Intervista

Besa, trashëgimia më e bukur shqiptare

Profesor Ramiz Kelmendi shpreh mendimet e tij për narcizmin te shqiptarët, për personalitetin që përbën epokë më vete, për autorët e ndryshëm letrar, por edhe për evolucionin natyral femëror…

 Intervistoi: Brunilda Merko / Foto:  Blerim Berisha

 

 Pasqyra nuk është simbol vetëm i narcizmit, pse duhet t’i shërbejë ajo shoqërisë shqiptare?

Prej shumë kohësh e pale pastaj prej sa shumë e shumë njerëzish, është bërë, po bëhet dhe, s’do mend, edhe do të vijojë të bëhet pikërisht kjo pyetje. Madje-madje, paksa edhe më e plotësuar: a e ka fajin pasqyra, apo fytyra? Sapo të zihet në gojë kjo, mua, dashur e pa dashur, saora më kujtohet jo më pak se emblema brilante e poezisë sonë këtej e matanë “gardhit”: Azem Shkreli! Dhe poezia e tij thuajse proverbiale “Njerëzit”. Ja si shprehet ai: “Sikur të takohem me vetveten sy me sy/ Do të putheshim, apo kishim për t’u pështy?”. Narcizmi, ma thotë mendja, nuk është dhe as ka qenë ndonjëherë për lakmi. As tipar për lavd. Edhe më shumë se kaq, pasqyra, kjo jona, që do ta “shëmbëllente” shoqërinë aktuale shqiptare, zor se ka të drejtë dhe as që mund të fërkohet fare-fare me kategorinë narcisoide, e cila mbase edhe do të mund të tolerohej, sado e papreferuar të jetë. Narcizmi, s’do mend, jo vetëm nuk i shërben shoqërisë shqiptare, por s’i ka hije as edhe vetëm një individi. Sesi më imponohet vetvetiu krahasimi i narcizmit me – egoizmin. Dhe jo vetëm…

Cili personalitet përbën epokë më vete?

Edhe pse popull i vogël, krahasuar me (më) të mëdhenjtë, nuk jemi edhe ne pa ndonjë. E sidomos me Një, që merret me mend, i cili, jo vetëm më njëfarë dore, është vërtet Personalitet, që përbën Epokë më vete. E ky, në historinë shqiptare, është – Skënderbeu.

Mendoni se ndershmëria është politika më e mirë?

Pse, se mos vallë gjendet ndonjë “i mençur”, i cili pandershmërinë e konsideruaka politikë të mirë? (Pavarësisht nga “asociacionet” aktuale!).

Cilin shkrimtar të letërsisë sonë do ta kishit ngjallur?

Ernest Koliqin dhe Martin Camajn.

  Është aq e vështirë për të zbatuar atë që ne e thërrasim barazi, një evolucion natyral i feminizmit?

Nuk dua as të moralizoj, as të filozofoj. Por, s’kam sesi të mos e pohoj, madje-madje me shumë kënaqësi dhe krenari, se raca shqiptare – si ajo (sidomos) femërore, po ashtu edhe ajo mashkullore, kurrë nuk ka qenë, shkurt – më e bukur, për rrahagjoks e për lakmi!

Cili është limiti juaj?

Një dhe të vetmin limit, në qoftë se mund ta quaj(më) kështu, edhe pse unë do t’i thosha dëshirë a ideal, po, kam: ta flakim më të madhen sëmundje ndër ne: smirën! Kam mote e mote që dëgjoj pyetjen: Çka nuk të fal shqiptari? Shqiptari të fal, po, gjithçka! Ta fal deri edhe gjakun. E dëshmoi këtë Lëvizja Mbarëpopullore e Pajtimit të Gjaqeve. Shqiptari, po, është edhe burrë, edhe bujar. Ja që e vetmja gjë që nuk ta fal shqiptari, edhe në qoftë se të ka vëlla, është – suksesi!

Trashëgimia më e bukur shqiptare?
Besa…shqiptare!

 

 

admin

Artikujt e tjetrë