Arte Pamore

Dy Adelet e Gustav Klimt

Adele Bloch-Bauer ishte patronja më e lakmuar e artit në qarqet e kulturës  vieneze. Kur vendosi të bëhej pjesë e një portreti të Gustav Klimt, ajo u shndërrua në një ikonë. Lutje apo sfidë? Në portretet e saj, është e vështirë të lexosh se çfarë fshihet prapa kthjelltësisë së syve të errët të Adeles, gruaja e vetme e asaj periudhe, që artisti austriak Klimt e kishte portretizuar jo një herë por dy herë  me radhë. Megjithatë është e qartë se ajo ishte një grua e mistershme. Në ekspozitën me titull “Klimt the Women of Vienna’s Golden Age”, në Galerinë e Re në Nju Jork, të dy portretet, ajo kontraverjsa “Adele Bloch-Bauer I”, 1907 dhe ajo më pak e njohur për publikun, por jo më pak mahnitëse, “Adele Bloch-Bauer II”, 1912, janë shfaqur të dyja bashkë, për herë të parë në historinë e tyre të ekzistencës. Pavarësisht se ekspozita përmbante edhe portrete të grave të tjera, ajo e Adeles mbetet e pakrahasueshme dhe ikonike. Madje është spekuluar se Adele, është gjysmë figura nudo në veprën “Judith”, pastaj koka e “Holofernes” dhe me gjasë, gruaja me sy të mbyllur në veprën e famshme “Puthja”. Është pikërisht ajo, që ngërthen në vete dobësinë dhe forcën e gruas, në atë periudhë në Vienë, një shoqëri që po kalonte një tranzicion të thellë.

Në Vienën e pas luftës, imazhi i Adeles u bë simbol i kulturës austriake. “Adele Bloch Bauer I”, për një kohë të gjatë është quajtur Mona Liza e Austrisë. Më vonë kjo vepër u bë ikonë e drejtësisë, ku në vitin 2015 filmi “Woman in Gold”, shfaqi versionin hollivudian, të tregimit të konfiskimit të pikturës nga familja herbreje Bloch Bauer, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe përpjekjen e gjatë e të mundimshme për ta rikthyer veprën, nga mbesa e saj Maria Altman, interpretuar nga aktorja e njohur, Hellen Mirren.

Të gjithë janë kureshtarë të dinë se kush është Adele Bloch Bauer?

 “Simphonia e artë”

Bloch Bauer ka lindur si Adele Bauer në Vienë në vitin 1881. E bija e një bankieri dhe drejtori të hekurudhës, kishte një fëmijëri të privilegjuar dhe të karakterizuar nga një jetë artistike e kulturore. Në moshën 19 vjecare, ajo martohet me Ferdinand Bloch, një magnat i sheqerit, 17 vjet më i madh se ajo. Ferdinand adhuronte gratë reja, aq shumë sa e lejoi atë ta bënte mbiemrin e saj pjesë të mbiemrit të tij. Të dy u bënë Bloch Bauers. Familja ishte pronare e veprave të ndryshme artistike, jo vetëm e koleksionit të tyre, por edhe e komisioneve të pikturave dhe artisti Gustav Klimt ishte një nga të preferuarit e familjes.

Portreti i parë i Adeles, fillimisht ishte diskutuar në letër, kur 22 vjeçarja Adele i kishte shkruar Klimt-it në vitin 1903. Ferdinandi dëshironte që këtë pikturë tua bënte dhuratë prindërve të Adeles, për përvjetor, disa vite pasi që Klimt bashkëthemeloi Vienna Secession dhe jo shumë pas të ashtuquajturit skandal të tij, për shkak të muraleve  “pornografike”, ku Universiteti i Vjenës e vuri atë në listën e zezë dhe e sanksionoi nga komisionet.

“Adele Bloch-Bauer I”, për herë të parë u shfaq në vitin 1907; një skenë mahnitëse në vaj dhe fletë të artë; tregonte shpatullat e zbuluara të Adeles në një fron të stilizuar, me shikim të ngulitur tek shikuesi i veprës, në një mënyrë dobësie dhe krenarie njëkohësisht. Prapavija e pikturës është një protestë e harlisur nga stoli të simboleve orientale dhe erotike; sy, vezë…Nga shumë histori të ndryshme vjeneze dhe të tjera, kjo vepër e Klimtit është një magji që bie mbi atë që e shikon, një simfoni në ari, një triumf unik dhe emblematik. Piktura e mëvonshme është një shmangie dramatike. Kritikët e artit e shohin si një evoluim nga piktura e parë. Me “Adele Bloch Bauer II”, e realizuar pas pesë vjetësh, Klimt bënë diçka krejtësisht tjetër. Një evolucion enorm i stilit është më se i qartë. Shohim një Adele me flokë shumë të errët,me një kapele të gjerë në ngjyrë të zezë, duke qëndruar magjishëm, me fytyrë nga shikuesi; në prapavijë me ngjyra të ndezura dhe ajo që më së shumti të bënë përshtypje në këtë pikturë, janë pikërisht ngjyrat e ndezura dhe të larmishme në prapavijë.

LEAD Technologies Inc. V1.01
LEAD Technologies Inc. V1.01

Gjithë ai shkëlqim

Këtu kemi një Adele Bloch Bauer, më të rritur, më të pjekur dhe elegante, por sytë e saj tregojë më shumë melankoli. Pavarësisht privilegjeve, jeta nuk është treguar gjithmonë e mirë me të. Mbesa e saj, Maria Altmann, e cila vdiq në vitin 2011, e kujton hallën e saj më shumë si person i ftohtë, intelektuale, e cila më vonë u bë politikisht socialiste. Ajo nuk ishte e lumtur. Ishte një martesë e rregulluar nga të tjerët dhe nuk kishin fëmijë, pas dy dështimeve dhe vdekjes së një të porsalinduri. Altmann ka treguar se e kujton hallën e saj si grua elegante, të gjatë, zeshkane dhe të hollë. Ajo gjithnjë mbante veshur një fustan të hollë, të bardhë dhe përdorte një llullë duhani të gjatë dhe në nuanca ari.

“Gratë” e Gustav Klimt-it përfaqësojnë forcën, besimin dhe erotizmin. Kritikët dhe historianët e artit përgjatë dekadave kanë dyshuar në aftësinë e artistit për të kuptuar gratë dhe ka pasur spekulime për një aferë në mes tij dhe Adeles, por që nuk u konfirmua asnjëherë. Në pikturat e Klimt, Adele gjithmonë duket sovrane, e madhe madje edhe e lartësuar.

Bloch-Bauer, vdiq nga meningjiti në vitin 1925, në moshën 43 vjeçare. Mbase fati e kurseu atë nga vitet e errëta, që do të vinin në Austri nga viti 1930. Pas vdekjes, dhoma e saj u shndërrua në një vend të shenjtë për vizionin e Klimtit. Pasi Austria u aneksua nga Socialistët Nacional, vepra të Bloch Bauer të vizatuara nga Klimt, disa peizazhe, natyrisht imazhe të Adeles, që të gjitha u konfiskuan deri sa të dy portretet u shfaqën në Muzeun Belvedere në Vienë, në vitet e pasluftës. Aty do të qëndrojnë deri në vitin 2006, kur pas shumë seancave e vendimeve gjyqësore, ato do t’i ktheheshin mbesës znj. Altmann, e afërmja e vetme e mbijetuar e familjes së Ferdinand Bloch-Bauer.

admin

Artikujt e tjetrë