gruas është shtëpia apo familja, Kaltrina e di fare mirë se çfarë kërkon, ambiciet e saj dhe kontributi që do të japë. “Natyrisht se botëkuptimi modern për rolin e femrës në shoqëri dhe në familje tanimë është ndryshe. Në ditët e sotme nuk pritet nga femrat që vetëm të jetë shtëpiake dhe të kujdesen për familje në kuptimin tradicional, por pjesë e kujdesit për familje tani është edhe mbështetja financiare. Duke qenë femër ambicioze, suksesi për mua nuk mund te jetë i pjesshëm, që do të thotë ambicia ime nuk është e kanalizuar vetëm tek karriera, por një pjesë shumë e madhe e energjisë ditore shpenzohet tek familja, e cila është edhe motivi kryesor për të pasur sukses edhe në biznes. Andaj, nuk mund të them se është e lehtë, porse balanci vjen disi instinktivisht, natyrisht edhe me përkrahjen e familjes.”- thotë Kaltrina. Është nga të paktët vajza që as nuk do të flasë për vështirësitë që mund të hasë në punë vetëm se është femër, pikërisht për këtë ajo bëhet edhe më sfiduese dhe më kurajoze.“Vështirësia është perceptim subjektiv. Kur ekziston motivi dhe dashuria për punën që e bën, kjo natyrisht se i lehtëson gjërat. Sidoqoftë, duke qenë se ne veprojmë në Kosovë, kjo vetvetiu paraqet një sfidë. Sidoqoftë, në biznesin tim unë jam munduar maksimalisht që gjërat negative ti vendos në margjina dhe të përqendroj fokusin në ato pozitive. Kjo ma lehtëson punën dhe sadopak i zbutë vështirësitë e zakonshme të të bërit biznes. Qëllimisht nuk dua të flas se si ka ndikuar fakti që jam femër në suksesin apo mossuksesin në biznes, pasi që mendoj se kjo është e tejkaluar dhe se femrat tani i kanë të gjitha mundësitë për të pasur sukses.” Përkushtimi, dashuria dhe etika profesionale janë bazat dhe themeli i cdo profesioni për të pasur karrierë dhe për të dhënë shembu se gjërat e mira bëhen ngadalë dhe nga të gjithë.  “Besoj se për të pasur sukses në biznes janë dy elemente kyçe. E para është përkushtimi maksimal dhe e dyta është etika profesionale. Jam e vetëdijshme se këto mund të tingëllojnë klishe, sidoqoftë këto dy parime unë konsideroj se i ngërthejnë në vetvete edhe parimet e tjera. Kjo pasi që përkushtimi është pasojë e dashurisë ndaj profesionit si dhe ambicies profesionale. Ndërsa etika profesionale paraqet një parim të veçantë e cila të ndihmon marrjen parasysh të konsideratave morale dhe etike të profesionit tim, duke përfshirë por duke mos u kufizuar në ofrimin e barnave tek pacienti së bashku me këshillat në lidhje më marrjen e barit dhe shëndetin në përgjithësi, kujdesi maksimal për mirëqenien e tyre.”- përfundon Kaltrina.

admin

Artikujt e tjetrë