Arte Pamore

Ilustrimet janë ditari im

 Të rrëfesh jetën tënde, ambientin përreth, njerëzit, detajet nëpërmjet ilustrimeve, copëza tregimesh nga Njomëza Kadriu, vajza e pikave, vijave, ngjyrave, të cilat i japin formë artit të saj.

4

Imagjinata e ilustruar, në vija, pika, ngjyra, tregime, të cilat na rrëfejnë një moment, një person apo aktualitetin. Imagjinatë e ushqyer nga përditshmëria ndërsa pasioni për ilustrimet, dizjanin, artin në përgjithësi ka qenë gjithmonë aty ndaj nuk ka pasur asnjëherë dyshime se çfarë drejtimi do të studionte në jetë. Njomëza Kadriu, një artiste shumë e talentuar në Flatra për të na rrëfyer jetën dhe veprat e saj. “Vizatimi më ka ardhur natyrshëm. Jam rritur me vizatimet e shkëlqyera të mamit dhe besoj që ky ka qenë frymëzimi im i parë për art dhe kështu më është bërë pjesë e jetës edhe mua. Më pas kam studiuar dizajnin grafik duke e shkrirë kështu pasionin e fëmijërisë në profesion si e rritur. Kjo besoj që ka ndikuar në kultivimin e kësaj forme të shprehjes artistike përmes ilustrimeve, pra kombinimi i vizatimit klasik dhe teknologjisë së artit digjital. “ shprehet Njomëza.

5

Secili artist krijon stilin e tij të punës, të artit dhe shprehjes që përzgjedh për ta paraqitur atë, zgjedhin gjuhë të ndryshme për të komunikuar me ne me pasionin e papërmbajtshëm që kanë në vena. Mjafton të shohësh punimet e Njomëzës për të njohur më thellë stilin dhe atë çka e karakterizon artin e saj, megjithëse ajo vet nuk do që arti saj të jetë brenda kornizave. “Nuk preferoj ta përkufizoj apo vë në kornizë stilin e ilustrimeve. Nëse kisha folur për stil, atëherë do të ishte një farë post-impresionizmi naiv dhe simbolist, tek unë i karakterizuar nga gërshetimi i raporteve të mia me të tjerët dhe mjedisin. Janë detajet që më impresionojnë ato që pa u menduar i theksoj më shumë.” – thotë ajo.  Ilustrimet janë mesazhe që provokojnë emocione, qofshin ato pozitive apo negative, ironi apo sarkazëm. Megjithëse është artisti ai që zgjedh se çfarë do t’i përcjellë publikut me ilustrimet e tij.  “Kryesisht ilustrimet kanë të bëjnë me përvojat personale. Ato bëhen faqe ditari, por pa i zbuluar detajet intime. Me fjalë të tjera, janë ngjeshje figurative e ndjenjave.”  Me spontanitetin e një artisteje që jeton me ngjyrat dhe përvojat jetësore, Njomëza ka krijuar raportin të veçantë me ngjyrat…. “Ngjyrat janë sikur njerëzit. Sa më shume kohë që kaloj me to, aq më mirë i njoh. Pastaj, varësisht nga konteksti kromatik, plot me befasi.”. Ilustrimet e saj nuk kanë barriera, ashtu si imagjinata që nuk njeh kufij, troket dhe të ofron pjesë nga vetvetja.  E ardhmja është premtuese për Njomëzën pasi që vet ajo i ka vendosur objektivat në atë se çka dëshiron më tej. “Ambiciet e mia artistike për të ardhmen janë eksplorimi i kufijve të formës figurative nëpër teknika tjera të shprehjes siç janë piktura, tekstili dhe keramika.”- përfundon artistja.

8

3

admin

Artikujt e tjetrë