Intervista

Në anën tjetër të globit

Besjan Hajrullahu, studenti shqiptar, i cili prej vitesh jeton e studion në Kinë dhe Japoni, sjellë një civilizimi mijëvjeçar dhe pasqyrën e krijuar për kulturën aziatike.

  Na flisni pak për drejtimin akademik dhe pse kjo përzgjedhje?
Si fëmijë kam jetuar në Tiranë, e kujtoj që mund të shpenzoja orë të tëra duke menduar për çështje, që në realitet nuk ishin çështje që do duheshin të më brengosnin. Nga momenti kur im at më ka treguar rreth Kosovës dhe faktit, që aty kisha një pjesë të madhe të familjes, e kujtoj veten që gjithmonë e kisha të paqartë se pse gjërat duhet të ishin ashtu në Kosovë dhe pse nuk mund t’i takonim asokohe. Mendoj se gjithmonë kam qenë i vetëdijshëm për relacionin shkak-pasojë të këtyre fenomeneve, por gjithsesi përgjigjet nuk ishin asnjëherë të mjaftueshme për pëlqimin tim. Prandaj, natyrshëm e kam ndier veten të tërhequr nga bota akademike, mu për shkak të natyrës së saj didaktike, gjegjësisht qasjes ndaj fenomeneve në formë ontologjike dhe epistemologjike. Shumë shpejt arrita të kuptoj, që shumica e problemeve tona si shoqëri lidheshin në mënyrë direkte me mungesën e mirëqenies dhe kamjes materiale; prandaj e kam konsideruar ekonominë si fushën më të përshtatshme e cila ofron një këndvështrim më të qartë ndaj mekanikës së shoqërisë. Zhvillimi ekonomik, si një fenomen mjaft interesant dhe kompleks më bënte shumë përshtypje dhe kjo më shtyri të mendoj që Kina do ishte pikënisja më e mirë për udhëtimin tim akademik. Kjo, për të vetmin fakt se Kina po kalonte nëpër një zhvillim ekonomik shumë dinamik për tre dekadat e fundit, si një fenomen i paprecedent në historinë e njerëzimit. Pas 7 viteve në Kinë, kisha dëshirën dhe kuriozitetin, që ekspertizën time ta shtrija edhe në një shtet tjetër aziatik dhe natyrshëm zgjodha që studimet e doktoraturës t’i vazhdoja në Japoni. Si para 8 vitesh, ashtu edhe sot, jam më se i bindur që nga modeli ekonomik Kinez dhe Japonez mund të nxirren shumë mësime të vlefshme, pasi që në fund të fundit ato janë ekonomia e dytë dhe e tretë me e madhe në botë. Ndihem shumë me fat që mu ka dhënë mundësia të studioj për Ekonominë Ndërkombëtare në Universitetin e Studimeve Ndërkombëtare të Pekinit, ku edhe mora bazat e ekonomisë, vetëm për të vazhduar më pas studimet e magjistraturës në fushën e Ekonomisë së Aplikuar në Universitetin e Fudanit, në Shanghai. Pavarësisht te gjitha vështirësive, ato u shpërblyen me faktin që tema ime e Magjistraturës u konsiderua si një nga më të mirat e gjeneratës sime. Kjo arritje ishte shtysë, që të synoj menjëherë studimet e doktoraturës në Universitetin Waseda, në Tokio të Japonisë.

A mund të na tregoni se cilat ishin sfidat e tua të para si student shqiptar në Kinë?
Mendoj se secili student, kur shpërngulet për në një vend të panjohur, pavarësisht se sa shumë mundohet të përgatitet e t’i paraprijë sfidave, e ka të pamundur të llogarisë me të gjitha, por duhet të ketë shpresën që të pranojë dhe t’i përgjigjet çfarëdo sfide që i shfaqet përpara. Sfida e parë, e më e madhja për mua, ishte të përshëndetesha me familjen. Më pas viti im i parë në Pekin ka qenë vërtetë një betejë, plot sfida e të papritura, nga ato më serioze, siç ishte mësimi i gjuhës kineze, që e kisha të nevojshme për studimet e mëtutjeshme në fushën e ekonomisë, e deri tek ato më qesharake, si përdorimi i shkopinjve për të ngrënë ushqim, por nganjëherë edhe vetë blerja e një bilete metroje apo autobusi, dinte të shndërrohej në një mision të pamundur. Sido që të jetë gjitha ato sfida, sot i kujtoj me nostalgji, e me vjen për të qeshur me përpjekjet e mia për të bashkëvepruar me një ambient kaq ndryshe.  Sfida kryesore është shoku kulturor, me të cilin pa dyshim, si një i huaj, e veçanërisht si një shqiptar, do ballafaqohesh nëse vendosesha në një vend si Kina, një vend gjigant, me një gjuhë, kulturë dhe mënyrë jetese kaq ndryshe dhe të gërshetuar me një industrializim e një modernizim të hovshëm, që shpesh herë për një individ, e gjithë kjo mund bëhet tejet e vështirë për t’u konceptuar. Një numër i vogël nga studentët e huaj pas një semestri edhe u kthyen në vendin e tyre. Gjithsesi, besoj se nëse i reziston instinktit për t’i ikur përballjes dhe vendos të qëndrosh, të gjitha ato sfida që i përmenda më lartë, në fakt bëhen gjëja më magjepsëse e më e bukur e Kinës, e që padyshim të shtyjnë drejt një rritje personale dhe njohje së vetvetes.

Një civilizim mijëravjeçar, por cila është pasqyra që ju keni krijuar për kulturën kineze?
Ndihem me fat që kam pasur mundësinë te jetoj e të studioj ne Kinë, ku në çdo cep të vendit përballesh me historinë e antikitetin kinez. Atë mund ta gjesh në arkitekturën e veçantë siç është “Muri Kinez” apo “Qyteti i Ndaluar”, në art e letërsi nëpër pikturat e mrekullueshme të dinastive të ndryshme apo në veprat e “Lu Xun” e “Mo Yan”, në mjekësinë popullore me barërat shërues e akupunkturë, në ritualet spirituale nëpër tempujt Budist e Daoist, në perceptimet filozofike të metafizikës të Laozi e Zhuangzi; e në përplot detaje të tjera. Pekini është një metropol gjigant me një komunitet të madh e aktiv të “Expats”, ai është një qytet madhështor kinez, ku realisht mund të ndjesh peshën e Kinës si dhe historinë e atij populli. Pas shumë vitesh në Pekin dhe Shangai, unë kam krijuar një respekt të thellë për  popullin dhe kulturën, si një popull tejet punëtor, me shumë vlera njerëzore,  atdhedashës e të përkushtuar ndaj familjes. Por ajo që më së shumti më ka bërë përshtypje është mendësia zhvillimore dhe vullneti për progres e mirëqenie, diçka qe është dëshmuar edhe historikisht, ku rreth 600 milion njerëz janë nxjerrë nga një varfëri e skajshme. Paralelisht mendoj, që edhe ne shqiptarëve na nevojitet të artikulojmë një narrativë zhvillimore për vendin tonë dhe të krijojmë një shoqëri studiuese e mendje hapur, në mënyrë që të përshpejtojmë rrugën tonë drejt familjes tonë Evropiane. Mendoj që Kina ka shumë për të ofruar, në shkencë, kulturë, turizëm dhe biznes, prandaj është kënaqësi gjithmonë kur vizitoj miqtë kinez e ndërkombëtarë, që jetojnë atje dhe kam mundësi të shoh përparimet në të gjitha fushat.

Për studimet postdiplomike u zhvendoset në Tokio, cila është eksperienca juaj në këtë vend?

Të studioja në Japoni në universitetin prestigjioz të Wasedës ka qenë për mua një ëndërr, që u realizua. Ambiciet e mia për të qenë ekspert i fushës së ekonomisë politike zhvillimore, e në veçanti të rajonit te Azisë Lindore, e bënin ardhjen time në Tokio si diçka më se të nevojshme, ku mes të tjerash do të studioja edhe gjuhën e tyre. Studimet më dhanë qasje në materiale dhe të dhëna të reja, që hapin rrugë për këndvështrime më të thella për rajonin. Pas një viti nga bashkëpunimi me profesorët japonez kam mësuar shumë për ekonominë dhe historinë japoneze, gjë që ka sjellë në pah kontributin e pamohueshëm të Japonisë për zhvillim ekonomik të rajonit. Japonia si vendi i parë i industrializuar, ka shërbyer si një proto-model ekonomik për zhvillimin e vendeve te tjera duke përfshirë këtu dhe Kinën. Dhe besoj që edhe në këtë dimension mund të ofroj politika ekonomike për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Japonia ka një popull me kulturë të lashtë dhe me virtyte te larta, që e nderon punën dhe një përkushtim shumë të madh për shoqërinë e tyre, për të cilën jam vetë dëshmitar përditë. Qyteti i Tokios është një qytet i mrekullueshëm me rreth 38 milion banorë dhe pavarësisht këtij masiviteti, njerëzit ruajnë modestinë dhe respektin për bashkëqytetaret. Tokio është një qytet unik, një konglomerat i të kaluarës dhe të ardhmes në hapësira shumë të ngjeshura, ku është shumë normale të gjesh tempuj poshtë ndërtesave të larta me arkitekturë metaboliste.

Së fundi, cilat janë planet apo vizioni për të ardhmen tuaj sa i përket karrierës?
Besoj që edhe unë si shumë të tjerë, do ndjekim rrugën e njëjtë me gjeneratat e mëparshme, që janë përpjekur vazhdimisht të përmirësojnë gjendjen e vendit e të lënë gjurmët e tyre. Unë shpresoj që në të ardhmen të tregohem i vyeshëm në fushën akademike në Kosovë dhe të jem kontribuues në krijimin e lidhjeve me të afërta mes Kosovës, Kinës dhe Japonisë, që mund të na shpien drejtë një bashkëpunimi më të suksesshëm akademik dhe ekonomik.

admin

Artikujt e tjetrë