Intervista

Flaka Goranci zëri që prek zemrat

 Studimet, përvoja dhe dashuria për artin, kanë një emërues të përbashkët, suksesin. Flaka Goranci, në këtë intervistë, sjellë përvojën e saj të suksesshme dhe na e bënë më të lehtë të “prekim”magjinë e skenës.    

Prej një viti jeton në kryeqytetin e muzikës klasike, Vjenë (Austri). Megjithatë dëshira për të bërë diçka më shumë për vendlindjen e saj është gjithmonë e pranishme. Flaka Goranci, është mezzo-sopranoja nga Kosova, e cila në ‘listën’ e sukseseve të saj, tashmë ka shumë role të interpretuara në Teatrin e Operës në Vjenë-Theater an der Ëien, përkrah artistëve tjerë të njohur. Aktualisht është pjesë e një ansambli të njohur austriak “Arnold Schoenberg”, ndërkaq së shpejti do të ngjitet në skenën shqiptare, në Prishtinë, në një koncert të mundësuar nga Ministria e Kulturës. Për projektet, rolet, bashkëpunëtorët, koncertet e shumëçka tjetër, Flaka Goranci i zbulon ekskluzivisht në Flatra.

Tashmë prej kohësh jetoni në Austri, çfarë mund të na thoni diçka specifike për marrëdhënien tuaj me këtë vend?

Po, e vërtetë. Ka një vit që jam vendosur në Vjenë. Qëllimi im ishte që pas studimeve në Shqipëri dhe Izrael, të vija në kryeqytetin e muzikës klasike, në Vjenë për të bërë një specializim një vjeçar në llojin specifik të Lideve Gjermane. Por, fatmirësisht menjëherë gjatë specializimit fillova edhe aktivitetin tim artistik në Vjenë dhe qytete të tjera të Austrisë. Për momentin jam pjesë e një ansambli shumë të njohur në Austri, që mban titullin e kompozitorit të famshëm austriak Arnold Schoenberg, duke qenë kështu pjesëmarrëse në shumë Opera tashmë si në Teatrin e Operës në Vjenë-Theater an der Ëien, si dhe pjesë e festivalit të Salzburgut!

Flaka GORANCI (2)

Muzika është një nga arsyet, sa jeni kompletuar si artiste gjatë këtyre viteve të kaluara atje?

Mendoj që studimet, aktivitetet dhe sidomos përvoja luan një rol të rëndësishëm në formimin e një artisti të mirëfilltë. Unë, për fat i kam pasur të gjitha këto dhe ende vazhdoj t’i  kem, sepse puna e artistit kërkon gjithmonë një përkushtim të tillë.

 Cila është performanca e fundit dhe roli me të cilin jeni prezantuar para publikut ?

Performanca ime e fundit ishte gjatë muajit janar dhe roli i fundit është roli i tanishëm, Hof Dame, që kam tek opera “I due Foscari”, Verdi në Theater an der Ëien. Është një rol i vogël, por duke qenë pjesë e produksionit nga Opera e Los Angeles dhe me një kast siç është tenori i madh botëror Placido Domingo, është një mundësi e jashtëzakonshme për mua.

  Sa është e vështirë për kolegët tuaj në Kosovë që të ushtrojnë këtë profesion?

Në Kosovë është mjaft e vështirë. Problemi fillon që nga Akademia e Muzikës, ku kushtet në këtë institucion janë komplet në disfavor me aktivitetin, që duhet të ushtrojë një student i Kantos. Pastaj, një Teatër i Operës nuk ekziston dhe fatkeqësisht po duket mjaft e vështirë nëse do ekzistojë ndonjëherë. Një Filarmoni dhe Kor ka Kosova, e cila pak a shumë arrin të krijojë disa mundësi për kolegët në Kosovë, por sic dihet Filarmonia është institucion, shtëpi për  instrumentistët kurse Teatri i Operës është për Operën dhe këngëtarët e Operës

 Sa jeni e pranishme në skenën kosovare edhe pse tashmë jetoni në Austri?

Edhe gjatë studimeve të mia në Shqipëri dhe Izrael jam munduar gjithmonë të jem e pranishme në koncerte dhe organizime të ndryshme në Kosovë dhe Shqipëri. Edhe tani mundohem të kthehem sa më shpesh në Kosovë, sa herë të më jepet mundësia.

 Si afroheni me një personazh kur e interpretoni në skenë me zërin tuaj?

Për mua rëndësi kryesore ka teksti, përmbajtja dhe pastaj notat dhe dinamika në vepër. Një këngëtar opere duhet të punoj me tekstin siç punon një aktor, me muzikën siç punon një instrumentist dhe me interpretimin në fund duke e përshtatur veprën me kohën kur është shkruar e duke i shtuar në fund ndjesinë prej një artisti

  Rolet që do të dëshiroje të këndoje?

Deri tani kam realizuar 5 role kryesore mjaft të interesante. Do të doja në të ardhmen të realizoja edhe disa role të rëndësishme në repertorin operistik. Secili rol ka rëndësinë dhe bukurinë e vet, por do doja shume të realizoja rolin e Carmen dhe Charlotte, të dyja nga repertori francez. Dy rolet e mia të preferuara.

  Sipas jush cili duhet të jetë rregulli i parë, që duhet të mësojë një student i kantos?

Një student i kantos, në fillim duhet të mësojë, që ky profesion  është shumë i vështirë, kërkon sakrifica dhe shumë punë. Prandaj, një student kur regjistron Kanton duhet të jetë shumë i vetëdijshëm për rrugën që ka zgjedhur, e pastaj fillon e i mëson gjërat ngadalë më shumë durim dhe përkushtim.

 Cilat janë projektet tuaja të ardhshme?

Kam disa koncerte solistike në Vjenë, për të cilat po përgatitem për momentin. Po ashtu, jam në përgatitje të një koncerti të madh në Prishtinë të mundësuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në të cilin do të interpretoj vepra nga repertori jonë i mrekullueshëm shqiptar dhe po ashtu disa vepra që do të jenë surprizë për publikun. Kurse gjatë vitit më pret një aktivitet tjetër, paksa më ndryshe se deri tan. Por le të mbetet befasi.

 Së fundi, si e shihni ju të ardhmen e operës lirike në Kosovë?

Në Kosovë, mendoj që kapacitete ka. Një shtet nuk mund të quhet shtet nëse nuk ka një Teatër të Operës dhe Baletit, një sallë të madhe koncertesh ku do të mund të ftonte dhe organizonte koncerte me kritere evropiane. Kam shumë dëshirë që në të ardhmen të kthehem në Kosovë dhe të kontribuoj jo vetëm për Operën, por për kulturën  dhe artin në përgjithësi. Teatri i Operës është shtëpi e rëndësishme për një shtet të ri siç është Kosova. Vetëm me zhvillim kulturor një shtet ecën përpara, prandaj kultura është në të mirë të vendit!

Fotografia: Peter Rauchecker

Styling: Nadine Kolditz

Flokët dhe grimi: Anja Mylius

admin

Artikujt e tjetrë