Letërsi

Në (prapa)skenë me gratë e shkrimtarëve

Romanet “Rita Hayworth” dhe “Shawshank Redemption”, bashkë me tregimet e shkurtra si “The last Rung on the Ladder”, kanë dëshmuar se nganjëherë punët më të mëdha të Kingut, jo gjithnjë kanë të bëjnë me horrorin, ai është po aq i aftë në kronikat me temat universale të dashurisë, familjes, dhe gjendjes emocionale të njeriut.

Libri im i parë që kam lexuar nga Stephen King, ka qenë gjithashtu libri im i parë “për të rritur”. Ishte shumë voluminoz dhe e kam lexuar në atë mënyrë siç e lexonin të gjithë rishtarët Kingun. Nën çarçafë netëve me bateri dore, deri në orët e para të mëngjesit. Natyrisht se libri më fuste frikën deri në palcë, por me kalimin e viteve ishte bërë normale, që librat e këtij autori t’i frikësonin lexuesit e shumtë. Kujtimet e tij rreth të shkruarit, një zhanër klasik i mbushur me këshilla pragmatike, shembuj shumëngjyrësh dhe një gjuhë gjeniale e dashurisë. Romanet si Rita Hayworth dhe Shawshank Redemption, bashkë me tregimet e shkurtra si The last Rung on the Ladder, kanë dëshmuar se nganjëherë punët më të mëdha të Kingut, jo gjithnjë kanë të bëjnë me horrorin, ai është po aq i aftë në kronikat me temat universale të dashurisë, familjes, dhe gjendjes emocionale të njeriut.  Një prej veprave të tij të njohura është Lisey’s Story, një hibrid me tipare të të dyja anëve: derisa romani përmban elemente të mbinatyrshme dhe momente me të vërtetë të tmerrshme, njëkohësisht përfshin histori dashurie, duke u vlerësuar kështu një ndër prozat më të mira të Kingut. Lisey është  e veja e Scott Landon, një autor bestseller dhe fitues i çmimeve të shumta. Dy vjet pas vdekjes së tij, ajo nisë e vetme punën me veprat ende të papublikuara të bashkëshortit të ndjerë. Të alternuara në kujtimet e jetës së saj me Scott-in dhe disa sjellje shqetësuese të së tashmes, përfshirë këtu motrën me probleme emocionale dhe një fans të çmendur pas trashëgimisë së të shoqit, Lisey’s Story është një dedikim tejet intim, i gjallë dhe emocional për martesën dhe artin e të shkruarit.

Kirkus Reviews  e ka cilësuar romanin si; “Punën më të mirë të tij” dhe Washington Post Book Worldapplauds; “Me Lisey’s Story, King ka ndryshuar ekskluzivitetin e fiksionit dhe është shumë e vështirë për ta injoruar një vepër të tillë.”

Si ka lindur Lisey’s Story? Ishte një karakter apo një imazh i veçantë?

King: Po, ishte një karakter dhe një situatë. Unë isha i shtrirë në spital për shkak të pneumonisë dhe gruaja ime vendosi ta rregullojë studion time. Kur u ktheva, ajo më tha të mos futesha aty se gjithçka ishte e zhvendosur nga vendet e tyre dhe ende isha duke u shëruar nga sëmundja, e megjithatë më duhej të hyja në studio dhe me të vërtetë u ndjeva si fantazmë sepse gjithçka ishte në tokë, librat e përhapura gjithandej, e për një moment mendova se ja çfarë do të ndodhë pasi të vdes. Sepse edhe unë e kisha pastruar shtëpinë e nënës time pas vdekjes së saj dhe e dija të vërtetën. Kur mendoja gruan time duke e pastruar studion më erdhi në mendje ideja për Lisey’s Story. Fillova ta shkruaja sepse mendova se do të ishte diçka interesante të shkruash një rrëfim për gruan e shkrimtarit në prapaskenë, ngase ato realisht janë gjithmonë parapa skenës. E dini që akademikët dhe kritikët janë seksistët më të mëdhenj në botë. Ata do të këmbëngulin e do të thonë se kjo nuk është aspak e vërtetë, por nëse ke një shkrimtar të famshëm, vetëm në rastet kur gruaja e tyre është Sylvia Plath, asnjëherë nuk do të dëgjoni gjë prej tyre. Ata injorojnë gjithçka rreth tyre, madje edhe kur gratë mund të kenë një ndikim të ndjeshëm në shkrimet dhe veprat e tyre. Robert Louis Stevenson shkroi Dr. Jekyll and Mr. Hyde, dhe gruaja e tij i thotë që është një libër i tmerrshëm. Ai e hodhi në zjarr librin, e dogji dhe e rishkroi të tërin nga fillimi. Përgjatë viteve, kritikët e kanë vajtuar këtë fakt dhe kanë deklaruar se mbase ai ka flakur tutje një kryevepër dhe ka shkruar një vepër të mirë, atë që kemi sot. A nuk është ky një seksizëm i llojit të vet. Kritikët supozojnë se gruaja e tij nuk ka qenë e informuar aq sa duhet me stilin e tij të të shkruarit, e megjithatë ekzistojnë edhe mendime të tjera që gruaja mbase e ka nxitur atë të zhdukë një libër që nuk ka pasur vlerat e duhura dhe sot kemi një kryevepër të këtij autori të madh. Kështu që unë kam dashur të shkruaj një libër kur gruaja e shkrimtarit që qëndron para skenës ka qenë gjithmonë shpëtimtarja e tij. E kam parë pothuajse si një lloj komedie, por që nuk doli të jetë e tillë. Rezultoi në një histori dashurie.

Gjuha private si kjo në mes Lisey dhe Scott, që ka qenë e pranishme edhe në librat e tjerë që ke shkruar, këtë herë është me e gjallë. Ishte kjo një zgjedhje e qëllimshme para se të nisje ta shkruaje romanin apo ishte diçka që u zhvillua me zhvillimin e karakterit?

King: Ishte zgjedhje e qëllimshme. Nëse shkruan për martesën,veçanërisht për martesat e gjata dhe kjo është ajo çfarë dëshiroja të shkruaja, për botën e një martese shumëvjeçare, më dukej dhe më duket se krijon një ekosistem të tërë, që ka të gjitha llojet e aspekteve. Për shembull, një lloj telepatie zhvillohet përgjatë viteve dhe kjo është arsyeja pse rrimë të martuar, kjo është një nga të mirat e martesave të gjata. Nëse ndodheni në një event me plotë njerëz mjafton vetëm me anë të shikimit t’i thoni njëri-tjetrit se është koha për të ikur nga aty. Është kjo lloj mënyre me vendime të mëdha e të vogla. Sepse jeni bashkë tërë kohën, zhvilloni gjuhën tuaj për gjërat, brenda atij ekosistemi. Mund të fillojë si shaka, apo batuta të ndryshme, por që me kalimin e kohës bëhen pjesë e këtij fjalori intim. Kjo është gjithashtu pjesë e benefiteve që ka martesa e gjatë, është pjesë e krijimit të një bote ku ndodheni vetëm ju dy. Njerëzit nganjëherë e përshkruajnë këtë si ngritje e mureve mes jush dhe botës, por nuk mendoj që është mur. Mendoj se është një kupolë që në fakt mund të shihni përmes dhe kjo është e depërtueshme.

Në kritikën për librin tuaj, shkruhet; “Gjuha është ajo ku shkojmë, pasi të kemi shkuar,” gjë që më bëri të mendoja se kam punuar me dy nivelet e romanit: Lisey shkon tek pishina, që është burimi i gjuhës dhe tregimit, për ta kthyer Scottin dhe Amanden, kur të dy këta kanë “shkuar,” në mendje… dhe ajo tërhiqet nga gjuha e tyre private për ta hidhëruar atë dhe për të marr forcë nga kjo.

King: Po, kam dëgjuar në lidhje me këtë koncept, konceptin e pishinës nga një shkrim në vitin 1968 në orën e gjuhës angleze, kur Burton Hatlen fliste për burimin, në të cilin të gjithë shkojnë për të pirë. Ai fliste për pishinën/burimin si mit. Nuk më kujtohet a e kishte fjalën për Odisenë apo Iliaden, mund të ketë qenë edhe Hans Christian Andersen, me aq sa e mbaj mend, por është e vërtetë se këto gjëra janë të përhapura dhe janë globale. Një mit si E përhitura, për shembull, ku të gjitha kulturat e kanë rrëfimin e tyre për Të përhiturën. Emrat ndryshojnë, por rrëfimi për motrën e tretë të familjes, gjithmonë mbetet i njëjtë. Por kam menduar me veten, nëse beson mjaftueshëm në diçka dhe nëse ke imagjinatë që realisht të gjesh një botë tjetër, në qendër të asaj bote do të jetë ajo pishinë e imagjinuar. Imagjinata është diçka e mrekullueshme, por njëkohësisht edhe e tmerrshme. Kam provuar ta krijoja këtë botën tjetër, një vend që ka dy anët, dy fytyra si Jekyll dhe Hyde. Është e ëmbël gjatë ditës dhe e tmerrshme gjatë natës. Në të shumtën e kohës kështu është edhe imagjinata.

Ekziston ndonjë gjë për të cilën ke frikë të shkruash?

King: Jo. Nëse shkruaj për diçka, kjo do të thotë se nuk kam pse të frikësohem për këtë gjë. Më kuptoni çfarë dua të them? Kjo është mundësia më e mirë në botë, sepse njerëzit paguajnë që të kalojnë disa orë me psikologun, ndërsa unë të gjitha ato që kam në mendje i shkruaj dhe madje njerëzit më paguajnë për këtë. Është e mrekullueshme, njerëzit më thonë; a sheh ëndrra të këqija? E përgjigjja është, po, kur nuk shkruaj atëherë shoh ëndrra shqetësuese.

Përmendni një libër të cilin do të kishit dashur ta kishit shkruar ju.

King: Do të kisha dashur ta kisha shkruar librin Lord of the Flies. E dua shumë këtë libër. Njerëzit më pyesin se cili është libri i parë që ju ka frikësuar dhe ky është libri i parë dhe i vetmi që më ka frikësuar deri në palcë.

 

Nga:PowellsBooks.Blog 

admin

Artikujt e tjetrë