Gruaja

Aktivizmi i grave në Kosovë, mes sfidave dhe guximit

Gratë dhe kërkesat e tyre sot kanë formë dhe mënyrë tjetër, megjithatë aktivizmi i tyre konsiston në kërkesën e njëjtë, realizimin e mundësive të barabarta në lidhje me çështjet, që janë në përputhshmëri me perspektivën e tyre si dhe nevojat që i kanë. Sot ekzistojnë grupe legjislative për të ndryshuar ligjet diskriminuese nga aspekti gjinor, pjesëmarrja aktive e  grave në legjislativ dhe hartim të ligjeve, kyçja në sferën publike si dhe krijimi i mekanizmave të ndryshëm për të promovuar barazinë, por pse jo edhe protesta kur asnjëra prej këtyre metodave nuk funksionon. Kemi Poloninë si shembullin më të mirë dhe të fundit, kur gratë vendosen që një të hëne të mos dalin në punë por të vishen zi, në të ashtuquajturën ‘Hëna e Zezë”, për ndalimin e votimit nga Parlamenti Polak i Ligjit për Abortin.

Ariana Qosaj Mustafa, Kryetare e Bordit e Rrjetit të Grave, flet më shumë në lidhje me këtë çështje dhe aktivizimin e grave në jetën publike e institucionale në vend si dhe pse gratë duhet të jenë të zëshme dhe të sensibilizohen për të drejtat e tyre.

Intervistoi: Bruna Merko

Si do ta përkufizonit aktivizimin e grave në ditët e sotme?

Aktivizmi sot nuk ka  kuptimin e plotë tradicional, kur gratë para shumë vitesh kudo në botë duhej të zaptonin edhe hapësirat publike në formë të protestave për të kërkuar realizimin e të drejtave të veta sikurse të drejtën e votës apo ndryshimet e ligjeve në të mirën e tyre. Sot globalisht ka pasur një lëvizje në zbatimin e drejtave të grave si drejta të njeriut mirëpo natyrisht edhe metodat kanë ndryshuar sepse edhe format e pabarazisë janë më të fshehura dhe më pak të dukshme. Por pabarazitë janë kudo si në punësim, punë të paguar jo-njëjtë për gratë për punën e njëjtë të cilën e bëjnë me burrat, gëzimin e të drejtës së pronës nga gratë apo edhe prezenca e ulët e grave në vendim-marrje. Metodat sot që përdoren nga feministët edhe pse me rrugë të ndryshme si forma të ndryshme të feminizmit, në fakt qëllimin e kanë të njëjtë e kjo është ofrimi i mundësive të barabarta për gratë dhe burrat që të vendosin për jetën e vet në përputhshmëri me perspektivën e tyre si dhe nevojat që i kanë.

Metodat e aktivizmit sot janë të ndryshme si puna në grupe legjislative për të ndryshuar ligjet diskriminuese apo edhe bërja e ligjeve me sensitive nga aspekti gjinor, pastaj pjesëmarrja aktive e vet grave në legjislativ dhe hartim të ligjeve, kyçja në sferën publike si dhe krijimi i mekanizmave të ndryshëm për të promovuar barazinë, por pse jo edhe protesta kur asnjëra prej këtyre metodave nuk funksionon. Shikoni vetëm çfarë potenciali kanë gratë nëse bashkohen si na rastin e Polonisë për ndalimin e votimit nga Parlamenti Polak i Ligjit për Abortin, kur gratë vendosen që një të hëne të mos dalin në punë por të veshën zi, ne të ashtuquajturën ‘Hëna e Zezë.” Më shumë së 100.000 persona atë ditë shumica gra kanë dal në rrugë dhe kanë ndikuar në votën e parlamentit që të mos kalon një ligj aq diskriminues edhe atë në një shtet anëtar europian, i cili propozonte të ndalonte abortin edhe për rastet e dhunimit. Ky mobilizim tregon forcën të reagohet për veprime ku duhet kurajë dhe guxim qytetar, por edhe bashkim rreth idesë se aktivizmi i tillë sjell rezultate.

A ka aktivizim në Kosovë, dhe në cilat raste gratë janë më të sensibilizuara?

Pajtohem plotësisht qe ka pasur dhe vazhdon të ketë. Kanë ekzistuar natyrisht edhe forma të ndryshme të aktivizmit, të cilat natyrisht edhe janë bazuar në kontekstin historik dhe shoqëror për kohërat kur gratë në Kosovë kanë vepruar. Gratë nuk janë një masë homogjene, të cilat të gjitha kanë nevoja të njëjta. Andaj edhe prej konteksteve të ndryshme kanë vepruar ndryshëm. P.sh në vitet e 90-ta aktivizmi i grave në Kosovë ka qenë i udhëhequr nga një “feminizëm patriotik” nëse do e quanim ashtu ku gratë masovikisht u larguan nga puna së bashku me burrat kolege te tyre, por propaganda serbe ende vazhdonte të i karakterizonte gratë e Kosovës si “makina riprodhuese” dhe ushqente një sens dhe masë nacionalizmi nëpërmjet portretizimit të grave të Kosovës me paragjykime. Aktivistet e tona atëherë organizuan dhe iniciuan edhe një sërë të protestave me një ton “amësor” nëse ju kujtohet duke u nisur për të çuar bukë për personat e zhvendosur nga armata serbe nëpër malet e Kosovës, në Drenicë e gjetiu.

Mirëpo fatkeqësisht, ky mobilizim i grave dhe një aktivizëm i jashtëzakonshëm nuk u shpagua edhe shumë, në vitet 2000 në zgjedhjet e para komunale në Kosovë nuk u zgjodhën as 8% të grave të përfaqësojnë interesat e qytetarëve të Kosovës në mënyrë të barabartë. Aty edhe u pa nevoja për një mobilizim pak më ndryshe, përpos daljes në rrugë, nëpërmjet angazhimit të shumë grave dhe vajzave të reja në hartimin dhe ndryshimin e ligjeve në përputhje me standardet e drejtave të njeriut, futjen e kuotës në sistemin zgjedhor si dhe krijimin e mekanizmave për të reaguar ndaj nevojave te viktimave te dhunës në baza gjinore dhe krijimi p.sh i njësive për dhunë në familje në kuadër të Policisë së Kosovës. Pra unë besoj se këto metoda edhe ndryshojnë në bazë të nevojave kontekstuale shoqërore dhe gratë në Kosovë kanë përdor lloje të ndryshme të intervenimit. E pse jo kur ka pas ditë për protesta dhe besoj se kemi arsye plot, gratë në Kosovë janë aktivizuar edhe me dalje në protestë. Mirëpo besoj se fatkeqësisht jo rrallë ka ndodh që partitë apo interesat politike të disa individëve t’i “vjedhin” disi këto ngjarje të protestave në përgjithësi dhe kanë ndikuar në masë që qytetaria në Kosovë të jete më pak aktive. Por pajtohem që shkeljet që gratë përjetojnë sikurse dhuna në familje e forma të ndryshme të shkeljes së drejtave të njeriut janë arsye e fortë të kemi një mobilizim më të madh edhe të grave dhe vajzave të reja të shprehin edhe revoltën e tyre me protesta paqësore. Andaj kam shprese së në të ardhmen ky aktivizëm do të nxjerr edhe më shumë gra të aktivizohen në kërkimin e drejtave të veta.

Në të kundërt çfarë i pengon gratë të jenë më aktive në çështje të ndryshme?

Punët e përditshme besoj se ndikojnë më së shumti meqë shoqëria tek në pret që gratë dhe vajzat në shumicën e rasteve duhet të hyjnë në njëfarë “kallëpi” gjinor si kam qejf shpesh ta quaj, që do të thotë punët rreth fëmijëve, kujdesi ndaj pleqve, punët rreth shtëpisë si dhe kujdesi për shëndetin dhe mirëqenien sociale të familjes dhe komunitetit më shumë shihen si punë të “grave.” Kjo shpesh ndodh qe nuk kemi orë mjaft për atë qe duam të bëjmë. Gratë në politikë p.sh tregojnë se prej tyre shumë rrallwë mund të pritet qe të dalin në darka zyrtare ku merren vendime të rëndësishme sepse ato mbesin te kujdesen për fëmijët në shtëpi.

Natyrisht kujdesi për familjen është shumë i rëndësishëm dhe është baza për zhvillimin e një shoqërie, mirëpo duhet të këtë balancim në ndarjen e punëve dhe nuk duhet të mendohet se për shkak rolit biologjik gratë dhe vajzat të vetmet e paskan këtë rol në shoqëri. Ne natyrisht gëzohemi kur kemi kohë të balancojmë karrierën dhe kujdesin ndaj familjes mirëpo ky duhet të jetë edhe obligimi i ndare me partneret tanë por edhe të përkrahet aktivisht me veprime nga shteti si me hapjen e çerdheve, ofrimin e arsimit kualitativ për fëmijët, shëndetin, etj. Krejt kjo qe te kemi një vend të drejtë në mundësitë që për ne gratë te japim kontributin tonë dhe të shprehim potencialin tonë të plotë.

Pse, sipas jush, gratë janë “motori” i ekonomisë?

Pikërisht përkitazi me mundësinë që të aktivizohemi kur bëjmë edhe punë të papaguar në shtëpi apo edhe kujdesi ndaj familjes e tregojnë që gratë janë aktive tërë kohën por kjo nuk ju njihet nga shoqëria. Ligjet tek ne e njohin këtë kontribut mirëpo zbatimin në llogaritjen e ndarjes së pasurisë p.sh në rastet e divorcit rrallë herë ky kontribut i dhënë nga gratë gjatë jetës se tyre bashkëshortore I njihet në realitet. E gratë shpesh janë ato të cilat ndihmojnë zhvillimin e karrierës apo edhe krijimtarinë e familjarëve të vet, por ky kontribut mbetet fare i panjohur. Pastaj ndarja e trashëgimisë mbetet jo e barabartë me 90% të pronës në duar të gjinisë mashkullore, e kjo nuk I ndihmon gratë të kenë garanci për të marrë kredi. Sipas statistikave të vitit 2014, vetëm 4-5% të grave kane marr kredi ne Kosove për bizneset e tyre.

Kjo tregon së një potencial gati sa gjysma e popullsisë së Kosovës po i mohohet e drejta të janë pjesë aktive në ekonomi si dhe në zhvillimin e shtetit tonë. Ndërsa statistikisht është treguar se kthimet më të lartë të kredive komerciale si dhe ato mikro-financiare kthehen në mënyrë më të përgjegjshme nga gratë. Po ashtu edhe shpërndarja e resurseve në familje dhe shoqëri është me e barabartë nëse ka më shumë gra ne vendim-marrje. Ne fund e kisha cek se kyçja e grave në punë ka treguar rezultate edhe me studimet makro-ekonomike të fundit p.sh nga Fondi Monetar Ndërkombëtar i cili në vitin 2013 ka shpjeguar se me rritjen e grave në punësim, do të kishte edhe rritje të prodhimit të brendshëm për 5% në SHBA, 9% në Japoni, 12 % në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe 34% në Egjipt për shembull. Pra përfitimet ekonomike janë me se të qarta. Fatkeqësisht Kosova ka një numër shumë të ulët të grave në tregun e punës në krahasim me burrat e punësuar ne Kosove dhe kjo tregon se ky potencial i Kosovës për zhvillim po mbetet i pashfrytëzuar.

admin

Artikujt e tjetrë