Letërsi

Jeta mes ngjyrave dhe fjalës

Ornela Vorpsi, vjen në Flatra për Shqipërinë dje dhe sot, fëmijërinë e saj nën diktaturën komuniste, për Kosovën, letërsinë dhe karrierën e suksesshme artistike përtej kufijve.

 Nga Bruna Merko

 Tashmë prej vitesh jeton larg Tiranës. Me një karrierë të suksesshme artistike të zhvendosur në Paris, Ornela Vorpsi është vlerësuar disa herë nga juri profesionale ndërkombëtare. Lindur e rritur në një Tiranë komuniste, siç e quan ajo Tiranën e viteve diktatoriale, Ornela ka kaluar nëpër vështirësi shpesh herë të paimagjinueshme për të tjerët, e goditur ashtu si shumë familje intelektuale nga sistemi i Enver Hoxhës. “Jam rritur në një vend absurd në nivelin njerëzor, sepse jetohej për sytë e botës, thashethemet ishin shpirti i jetës së shqiptarit. E gjithë kjo mbuluar me parullat e kuqe, Rroftë Shqipëria.”

Një fëmijë të cilit i mohoheshin të drejtat, në emër të “ligjeve” të Shqipërisë Socialiste, Ornela tregon se asaj nuk i ishte lejuar të vazhdonte shkollimin vetëm se i përkiste një familjeje të cenuar politikisht, në sistemin enverian.

“Fëmijëria ime është e goditur nga një gjysh i dënuar për politikë, gjashtë vjet në burgun e  Ballshit dhe mbas tij ishte radha e tim eti,  i cili u dënua shtatë vjet në burgun e Spaçit. Nënën e hoqën nga puna dhe e detyruan të punojë si punëtore e thjeshtë, duke i eliminuar titujt e studimeve. Jam rritur me dënimin nga shoqëria, si fëmija i një të dënuari politik. Nuk ka qenë e kollajtë. Pata të drejtën të futem në konkursin e pikturës në Artet e Bukura vetëm mbas vdekjes së Enver Hoxhës. Më parë, si fëmija i një të dënuari politik nuk kisha të drejtë, sepse arti në Shqipërinë e Hoxhës, ishte ideologji. Një fëmijë që i përkiste një familje të cenuar politikisht nuk kishte të drejtë t’i futej asaj udhe.”

f4d17c6b10ad2dcb7f4719ff01cd2f9b

Megjithatë ajo sot është një nga artistet tona më të talentuara, e përqendruar në letërsi, fotografi dhe pikturë dhe pikërisht në krijimet e saj, e shkuara duket se është emërues i përbashkët i të tri këtyre shprehjeve artistike. “Edukimi im janë artet figurative. Shkrimin e kam marrë më seriozisht vonë, edhe pse kam shkruar që në fëmijëri. Dëshira dhe dashuria ime më e madhe ishte piktura. Them që e mora seriozisht shkrimin më vonë se u ula vërtetë të shkruaj në moshën njëzetenëntë vjeçare. Më parë jeta ime ishin ngjyrat dhe jo fjalët. Kam sjellë në librat e mi Shqipërinë e atëhershme, diçka nga jeta ime, po i gjithë ky material është i përpunuar me dëshirën për të krijuar një tokë ku të takohem me dikë tjetër. Lexuesin në këtë rast. Mundësia e takimit, e ngushëllimit me dikë tjetër është ky motori që lëvizë krijimtarinë time.”

Ndërkaq në lidhje me përkufizimin dhe dallimin e Shqipërisë sot dhe të djeshmes, artistja thotë se është e vështirë të bësh një përkufizim të lëvizjeve jetësore. Shqipëria e djeshme ishte një Shqipëri e burgosur dhe tmerrësisht hipokrite, ku asnjeri nuk e donte regjimin që ishte por të gjithë i këndonin atij. Ndërsa për Shqipërinë e sotme, Ornela e përshkruan si Shqipëri në tranzicion, e cila mundohet të gjejë rrugën e vet pas një të kaluare të hidhur.

Por cili është roli i shkrimtarisë në jetën e saj dhe si nisë një histori që më vonë e lexojmë të përmbledhur në  një vepër? “ Nuk ndjej të kem rol të veçantë. Biles nuk kam rol fare. Roli nuk më intereson. Më intereson siç e thashë më parë : Takimi me tjetrin.  Ndërsa çdo libër ka një histori të veten. Nuk kam nisur dot dy libra njësoj. Nganjëherë më vjen një figurë, e cila më impozohet dhe më përpin duke dashur të gjej një vend në shkrim apo në pikturë. Nganjëherë më vjen një personazh i vetmuar pa pasur peizazh rreth e qark. Nganjëherë një mendim. Këto fije të brishta mund të më bëjnë që të nis një udhëtim.

Megjithatë letërsia në letërsinë aktuale sipas Ornelës së një vend të rëndësishëm dhe kjo është një meritë e madhe në këtë epokë që si asnjëherë tjetër është e mbushur me lojëra e zbavitje. Ajo nënvizon faktin se kapitalizmi i sotëm më shumë se kurrë kërkon njerëz që mendojnë sa më pak që është e mundur dhe në një farë mënyre letërsia pa dashur merr rolin e një rezistence kundër të jetuarit në mënyrë jo autentike. Ndërsa kur e pyesim për Kosovën, ajo thotë se është një vend me njerëz të afërt, një popull që ka vuajtur dhe lu7ftuar për ta pasur pavarësinë e vet, njerëz krenarë dhe të besës, shqiptarë si ajo.

admin

Artikujt e tjetrë